Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti i Kosovës
Kuvendi i Kosovës nuk mund të bllokohet për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb, tha presidentja Vjosa Osmani. Ajo nënvizoi se Kuvendi ka kuorum, ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët, andaj, sipas saj, është funksional. Osmani tha se bllokimi i legjislativit nënkupton që Listës Serbe t’i jepet veto si instrument që do të krijonte një precedent në të ardhmen për paralizimin total shtetëror.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Osmani në konferencë për media të martën akuzoi Listën Serbe se po synon bllokimin e shtetit të Kosovës, derisa bëri të ditura komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
“Në kushtet kur bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm, përkundër faktit se Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, e po ashtu deputetët kanë kryer betimin e paraparë me Kushtetutën, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues, rrjedhimisht edhe ushtrimi i sovranitetit… Bllokimi i konstituimit të Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së vetëm një nënkryetari gjatë seancës konstituive, përderisa Kryesia ka kuorum, do të cenonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin, por edhe vetë themelet që është ndërtuar republika jonë…Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar. Është detyrim i secilit prej nesh që të bllokojmë çdo synim për të arritur qëllimin e bllokimit të shtetit të Kosovës…Përderisa Kryesia e Kuvendit ka kuorum dhe Kuvendi ka zgjedhur kryetar në përputhje me Kushtetutën, Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet. Një bllokim i tillë si instrument edhe në të ardhmen do të krijonte një precedent për paralizimin total shtetëror…Për neve ai pozicion, që i takon komunitetit serb, jo një partie, mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zë atë vend, por ai thjesht do të plotësohet në një seancë të radhës pa bllokuar konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.
Osmani theksoi se parimet e përcaktuara nga vetë Gjykata Kushtetuese, teksti i Kushtetutës, fryma e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe opinionet e Komisionit të Venecias kërkojnë që asnjë komunitet apo parti që kanë të drejtë për një nënkryetar të mos bllokojë konstituimin e Kuvendit.
“Siç e dini, Kosova ka sistemin më të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Mirëpo këto të drejta të garantuara nuk mund të abuzohen në një mënyrë që të shkelin vetë qëllimin e tyre. I gjithë thelbi i komenteve që kemi dorëzuar sot bazohet në nenin 57 të Kushtetutës së Kosovës, i cili parasheh se janë dy parakushte në mënyrë që të realizohen të drejtat e komuniteteve. Parakushti i parë është detyrimi për të vepruar në përputhje me ligjet e Kosovës. Këtë besoj se s’ka nevojë për komentim që Lista Serbe nuk e bën. Detyrimi i dytë është që përgjatë ushtrimit efektiv të të drejtave të komuniteteve mos të shkelen të drejtat e të tjerëve. Është vlerësim i yni që ushtrimi i kësaj të drejte që po pretendohet të bllokohet Kuvendi, cenon të drejtat e të gjithë deputetëve të tjerë, duke u mohuar ushtrimin dhe funksionin e tyre për një kuvend të konstituar”, deklaroi Osmani.
Ajo i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që në vendimmarrjen për këtë rast të udhëhiqet nga mbrojtja e interesit të Kosovës dhe Kushtetutës, duke mos i lejuar Listës Serbe të ketë veto për formimin e institucioneve të vendit.
“Çdo përcaktim ndryshe rrezikon që të legjitimojë bllokimet procedurale të rrezikshme në nivel të normës kushtetuese juridikisht të detyrueshme. Vetoja mbi republikën nuk ka qenë asnjëherë as qëllimi i themeluesve të shtetit dhe hartuesve të kushtetutës. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, dhe rrjedhimisht edhe pastaj veton jo vetëm për Kuvendin dhe për qeverinë, Republika do të zhvlerësohej në një copë letër, në vend që të ishte veprim i përditshëm në mbrojtje të sovranitetit. Është në duar të kësaj gjykate të mbrojë shtetin nga rreziku që po i kanoset. Vendimi s’ka të bëjë me një pozitë të nënkryetarit nga komuniteti serb, por lidhet me funksionalitetin e shtetit si tërësi. Shpresoj që gjykata, përveç njërit që jam deklaruar më herët, do të udhëhiqet nga mbrojtja e interesit më të mirë të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ajo.
Osmani u pyet edhe për procedurën për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Ajo tha se votimi në pako për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb nuk është i paraparë në Kushtetutë, andaj për këtë çështje nuk ka dërguar komente në Kushtetuese dhe se i duket dytësore.
“Sa i përket çështjes së pakos, nuk kemi dërguar komente. Më duket çështje dytësore, tretësore apo më poshtë…Pako nuk kërkohet në Kushtetutën e Kosovës. Unë jam marrë me kërkesa kushtetuese, për çështje të rregullores dhe praktikave mundet me dërgu komente Kuvendi dhe deputetët”, tha ajo.
Duke folur për kritikat dhe sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe reagimin e ndërkombëtarëve, Osmani tha se Gjykata Kushtetuese dhe as gjyqtarët e saj nuk janë ndonjë “shenjtëri” që mos të flitet për punën e tyre.
“Kushtetuta nuk e ndalon as praktika në botë që ne të mos komentojmë vendime të gjykatave. Nuk ndalohet askund, është gënjeshtër. As nuk ndalohet kritika në raport me gjykatën, po flas për kritikën profesionale… Republika e Kosovës është shtet ku garantohet liria e shprehjes, kjo nënkupton edhe lirinë për t’u mos u pajtuar me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese derisa i zbatojmë ato aktgjykime. Të gjithë i zbatojmë, pavarësisht a pajtohemi apo sa herë na duken absurde… Të mos pretendojmë se Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët janë ndonjë shenjtëri. Janë institucion publik dhe mund të flasim edhe për punën e tyre”, theksoi Osmani.
Krahas kësaj, ajo tha se në momentin që skadon masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese dhe merret një vendim në frymën e konstituimit të Kuvendit, po atë ditë do të mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër.
Ndërkaq, përsëriti qëndrimin e saj për gjyqtarin nga komuniteti serb, Radomir Llaban, se qëndrimi i tij në atë institucion përbën shqetësim për secilin qytetar të Kosovës.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare./Kosovapress
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij.
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset