Të mërkurën, më 5 shkurt 2025, pritet që në Euronews Albania të nisë publikimi i sondazheve të Barometrit lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në katër zgjedhjet e kaluara, MRB dhe Data Centrum do të publikojnë në një cikël emisionesh të Barometrit, gjetjet e sondazheve se për kë do të votojnë shqiptarët në 11 maj.
Presidenti i MRB, Dimitris Mavros, ishte i ftuar këtë të martë në Euronews Albania, ku zbuloi disa detaje nga sondazhi që do të publikohet nesër.
Ai tha se në emisionin e parë fokusi do të jetë te partitë politike dhe liderët politikë, ndërkohë që në vijim do të kryhen sondazhe edhe jashtë vendit.
“Ajo çfarë po planifikojmë të bëjmë, është që nesër të fokusohemi te mjedisi i Shqipërisë dhe partitë politike, ndërsa në pjesën e dytë të sondazhit do fokusohemi te liderët politikë. Më pas, javët e tjera po planifikojmë të kryejmë disa sondazhe të jashtme, në Greqi, Itali.”, tha Mavros.
Mavros shtoi se risi në zgjedhjet e këtij viti do të jetë përdorimi i inteligjencës artificiale për të marrë të dhëna shtesë, krahas të dhënave origjinale.
“Të mërkurën në mbrëmje do të fillojmë Barometrin për muajt që vijnë, deri në ditën e zgjedhjeve të majit. Sigurisht, kemi kryer shumë detyra, duke përfshirë studimet e thelluara të shoqërisë shqiptare, për të krijuar një ide më të qartë mbi ngjarjet që ndodhin. Për herë të parë, do të përdorim edhe inteligjencën artificiale në mënyrë që të nxjerrim informacione shtesë, përveç të dhënave fillestare dhe origjinale. Kjo është shumë interesante, sepse kemi testuar këtë metodë në shtete të tjera, dhe tani do të përfshihet edhe Shqipëria, ku do të shohim në ditët në vijim disa rezultate më të thella. Nesër do të bëjmë një krahasim mes situatës aktuale të Shqipërisë dhe asaj që ndodhi në vitin 2021, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, nëse gjithçka shkon sipas projeksioneve, të ngjashme me ato të kaluarat. Gjithashtu, dua të theksoj se kam vënë re disa elemente befasuese, pasi aktualisht jemi në mandatet e tretë të qeverisjes së z. Rama, por po pyes veten se çfarë mund të ndodhë, dhe do të shohim disa tregues të rinj nesër.”
Mavros theksoi se Barometri do të ndjekë jo vetëm partitë tradicionale, por edhe ato të reja, për të dhënë një pasqyrim sa më të saktë të situatës në shoqërinë shqiptare.
“Duhet të theksoj që nuk ka vetëm dy lloj partish, por tre lloje, pra kemi për t’i ndjekur veçmas, me thonjza dhe pa thonjza, performancën e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe partive më të reja politike, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë për situatën në shoqërinë shqiptare. Ka disa ndryshime në këtë drejtim, por nuk dua të jap më shumë të dhëna tani, pasi do t’i shqyrtojmë nesër. Ka disa tregues kyç të performancës, të cilët na japin një ide për optimizimin ose pesimizmin që ka dominuar në Shqipërinë e sotme. Pavarësisht se isha duke pritur për të parë disa gjëra lidhur me këto tregues, nuk i pashë, por pashë disa gjëra të ndryshme. Kjo është diçka e mirë për Shqipërinë, por mund të përdoret si një armë nga një parti politike dhe po ashtu si një armë tjetër kundër partisë tjetër politike. Pra, të mërkurën nesër do të kemi disa përplasje të ashpra.”
Presidenti i MRB theksoi se synimi i Barometrit është që t’u japë qytetarëve informacion të besueshëm dhe jo thjesht shifra.
“Kur keni një lider ose një parti që është duke drejtuar një shtet për 3 mandate, ju prisni që ndoshta këtë herë, këto do të jenë zgjedhje që do të sjellin ndryshimin, pra që Zoti Rama do të largohet nga drejtimi i shtetit dhe gjithmonë kjo është pyetja. Kjo është shtylla e parë. Nga ana tjetër është opozita. A ka parti të forta opozitare që ta marrin shtetin në krahët e tyre drejt një të ardhmeje tjetër, sigurisht edhe kjo është e vështirë. Mund t’ju them këtë gjë: të gjithë liderët e mëdhenj duhet të krijojnë dy gjëra, e para është një mjet dhe e dyta është një krenari.
Më duhet të them që gjërat në Shqipëri lidhur me sondazhet kanë shkuar mjaft mirë gjatë 4 zgjedhjeve të kaluara dhe unë ndihem i përgjegjshëm për këtë shtet. Sepse duhet t’ju japim audiencës informacion të besueshëm, po e theksoj informacion dhe jo të dhëna. Informacion për gjërat që do të ndodhin. Numrat dhe shoqëria janë të ndërlidhura. Njerëzit nuk kanë nevojë për numra, por kanë nevojë për ide, se si ata duhet të vendosin për gjërat që duhet të bëjmë”, tha ai.
Duke u ndalur te vota e diasporës, Mavros tha se regjistrimet aktuale tregojnë se shifrat nuk janë të atilla sa mund të përmbysin rezultatin e votuesve brenda vendit.
“Dua të mos jem arrogant, por jam i përulur, nuk dua të them që ne gjetëm në kokë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, dua të jem i përulur me këmbë në tokë dhe me përgjigjet e njerëzve të japim rezultatin. Vota e diasporës është një pikëpyetje, por nuk është pikëpyetja më e madhe. Sepse ne do të japim një parashikim bashkë me diasporën brenda përqindjeve. Duke marrë parasysh se aktualisht janë 116 mijë, nuk janë aq të mëdha për të ndryshuar rezultatin, por kanë për të dhënë ndikimin e tyre në këto zgjedhje. Pritshmëritë nga Euronews nuk janë për të gjetur fituesin, por për të parashikuar dhe atë përqindjen e vogël me të cilin do të dalë fitimtari”, tha Mavros.
Ai shtoi se suksesi i Barometrit bazohet në pasjen e një ekipi të besueshëm që mat opinionin real të njerëzve dhe nuk kryen manovra në interes të partive politike.
“Gjëja më e saktë që bëjmë është që të zhvillojmë sondazhe me opinionet e njerëzve. Ne jemi brenda këtij sektori. Çështja është sa e fortë është besueshmëria e aktorëve dhe ekipit tonë, që të ofrojmë rezultatet siç e thotë shoqëria dhe jo sepse ne jemi duke bërë manovra të ndryshme”, tha Mavros.
LEXONI GJITHASHTU:
- Barometri/ Agostini: Në 2025 do të kemi 62 gra deputete në parlament
- Përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, flet Celibashi: Si ndahen komisionerët