Raporti i Dumanit: 854 çështje të hetuara në 2024, rriten pasuritë e sekuestruara

14 Tetor 2025 | 16:41

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, raportoi këtë të martë në Komisionin e Ligjeve lidhur me punën e institucionit për vitin 2024.

Në fokus të raportimit ishte intensifikimi i hetimeve ndaj krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivelet e larta të administratës.

“Lufta kundër krimit të organizuar ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, konkretisht me 19% për çështjet e regjistruara dhe rreth 35% për hetimet e përfunduara”, deklaroi Dumani para deputetëve.

Volumi i hetimeve dhe gjykimeve: 854 çështje të ndjekura në 2024

Sipas Dumanit, gjatë vitit 2024 janë hetuar gjithsej 854 procedime penale, nga të cilat 526 janë mbartur nga viti 2023, ndërsa 328 janë regjistruar rishtazi gjatë vitit. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo përbën një rritje prej 9.7% të çështjeve të reja dhe 13% më shumë hetime të përfunduara.

Në fushën e korrupsionit në nivele të larta, janë proceduar 33 ish-zyrtarë të lartë, ku 19 janë dërguar në gjykim dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.

“Vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për vitin 2024 arrin në 65.5 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 59.7% krahasuar me vitin e kaluar”, bëri të ditur kreu i SPAK.

Nga kjo shumë, 43.8% janë pasuri të sekuestruara, ndërsa 56.2% janë pasuri të konfiskuara. Ai shtoi se rreth 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin zyrtarëve të ndryshëm nën hetim.

Dumani vlerësoi se hetimet për trafikun e drogës janë rritur me 3.3%, çka ka sjellë edhe zgjerimin e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare si Eurojust, ku janë ekzekutuar 46 vendime gjyqësore të lëshuara në bashkëpunim.

Ai theksoi se SPAK ka marrë masa për standardizimin e ndjekjes penale, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit në masat e sigurisë. “Vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK, duke shmangur abuzimin me masat më të rënda të sigurisë”, u shpreh ai.

Përsa i përket terrorizmit, në vitin 2024 janë regjistruar nëntë çështje të reja, nga të cilat një është dërguar në gjykatë, ndërsa të tjerat janë ende në fazë hetimi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama: Trajnohen dhe certifikohen 100 vullnetarët e parë për përballimin e situatave emergjente

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka bërë me dije se janë trajuar dhe certifikuar 100 vullnetarët e parë që do të jenë...
09:25 | 24/07/2026

Prokuroria e Fierit konfiskon 1.8 mln euro pasuri të paluajtshme të përfituara nga trafiku i drogës

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në pronësi shtetit...
09:22 | 24/07/2026

Mbante pa leje në banesë pistoletë me municion, arrestohet 43-vjeçari në Tiranë

Një person është vënë në pranga nga policia gjatë një operacioni në kuadër të parandalimit të ngjarjeve kriminale kundër personit dhe goditjen e armëmbajtjes pa...
09:15 | 24/07/2026