Rama: Rruga e re Shëngjin–Velipojë do të rrisë potencialin turistik të zonës
Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, ishte sot në Shkodër, konkretisht në Velipojë, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve lokale.
Duke folur për rrugën e re Shëngjin–Velipojë, Rama u shpreh se përfundimi i saj është një moment i rëndësishëm lehtësimi për zonën:
“Me këtë rrugë të re, si dhe me segmente të tjera të ngjashme që kemi investuar ose jemi duke i zhvilluar nëpër Shqipëri, po zbulojmë për shqiptarët dhe turistët një pjesë të magjishme të vendit, që deri dje ishte e paaksesueshme. Kjo rrugë forcon mbështetjen për ekonominë vendore të Shkodrës dhe Lezhës, por edhe rrit të ardhurat për ekonominë tonë kombëtare.”
Rama shprehu optimizëm lidhur me zhvillimet në këtë zonë, duke u ndalur te projektet e sipërmarrjes që po zhvillohen në Lezhë dhe Shkodër:
“Janë projekte të një gjenerate tjetër, shumë ambicioze, që do të tërheqin kategorinë e turistëve që shpenzojnë shumë. Ata kanë nevojë për një infrastrukturë të re mikpritjeje që po krijojmë, e cila do të sjellë të ardhura të konsiderueshme.”
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e cilësisë në turizëm dhe rritja e pagesave për stafet:
“Cilësia është gjithçka. Kur rriten të ardhurat, rritet edhe mundësia për të paguar më shumë stafet. Ne do të jemi mbështetës, por edhe rigoroz në drejtim të zhvillimeve në këto hapësira të reja.”
Rama e quajti zonën Velipojë–Shëngjin si një nga më të bukurat në Evropë, që sipas tij, meriton zhvillim me standarde të larta.
Ai përmendi gjithashtu nënstacionin e ri elektrik në Velipojë, i cili do të hapet në hyrje të zonës, si dhe projektin për nënstacionin e Shëngjinit, që do të nisë së shpejti. Po ashtu, është planifikuar edhe Bypassi i Shëngjinit dhe një projekt tjetër për fuqizimin e rrjetit elektrik në Alpe.
Në lidhje me urën që do të lidhë Ulqinin me Velipojën, Rama tha se ka pasur vonesa për shkak të mungesës së koordinimit me palën malazeze:
“Nuk kemi pasur shumë sintoni me palën malazeze. Ka pasur burokraci dhe vonesa, por do të vazhdojmë të shtyjmë për realizimin e saj. Kjo urë do të krijojë një vijë të pandërprerë dhe do të sjellë më shumë fluks turistësh ditorë midis dy anëve të kufirit.”
Në fund, Rama përmendi një tjetër projekt në zhvillim:
“Po përgatisim lidhjen e zonës së Tales me bregdetin përmes rrugëve të brendshme perpendikulare, pasi aktualisht mungon infrastruktura që do të mbështesë zhvillimin e këtyre zonave”, tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve