Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medalje Presidenciale për nënat e Srebrenicës të Bosnje Hercegovinës, aty ku në korrik të vitit 1995 janë vrarë më shumë se 8.300 boshjakë nga forcat serbe.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore dhe njihet si gjenocid.
Presidentja Osmani ka thënë se Srebrenica është një plagë e hapur në vetëdijen e botës, dhe është simbol i tragjedisë që ka shkundur vetëdijen globale, por që ende nuk e ka marrë drejtësinë që e meriton.
Osmani e ka ndarë çmimin në kuadër të edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili ishte zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.
“Ne në Kosovë bashkëndjejmë thellësisht me vuajtjen tuaj, sepse edhe ne kemi përjetuar të njëjtin gjenocid të bërë nga i njëjti agresor. Lista e masakrave është e gjatë dhe e dhimbshme. Dhe tani, pas më shumë se dy dekadave prej kur ka përfunduar lufta, mijëra nga Kosova dhe Bosnje-Hercegovinë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Nënat nuk kanë një varr ku të vajtojnë të dashurit e tyre, por vetëm heshtin, heshtje që godet çdo ditë”.
Ajo ka thënë se e ndan çmim në emër të të gjithë shtetasve të Kosovës, dhe u është drejtuar nënave të Srebrenicës, duke u thënë se ato janë “frymëzim dhe simbol i forcës që buron nga dashuria amnore”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Armëpushim, ndihma dhe takim mes udhëheqësve, çfarë pritet nga bisedimet në Stamboll
- Drejtuesja e SHISH vizitë zyrtare në Washington, takohet me shefin e CIA-s