Rreth 1 milion të dëbuar, sot 26 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

16 Prill 2025 | 09:09

Sot shënohen 26 vjet nga një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne të Kosovës – eksodi masiv i shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Rreth një milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat serbe, duke gjetur strehim në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe në malet e Kosovës.

Shumica e të dëbuarve ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët përjetuan dhunë fizike, tortura, dhe trajtime çnjerëzore.

Mijëra kaluan kufirin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa të tjerë u zhvendosën brenda territorit të Kosovës, duke u strehuar në zona malore në kushte të vështira.

Eksodi mori përmasa të jashtëzakonshme pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake të Jugosllavisë.

Më 27 mars 1999, në orën 13:20, në pikëkalimin e Vërmicës/Morinës mbërritën 187 refugjatët e parë – shumica fëmijë dhe gra – në gjendje të rëndë fizike e psikologjike, të dhunuar me mjete të forta.

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Më 28 mars, fluksi i refugjatëve drejt Kukësit arriti në mbi 13 mijë vetë, ndërsa brenda një jave numri shkoi në rreth 70 mijë.

Rreth 40.000 mijë refugjatë u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj.

Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej.

Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin edhe në kampe.

Më 16 prill, në Kukës përkujtohet Dita e Eksodit, si një shenjë mirënjohjeje për mikpritjen e popullit shqiptar ndaj vëllezërve të tyre nga Kosova.

Simbol i kësaj dite është Obelisku i Eksodit, një kullë 23.5 metra e lartë e ndërtuar në vendin ku dikur ngriheshin çadrat e refugjatëve.

Brenda saj ndodhen fotografi që dokumentojnë vuajtjet dhe sakrificat e asaj periudhe, duke e kthyer këtë monument në një nga pikat më të vizituara të qytetit.

Në Han të Elezit, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ’99”, ndodhet Monumenti “Muri i Kujtesës”, i cili nderon sakrificën e popullit shqiptar dhe përkujton ndihmën e personaliteteve ndërkombëtare që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.

Mozaiku përfshin edhe emra të njohur të botës që ndihmuan në përpjekjet për paqe dhe liri.

Këto përkujtime shërbejnë si një dëshmi historike e dhimbjes, por edhe e qëndresës dhe solidaritetit mes shqiptarëve, duke mbajtur gjallë kujtimin për një nga kapitujt më të errët të historisë së re të Ballkanit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Urrejtje patologjike ndaj Kosovës”, Andoni: Ministrja serbe pati kurajë dhe e tha, Daçiç e thelloi

Analisti Ben Andoni, i ftuar këtë të shtunë në Balkan Talks me Franko Egro në Euronews, ka folur lidhur me deklaratat e ministres serbe për...
19:25 | 18/07/2026

“Ministrja serbe nuk bëri gafë politike”, Ramabaja: Shqetësuese është reagimi i Shqipërisë

Në një lidhje live nga Prishtina për Euronews Albania me Franko Egro në Balkan Talks, studiuesi i gjeopolitikës, dr. Sadri Rambaja, u shpreh se deklarata...
18:47 | 18/07/2026

Kosova letër Kaja Kallas, i kërkon të bëjë më shumë për të dënuar deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq për “spastrim etnik” në...
16:05 | 18/07/2026