Duke folur në emisionin People në Euronews Albania, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sait Prizreni, tregoi detaje nga incidenti në Sllovaki në momentin e shpërndarjes së medaljeve, ku Presidenti i Federatës Ruse bëri një sjellje skandaloze ndaj përfaqësuesit të Shqipërisë, Chermen Valiev.
Prizreni tha se i ka takuar të dyja palët pas incidentit dhe e quajti moment emocional nga ana e Mikhail Mamiashvilit, ndërsa shtoi se e kishte pyetur nëse kishte ndonjë problem, ku ai ishte përgjigjur “absolutisht jo” dhe ishin përqafuar.
“Sigurisht që kam biseduar me sportistin po ashtu dhe me presidentin e Federatës Ruse. Është një moment emocional, sepse fakti që ne kemi mundur sportistin më të mirë që ka sot Rusia, më të mirë që ka Federata Botërore e Mundjes, Kampionin Olimpik, Kampionin e Botës, Kampionin e Europës, do të thotë që askush nuk është i kënaqur dhe ne i kemi rrëmbyer Rusisë një djalë të talentuar që tashmë është transformuar. Pas katër humbjeve radhazi me këtë sportist, ai e ka mundur në Kampionatin e Europian. Këto janë gjëra që unë i quaj emocionale nga ana e presidentit të Federatës Ruse të Mundjes. Presidentin e Federatës Ruse të Mundjes e takova dhe e pyeta nëse ka ndonjë problem. Ai më tha se nuk ka asnjë problem, ai nuk është këtu sot, ne njohim njëri-tjetrin prej vitesh, ai është mik i imi dhe i mundjes. Më tha që nuk ka asnjë problem, më dha një përqafim dhe kaq ishte. Më pas, kemi qenë duke festuar dhe nuk kemi pasur kohë të merremi me këtë pjesë,” tha Prizreni.
Ai tha se ka qenë aty kur ka ndodhur incidenti dhe ka parë gjithë skenën, ndërsa nga biseda që ka zhvilluar më pas me mundësin Valiev, ai i ka thënë në një farë mënyre se Presidenti i Federatës Ruse e ka quajtur si tradhëtar, në kuptim që ai ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë.
“Unë kam qenë në krah të djathtë të podiumit dhe e kam parë gjithë skenën. Nuk e di se çfarë i ka thënë, por në një farë mënyre, me atë që më ka thënë vetë sportisti, ai e ka quajtur në një farë mënyre tradhëtar, se pse e ka lënë Rusinë për Shqipërinë. Dhe unë takova vetë sportistin. Absolutisht nuk është një moment i mirë për sportistin dhe për komunitetin e mundjes, ku të gjithë po flasin për këtë rast. Dhe sado që ne duam ta justifikojmë, nuk e mbrojmë dot dhe ndjehem i keqardhur për atë që duket. Por sigurisht jam i ekzaltuar për arritjet tona në Sllovaki, sepse kemi sjellë një titull europian dhe kjo është ajo që duhet të flasim dhe promovojmë,” tha Prizreni.
Kujtojmë që një skandal i madh ndodhi gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë ku Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, ka pasur një mllef të madh ndaj mundësit rus Chermen Valiev, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Sipas Komitetit Olimpik Shqiptar, para se t’i vendoste medaljen, Mamiashvili e ka quajtur përfaqësuesin rus të Shqipërisë “tradhtar”, ndërsa ia ka vendosur në mënyrë arrogante dhe me forcë medaljen në qafë.
Në fund, i ka shtrënguar me forcë të dyja duart, shoqëruar me një buzëqeshje ironike.
Skandal në Europian, Presidenti i Federatës Ruse shtyn mundësin shqiptar pic.twitter.com/tDIpUY2ek1
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) April 10, 2025
LEXONI GJITHASHTU:
- Video/ Skandal në Europian, Presidenti i Federatës Ruse shtyn mundësin shqiptar
- Valiev shpallet kampion Europe, sukses dhe për Abakarov në Evropianin e Mundjes