Ka pasur 30,601 raste të konfirmuara të fruthit në Evropë dhe Azinë Qendrore midis janarit dhe 5 dhjetorit 2023, nga 909 gjatë gjithë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 3266 për qind të rasteve të sëmundjes së parandalueshme me vaksinë, paralajmëron UNICEF.
Të dhënat tregojnë gjithashtu për një tendencë përkeqësimi më të fundit pasi shkalla e rasteve të fruthit në Evropë dhe Azinë Qendrore pothuajse u dyfishua midis tetorit dhe nëntorit 2023.
Rastet në rajon pritet të rriten më tej për shkak të boshllëqeve në imunitet. “Nuk ka asnjë shenjë më të qartë të një prishjeje të mbulimit të imunizimit sesa një rritje e rasteve të fruthit. Një rritje e tillë dramatike kërkon vëmendje urgjente dhe masa të shëndetit publik për të mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje e rrezikshme dhe vdekjeprurëse”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore. Fruthi ka një efekt shkatërrues në shëndetin e fëmijëve, ndonjëherë me pasoja fatale. Ai shkakton dobësim afatgjatë të sistemit imunitar të fëmijëve, duke i bërë ata më të prekshëm ndaj sëmundjeve të tjera infektive, përfshirë pneumoninë. Shkalla më e lartë e rasteve të fruthit është raportuar në Kazakistan me 69 raste për 100,000 banorë, duke arritur në 13,254 raste, sipas të dhënave të fundit në dispozicion. Kirgistani ka shkallën e dytë më të lartë të rasteve të fruthit me 58 raste për 100,000 banorë, duke arritur në 3,811 raste. Rumania, e cila njoftoi javën e kaluar një shpërthim kombëtar të fruthit, ka një normë të raportuar prej 9.6 raste për 100,000, që arrin në 1,855 raste.
VARIANTI I RI I COVID 19
Një variant i ri i Covid (JN.1) është klasifikuar si një variant me interes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shkak të përhapjes së tij të shpejtë. JN.1 është konstatuar në shumë vende të botës, përfshirë Indinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.
OBSH thotë se rreziku është i ulët dhe vaksinat aktuale vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje, por paralajmëron se Covid dhe infeksionet e tjera mund të rriten këtë dimër.
Virusi që shkakton Covid po ndryshon vazhdimisht me kalimin e kohës dhe ndonjëherë kjo çon në zhvillimin e varianteve të reja. Omicron ka qenë varianti dominues global për disa kohë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po gjurmon një numër variantesh me interes të lidhura me Omicron, duke përfshirë JN.1 edhe pse asnjë prej tyre nuk konsiderohet të jetë shqetësues.
JN.1 është aktualisht varianti me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe përbën 15 deri në 29% të infeksioneve.
Ndërkohë, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tha se varianti JN.1. përbën rreth 7% të testeve pozitive Covid të analizuara në një laborator dhe do të vazhdojë të monitorojë të gjitha të dhënat për këtë variant dhe të tjerë.