Putin thotë se Rusia s’do ta sulmojë NATO-n, por do t’i rrëzojë F16-shat në Ukrainë

28 Mars 2024 | 10:54

Rusia nuk ka plane për asnjë vend të NATO-s dhe nuk do ta sulmojë Poloninë, shtetet e Baltikut apo Republikën Çeke, por nëse Perëndimi furnizon me avionë luftarakë F-16 Ukrainën, fluturaket do të rrëzohen nga forcat ruse, deklaroi lideri rus Vladimir Putin.

Pushtimi rus i Ukrainës që nisi më 2022 ka nxitur krizën më të thellë në raportet mes Rusisë dhe Perëndimit që nga Kriza kubane e raketave më 1962.

Duke folur me pilotët rusë, Putin tha se aleanca ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është zgjeruar në lindje drejt Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, por Moska, tha ai, nuk ka plane që të sulmojë ndonjë shtet të NATO-s.

“Ne nuk kemi qëllime agresive ndaj këtyre shteteve”, tha Putin, sipas transkriptim të publikuar nga Kremlini të enjten.

“Ideja është që ne do të sulmojmë një vend tjetër – Poloninë, shtetet e Baltikut dhe çekët që po ashtu po frikësohen – është absurditet i plotë. Këto janë gjepura”.

Kremlini, që e akuzon SHBA-në se po lufton kundër Rusisë përmes mbështetjes së Ukrainës me para, armë dhe inteligjencës, ka thënë se raportet me Uashingtonin ndoshta kurrë nuk kanë qenë më të këqija.

I pyetur lidhur me avionët luftarakë F-16, të cilat Perëndimi ka premtuar se do t’ia dërgojë Ukrainës, Putin tha se fluturake të tilla nuk do të ndryshojnë situatën në Ukrainë.

“Ne do të shkatërrojmë këto fluturake siç po shkatërrojmë çdo ditë tanket, autoblindat dhe pajisjet e tjera, përfshirë edhe raketahedhësit”, tha Putin.

Udhëheqësi rus tha se avionët F-16 po ashtu mund të bartin armë bërthamore.

“Sigurisht, nëse këta avionë do të përdoren nga bazat ajrore nga një shtet i tretë, për ne do të bëhen caqe legjitime për ne”, tha Putin.

Deklaratat e Putinit vijnë pasi një ditë më herët ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se avionët F-16 duhet të dërgohen në Ukrainë në javët në vijim.

Ukraina, që për dy vjet po përballet me luftën e nisur nga Rusia, për muaj të tërë ka kërkuar nga aleatët e saj që t’i dërgojnë avionë F-16.

Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë në mesin e shteteve që janë zotuar se do t’i japin Kievit fluturake të tilla. Ndërkaq, një grup shtetesh kanë premtuar se do të ndihmojnë në trajnimin e pilotëve ukrainas.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026