Një avion pasagjerësh që po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Rusi është rrëzuar afër qytetit Aktau në Kazakistan me 67 persona në bord, bënë të ditur autoritetet e Kazakistanit më 25 dhjetor. Rrëzimi i këtij avioni çoi në pezullimin e fluturimeve nga Bakuja për në Çeçeni.
Zëvendëskryeministri i Kazakistanit, Qanat Bozymbaev, deklaroi se 38 persona vdiqën dhe 29 i mbijetuan rrëzimit të avionit. Nga të lënduarit, dy janë fëmijë dhe 11 persona të tjerë janë në gjendje të rëndë.
Shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk është i qartë, teksa ka pasur raportime të pakonfirmuara se shkaktarët mund të kenë qenë mjegulla ose përplasja e një zogu në avion. Si autoritetet në Azerbajxhan, ashtu edhe ato në Kazakistan kanë nisur hetimet për të kuptuar se çfarë çoi deri te kjo tragjedi.
Elmira, e cila pa rrëzimin e avionit, u shpreh se së bashku me kolegët e saj të punës, ishte duke udhëtuar me një autobus afër Aktaus, kur panë avionin të përfshihej nga flakët, teksa tentoi të ndihmonte viktimat pas rrëzimit të avionit.
“Nxituam drejt vendit të ngjarjes, duke larguar njerëzit nga pjesa e bishtit të avionit, që ishte shkëputur nga pjesa tjetër e fluturakes. Hunda e avionit ishte e përfshirë nga zjarri. Ne i shpëtuam pasagjerët që ishin të gjallë në pjesën e pasme të avionit, ata kishin plagë të rënda dhe qanin. Autoambulancat erdhën menjëherë dhe ne ua dorëzuam të plagosurit… Jam e tronditur, nuk mund t’i heq ato pamje nga mendja”, tregoi ajo.
Në aeroportin ndërkombëtar Heydar Aliyev në Baku, familjarët e pasagjerëve të fluturimit J2-8243 u mblodhën në një zonë të caktuar, duke pritur me ankth lajme për fatin e më të dashurve të tyre pasi nuk kishin asnjë informacion rreth tyre.
“E përcolla mikun tim këtë mëngjes në aeroport. Ai po shkonte për punë në Dagestan dhe ishte hera e parë që shkonte atje. Ai nuk dëshironte të bënte këtë udhëtim, por shkoi për shkak të punës”, u shpreh Ismayilov.
Nezaket Bayramova, motra e së cilës, Jamila Bisloyeva, ishte në mesin e pasagjerëve që gjendeshin në bordin e avionit të rrëzuar, i tha agjencisë së lajmeve Turan, se nuk kishte asnjë informacion për të motrën.
“E kemi thirrur qendrën e thirrjeve që është krijuar për familjarët. Na i morën informacionet dhe thanë se do të na njoftonin, por ende nuk kemi asnjë lajm. Nuk dimë asgjë. Nga ajo që kam dëgjuar, një zog goditi avionin. Nuk di asgjë tjetër”, tha ajo.
Në aeroportin në Baku është parë prani e madhe policore, autoambulanca, ekipe të emergjencave si dhe zjarrfikësit që kanë shuar zjarrin.
Azerbaijan Airlines tha se avioni Embraer 190 po fluturonte nga Bakuja për në Grozni, kryeqytetin e Çeçenisë, por u detyrua të bëjë ulje të detyruar rreth 3 kilometra larg nga Aktau.
Një zëdhënës i Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë tha se sipas informacioneve të para, piloti vendosi të ndryshonte rrugën për në Aktau pasi një zog goditi avioni që çoi në “një situatë emergjente në bord”.
Përfshirë anëtarët e ekuipazhit, 42 qytetarë të Azerbajxhanit ishin në avionin e rrëzuar, gjashtë ishin nga Kazakistani, tre nga Kirgizia dhe 16 nga Rusia.
LEXONI GJITHASHTU:
- Aksidenti ajror në Kazakistan, reagon Rama: Ngushëllime për vendet vëllazërore
- Momente dramatike, të mbijetuarit dalin nga avioni i rrëzuar në Kazakistan