English

“Po ndihmon Melonin” Rama i përgjigjet nga Shëngjini kritikave të së majtës italiane

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni, mbajtën këtë të mërkurë një konferencë për media nga qendra e pritjes së emigrantëve në Shëngjin.

- Advertisement -

Rama në fjalën e tij, u ndal tek marrëveshja e nënshkruar me Italinë për emigrantët, të cilën e cilësoi si një akt për të ndihmuar shtetin fqinj në menaxhimin e krizës së emigrantëve.

Shefi i qeverisë shtoi se edhe nëse ka dyshime se kjo marrëveshje është bërë gabim, atëherë do të kishim të bënim me një gabim që u bë me zemër, nga impenjimi për ndihmuar një shtet mik si Italia.

“Në një çast kaq të vështirë për Italinë, ne jemi shumë krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si evropianë të bashkuar brenda BE-së, por si evropianë me BE-në. Në fund askush nuk ka vendosur ta vendos Shqipërinë dhe shqiptarët në zemër të Evropës. Pastaj mund të diskutojmë për çdo gjë, dhe mund të kemi dyshime nëse kjo marrëveshje do të jetë diçka me vlerë apo do të jetë një gabim. Sidoqoftë, nëse do të jetë një gabim do të jetë një gabim i bërë me zemër dhe jo nga llogaritjet e egra. Në vend që të flasim e të flasim ne u përpoqëm të bëjmë diçka, pa patur pretendimin për ta zgjidhur këtë problem kaq të madh, pa ndenjur në vend duke biseduar siç bënin priftërinjtë e Kostandinopojës që flisnin për seksin e ëngjëve kur muret e qytetit po binin. Të kemi nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si bekim”, tha Rama.

Rama pati dhe një ëprgjigje për të majtën italiane, e cila e ka akuzuar se po i vjen në ndihmë një politikaneje të djathtë si Giorgia Meloni.

Shefi i qeverisë tha se miqte e tij të majtë në Itali duhet ta dinë se Shqipëria nuk shikon kush është në pushtet në Itali, por ka si qëllim të vetëm dhënien e ndihmës ndaj një shteti që na ka ndihmuar.

“Thënë kjo, shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si kryeministër i këtij vendi të gjithë këtë spektakël gjysmë të vërtetash, që janë gënjeshtra, falsitete të mëdha dhe çaste të një balte të pamerituar ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë.

Nga ana tjetër, duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pandashme, të pashlyeshme për të gjithë afeksionin dhe gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt Bashkimit Europian.

Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel dhe të kesh sot këtu nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si një bekim.

Nga ana tjetër, më duhet të them që për ne këtu në Shqipëri nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike të cilat qeverisin Italinë. E ka qeverisur Italinë e majta, qendra e majtë, e djathta, qendra e djathtë, janë këmbyer pozicionet e tyre në bazë të vullnetit që populli italian ka pasur, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie dhe të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar.

Kjo duhet kuptuar mirë edhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane sepse kur ata shprehin konsiderata për mënyrën se si vepron qeveria shqiptare kundrejt Italisë, duhet edhe të kuptojnë që tesera e anëtarësimit në një parti dhe në një fushë politike veprimi, në një fushë politike, nuk kanë të bëjë. Për ne, qeveria italiane ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një miqësi shumë e veçantë dhe një aleancë strategjike që ne duam ta zhvillojmë dhe ta fuqizojmë hap pas hapi.

Nëse gabon qeveria italiane, ne marrim pjesë në atë gabim pa asnjë ngurrim, por le të mos e kthejmë këtë në një çështje politike të përditshme dhe në një çështje gabimesh që janë një tjetër arsye për t’u ndjerë si në shtëpi kur ndjekim politikën italiane sepse jemi shumë të ngjashëm, një ngjashmëri e cila ndonjëherë të bën të mendosh “Po pse nuk i bashkojmë dy vendet tona në një dhe kështu të bashkojmë edhe partitë politike, edhe gazetarët dhe le të bëjmë një festë të madhe gjysmë të vërtetash dhe pune të përbashkët?”- tha kryeministri.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?