Përplasje mes BDI dhe VLEN për gjuhën shqipe në RMV, debat edhe për dokumentin e gjuhës serbe në Kumanovë
Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe një dokument i vitit 2010 për gjuhën serbe në Kumanovë janë kthyer në një tjetër pikë përplasjeje mes Bashkimit Demokratik për Integrim BDI dhe koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut.
Debati u nxit pas reagimit të BDI-së ndaj një aktiviteti të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas partisë opozitare, në ambientet e institucionit ishte vendosur një mbishkrim vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
BDI e cilësoi rastin si një tregues të zbehjes së statusit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke theksuar se gjatë periudhës kur kjo parti ishte pjesë e qeverisë, mbishkrimet në të njëjtin institucion ishin të vendosura në dy gjuhë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Rasti i djeshëm, ku ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, promovoi një mbishkrim në kuadër të një departamenti të Institutit për Shëndet Publik vetëm në gjuhën maqedonase, është dëshmi e qartë e nëpërkëmbjes së gjuhës shqipe dhe e shkeljes me të dyja këmbët të ligjit në fuqi. Për ironi, në të njëjtin institucion, gjatë kohës së qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim, mbishkrimet ishin vendosur në dy gjuhë, në përputhje me ligjin dhe me frymën e barazisë institucionale”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Përmes një reagimi publik, partia e Ali Ahmetit akuzoi përfaqësuesit shqiptarë në ekzekutiv se po heshtin përballë shkeljeve të ligjit dhe publikoi një fotografi që, sipas saj, tregojnë dallimet mes periudhës së mëparshme dhe situatës aktuale.
Nga ana tjetër, VLEN iu kundërpërgjigj akuzave duke rikthyer në vëmendje një dokument të vitit 2010, për të cilin pretendon se dëshmon mbështetjen e BDI-së për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës.
Përfaqësuesi i VLEN-it, Afan Elezi, deklaroi se BDI nuk ka dhënë asnjë sqarim për dokumentin e publikuar, duke e konsideruar heshtjen e saj si pranim të përgjegjësisë politike për atë vendim.
Sipas tij, mbetet e paqartë përse BDI mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë, ndërsa sot kritikon kundërshtarët politikë për çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe.
“Kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit që dëshmon se pikërisht BDI-ja, në vitin 2010, kur ishte në kulmin e pushtetit, votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës. Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohuan dokumentin. Nuk e mohuan vendimin. Nuk e mohuan votën e tyre. Zgjodhën heshtjen”, tha Elezi.
Polemikat mes dy blloqeve politike zhvillohen në një kohë kur çështja e përdorimit të gjuhëve në institucionet shtetërore vazhdon të jetë një nga temat më të debatuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.
Vetëm një ditë më parë, BDI publikoi gjithashtu dokumente nga Agjencia e Kadastrës, për të cilat pretendon se ngrenë dyshime mbi marrëdhënie pronësore dhe biznesore mes ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama. Nga ana tjetër, VLEN i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Shirat e rrëmbyeshëm vërshojnë në Shkup, probleme në qarkullim dhe infrastrukturë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton ‘rikonstruktim të thellë’, ja ndryshimet e reja
“One stop”, nënshkruhet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për zbatimin e kontrolleve të përbashkëta
- 10:19 Arrestohet 20-vjeçari i dyshuar për zjarrin masiv në fshatin Drizë të Fierit
- 10:19 Vidhen bizhuteri me vlerë rreth 4 milionë euro në muzeun ‘Lalique’ në Francë, nisin hetimet
- 10:12 Robotët humanoidë zbresin në fushën e futbollit në RoboCup 2026
- 10:01 Gjyqi “Partizani”, ish-ministri Oketa paraqitet në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar (VIDEO)
- 09:56 Rreth 10.2 milionë persona, Irani organizoi edhe në vitin 1989 një funeral masiv për udhëheqësin e tij suprem
- 09:41 Guterres: Inovacioni ka nevojë për parmakë mbrojtës. Nëse IA do të jetë e fuqishme, ajo duhet të qeveriset