Osmani: Asociacioni nuk është kusht për Këshillin e Evropës

27 Mars 2024 | 12:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

“Në qoftë se e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha Osmani.

Osmani i bëri këto komente pasi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.

Sot pasdite Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës do të mbajë një mbledhje, ku pritet të votohet raporti i Bakoyannis.

Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i saj është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare në prill, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Osmani tha se Kosova e ka dhënë përkushtimin e saj për ta themeluar Asociacionin më 2013 dhe më 2023, “pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i Marrëveshjes bazike të viti 2023”.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Të hënën, Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi tha se e mbështet deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Osmani tha se institucionet kosovare janë angazhuar për të lobuar me vendet anëtare për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

“Janë disa hapa që kanë mbetur, por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve”, tha Osmani.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026