Kryeministri Edi Rama refuzoi të shkojë në interpelancën urgjente të kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi lidhur me çështjen Becchetti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se nuk do të shkonte në asnjë interpelancë të Bardhit pa përfunduar hetimet e SPAK ku Bardhi akuzon vëllanë e kryeministrit.
Lidhur me këtë qëndrim ka reaguar Gazment Bardhi, i cili përmes një postimi në Facebook e cilëson këtë presion të Ramës ndaj SPAK për të mbyllur hetimet ndaj vëllait të tij.
“Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyll hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika! Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara. A nuk ishte po ky Edi Rama që hyri me sy, por doli me faqe të zezë, përpara disa muajve kur ishte në interpelancë për mbetjet toksike me denoncuesin e Olsit, pra me mua, me të njëjtin? Pse atëherë mendonte se kishte edhe sy edhe faqe për të ardhur në interpelancë, ndërsa sot ka humbur sytë dhe faqen? Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?
E di që Edi Rama nuk e ka për gjë të grisë Kushtetutën dhe Ligjin për pushtetin e tij personal. E di shumë mirë që do të gjejë çdo justifikim për të mos u përballur në Parlament me krimin e vjedhjes që u ka bërë shqiptarëve. E di shumë mirë që edhe mesazhet politike i jep sipas stilit mafioz. E di që po bën çmos të shantazhojë edhe SPAK-un që t’i mbyllë hetimet për Olsin dhe kokainën e Xibrakës. Ajo që s’kisha parashikuar ishte që të fshihej pas të vëllait të vogël për të mos ardhur në Parlament”, shkruan mes të tjerash Bardhi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama thirrje të rinjve: Forcat e Armatosura hapin dyert, çfarë përfitojnë aplikantët
- Mbyllja e TikTok dhe Snapchat, Rama: Fëmijë e mësues në presion nga rrjetet sociale