Osmani takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau

22 Dhjetor 2025 | 10:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.

Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.

Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.

Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

Osmani është takuar përgjatë vitit edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, në margjina të samiteve të ndryshme, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.

Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres Paunoviç, reagon eurodeputeti gjerman: Pres që ajo të shkarkohet nga detyra

Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka reaguar këtë të premte përmes një postimi në “X” lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Para pak ditësh,...
20:13 | 17/07/2026

Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!

Ministrja serbe për Pushtetin Lokal, Snezana Paunoviç, ka thënë në një intervistë të re se ndoshta duhej të kishte përdorur një terminologji tjetër në vend...
13:39 | 17/07/2026

Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të publikohet data dhe ora e mbajtjes...
12:02 | 17/07/2026