Pse u arrestua në Francë krijuesi i Telegram, ana e errët e aplikacionit
Telegrami është vënë në qendër të vëmendjes pasi në Paris më 24 gusht u arrestua Pavel Durov, bashkëthemeluesi i kësaj platforme. Sipas raportimeve të mediave franceze, arrestimi i tij u krye në bazë të kërkesë të një njësie speciale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Francës, njësi që merret me hetimin e krimeve kundër të miturve.
Ndaj Durovit ende nuk është ngritur një aktakuzë.
Përmes një deklarate, Telegrami tha se Durovi, miliarderi 39-vjeçar që ka edhe pasaportë franceze, nuk ka asgjë për të fshehur. Në deklaratë u shtua se ishte absurde që pronari i Telegramit të mbahet përgjegjës për shkeljet në platformën e mesazheve.
Sipërmarrësi ka lindur në Shën Petersburg dhe është dy muaj larg festimit të ditëlindjes së tij të 40-të.
Në moshën 22-vjeçare, ai lançoi median e tij të parë sociale, VKontakte (VK), një platformë që u shërben përdoruesve në gjuhën ruse, e cila doli të ishte më e popullarizuar se Facebook në vendlindjen e tij, Rusinë.
Por ai u largua nga vendi në vitin 2014 pasi refuzoi të pranonte kërkesat e qeverisë për të mbyllur grupet opozitare në VK dhe për t’i dorëzuar të dhënat personale shërbimeve të sigurisë ruse, FSB. Kjo përfshinte një kërkesë për të bllokuar llogarinë e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny.
Më vonë ai shiti VK-në, duke thënë për gazetarin amerikan Tucker Carlson: “Më mirë të jem i lirë sesa të marr urdhra nga kushdo”.
Në të njëjtën intervistë ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë pronë, si pasuri të paluajtshme dhe se pasuria e tij e vetme ishin paratë dhe Bitcoin.
Në vitin 2013, me vëllanë e tij Nikolai, ai lançoi Telegram, një platformë që pretendon se i jep përparësi mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve dhe konkurron me platformat e tjera të mediave sociale si WhatsApp, Instagram, TikTok dhe WeChat.
Shërbimi lejon këdo që të shkëmbejë video, foto dhe komente në të ashtuquajturat “kanale” ose grupe, por të dhënat e përdoruesit mbrohen me enkriptim. Ekzistojnë gjithashtu “kanale” private që i japin administratorit të grupit të drejtën për të verifikuar se kush mund t’i shohë postimet e tyre.
Durov gjithmonë ka refuzuar të moderojë mesazhet në Telegram, duke e promovuar atë si një platformë “falas”.
Në vitin 2018, një gjykatë në Moskë urdhëroi bllokimin e Telegram. Por ajo rezultoi e pasuksesshme pasi protestuesit rrethuan selinë e FSB-së, duke hedhur avionë letre, një simbol i Telegramit.
Rusia hoqi dorë nga plani i saj për të bllokuar Telegramin dhe qeveria përdor gjithashtu aplikacionin.
Telegrami përdoret nga grupe opozitare në mbarë botën, të cilët nuk duan që të dhënat apo mesazhet e tyre të komprometohen. Ajo ka qenë një platformë kryesore informacioni në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 për të dyja palët e luftës.
Një prej avantazheve që ka Telegrami është enkriptimi i komunikimit dhe anonimiteti i përdoruesve. Në grupe, numri i telefonave të përdoruesve nuk është i dukshëm.
Ka më shumë se 900 milionë përdorues, shumica në Rusi, Ukrainë dhe në ish-republika të tjera sovjetike. Telegrami është platforma e tretë më e madhe e komunikimit në botë, pas WhatsAppit dhe Messengerit.
Krahasuar me platformat e tjera të mesazheve, Telegrami “është më pak i sigurt dhe më i dobët sa i përket politikave dhe zbulimit të përmbajtjes së paligjshme”, tha për AP-në, David Thiel, hulumtues në Universitetin e Stanfordit.
Gjatë protestave në Bjellorusi më 2020, Telegrami ishte kyç për organizim dhe ndarje të informacionit. Kanali në Telegram, NEXTA, që kishte publikuar informacione në kohë reale nga protestat në Minsk dhe qytete të tjera, përjetoi një rritje të ndjekësve, duke arritur në shifrën prej 2 milionë ndjekësish në tre ditët pas zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit. Themeluesi i kanalit, Stepan Putilo, 22 vjeç, madje u shpall terrorist nga Qeveria bjelloruse.
Në Iran, Telegrami besohet se ka 40 milionë përdorues dhe më 2018 ai ishte burimi kryesor i informimit teksa protestat antiqeveritare u përhapën në mbarë vendin. Shumë iranianë përdorin grupet private në Telegram për të mbajtur kontakte me familjen dhe miqtë. Ata po ashtu abonohen në kanale publike për të marrë lajme që nuk janë të qasshme në mediat shtetërore. Gjatë trazirave të vitit 2018, autoritetet iraniane më pas tentuan ta bllokonin Telegramin.
Veçoria e Telegramit, sa i përket enkriptimit, ka tërhequr ata që këmbejnë imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve dhe numra të kartave të vjedhura bankare. Një hulumtim i kryer nga BBC më 2019, gjeti se aplikacionet e mesazheve, përfshirë Telegramin dhe Discordin, ishin bërë mjaft popullore pas operacioneve të suksesshme policore kundër tregjeve kriminale që operojnë në atë që njihet si “dark ëeb” – një rrjet në internet ku mund të hyhet vetëm duke përdorur mjete të posaçme.
Hulumtimi i BBC-së gjeti të dhëna që thoshin se pedofilët po përdornin si Telegramin, ashtu edhe Discordin, për t’iu dhënë njerëzve qasje në materiale abuzive.
Pavarësisht se nuk është i vetmi rrjet social, Telegrami është dëshmuar se është një mjet i fuqishëm për përhapjen e dezinformatave.
Telegrami është platforma më e madhe për dezinformim në Evropën Qendrore dhe Lindore, sipas një raporti të gazetarisë hulumtuese të publikuar më 2023, ku po ashtu thuhej se kanalet në gjuhën gjermane luajnë “një rol të rëndësishëm si një qendër e mendimeve ekstreme që ndikon në pjesën tjetër të Evropës Qendrore dhe Lindore”.
Më 2022, Gjermania shqiptoi gjoba prej 5.125 milionë eurosh kundër operatorëve të Telegramit për dështim që të respektojnë ligjet gjermane.
Që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Telegrami gjithnjë e më shumë është përdorur nga Kremlini.
Gjatë muajve të parë të pushtimit, Kremlini shtypi platformat perëndimore të mediave sociale, ndërkaq “vazhdoi të tolerojë Telegramin dhe e përdori për qëllimet e tij”, u tha në një raport të publikuar në qershor nga Laboratori i Kërkimeve i Forenzikës Digjitale (DFRLab), një njësi për analizimin e dezinformatave e Këshillit të Atlantikut, institut me bazë në Uashington.
“Kanalet kryesore patën rritje të madhe të ndjekësve pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022, por disa nga kanalet pro luftës më me ndikim, sikurse Karaulny, Z SIL0VIKI dhe ËarGonzo”, u tha në raport, megjithatë, numri i ndjekësve nisi të binte në fillim të vitit 2024.
DFRLab po ashtu gjeti se kompanitë private ushtarake ruse përdorën Telegramin, kryesisht për të mbledhur fonde, rekrutim dhe për përhapjen e informacioneve. Po ashtu u tha se grupi i mercenarëve, Wagner, kishte të paktën 30 kanale të ndara që ishin të dedikuara për zyrat rajonale të rekrutimit. Këto, megjithatë, ato u zhdukën pasi rregullatori rus i telekomunikimit, Roskomnadzor, goditi kanalet e Wgnerit gjatë rebelimit të Wagnerit në qershor të vitit 2023 kundër udhëheqjes së lartë ushtarake të Rusisë.
Pse u arrestua?
Hetuesit francezë lëshuan një urdhër arrest për mashtrim, trafik droge, krim të organizuar dhe promovim të terrorizmit në platformën e tij. Ai akuzohet se nuk ka marrë masa për të parandaluar përdorimin kriminal të platformës së tij.
“Mjaft me mosndëshkimin e Telegramit,” tha një hetues, sipas The Guardian, i cili gjithashtu tha se ishin të befasuar që Durov fluturoi për në Paris duke e ditur se ai ishte një njeri i kërkuar.
Durov ka thënë në të kaluarën se Telegram i përgjigjet çdo kërkese për të hequr përmbajtjen që thërret për dhunë ose vrasje.
“Telegram u përmbahet ligjeve të BE-së, përfshirë Aktin e Shërbimeve Dixhitale – moderimi i tij është brenda standardeve të industrisë dhe vazhdimisht po përmirësohet”, tha Telegram në një deklaratë të dielën në mbrëmje.
“CEO i Telegram Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur dhe udhëton shpesh në Evropë. Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme. Ne jemi në pritje të një zgjidhjeje të shpejtë të kësaj situate”, vijon njoftimi.
LEXONI GJITHASHTU:
LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut