Prattipati takon kryetarët e rinj të katër komunave në veri të Kosovës

23 Dhjetor 2025 | 16:20

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, u takua sot me katër kryetarët e inauguruar të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ajo u prit në takim nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq; i Leposaviqit, Zoran Todiq; i Zveçanit, Dragisha Milloviq; dhe i Zubin Potokut, Millosh Peroviç.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, gjatë takimit, Prattipati theksoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente dhe efektive dhe rëndësinë e ofrimit të barabartë të shërbimeve për të gjithë qytetarët.

“[Gjatë takimit, u theksua edhe] rëndësia e bashkëpunimit me institucionet e sigurisë publike që janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ajo, gjatë vizitës në veriun e banuar me shumicë serbe, zhvilloi edhe takime me përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita vjen pas zgjedhjeve lokale të tetorit, pas të cilave Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – e riktheu pushtetin në këto katër komuna me shumicë serbe.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku ishin udhëhequr nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Dorëheqjet ishin pjesë e një nisme të përbashkët të serbëve të Kosovës për të braktisur institucionet shtetërore, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë periudhës së qeverisjes nga kryetarët shqiptarë, autoritetet komunale në veri morën në administrim objekte në pronësi të komunave ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i konsideronin të jashtëligjshme dhe të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, gjatë verës së këtij viti, komuna e Mitrovicës së Veriut nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashihte ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete. Ky memorandum u mbështet nga Qeveria e Kosovës, por u kundërshtua nga Lista Serbe.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha vendimeve të marra gjatë periudhës së kaluar nga udhëheqja komunale, përfshirë edhe marrëveshjen për ndërtimin e urave dhe masat ndaj ndërtimeve të cilësuara si të paligjshme.

Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, për çdo vendim apo akt të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës, në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të marte në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, ku ka humbur jetën një person, pasi...
21:04 | 21/07/2026

Gjakova gjallërohet nga muzika dhe kultura, nis festivali “Ditët e Shqiptarëve”

Gjakova është kthyer në qendrën e kulturës, muzikës dhe aktiviteteve në natyrë, falë festivalit “Ditët e Shqiptarëve”, një ngjarje që po sjell së bashku artistë,...
18:55 | 21/07/2026

BE reagon me shqetësim për largimin e prokurorëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë

BE reagoi me shqetësim ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet e prokurorëve serbë, të cilat sipas saj ishin tërhequr,...
16:13 | 21/07/2026