Rrëzohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Berisha: Protesta e radhës më 22 mars

12 Mars 2026 | 09:38

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të enjte kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Pas prezantimit të dy raporteve në seancën plenare nga përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës, Ulsi Manja për Partinë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi për opozitën, kërkesa u hodh në votim. Rezultati përfundimtar ishte 82 vota kundër heqjes së imunitetit dhe 47 vota pro, duke rrëzuar kështu kërkesën e SPAK.

Seanca plenare e kësaj të enjteje kishte në fokus pikërisht shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhej në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar. Paralelisht me zhvillimet brenda Parlamentit, opozita kishte paralajmëruar edhe një protestë para godinës së Kuvendit.

Protesta e Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila filloi në orët e paradites, është mbyllur pas përfundimit të fjalës së Berishës. Pjesëmarrësit e protestës nisën të shpërndahen pa incidente. Berisha ka njoftuar protestën e radhës në 22 Mars.

Mbrëmjen e një dite më parë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u kishte dërguar mesazh deputetëve të mazhorancës për të qenë të pranishëm në seancë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në votim.

Gjatë diskutimeve në Kuvend u prezantuan dy qëndrime të kundërta politike. Socialistët argumentuan se Balluku, e cila nuk mban më funksione ekzekutive në qeveri, nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo për arratisje dhe se hetimet nga SPAK mund të vijojnë pa masën e arrestit me burg.

Nga ana tjetër, opozita theksoi se, pavarësisht largimit nga postet ministrore, ekziston rreziku që ajo të ndikojë tek dëshmitarët ose të ndërhyjë në provat e hetimit.

Në rendin e ditës së seancës plenare u përfshinë edhe disa çështje të tjera, mes tyre projektligje për marrëveshje ndërkombëtare dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare. Mes emrave të përfolur për ndryshime janë Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, të cilët pritet të propozohet të angazhohen në komisione të ndryshme parlamentare.

lajmi ne perditesim

13 Updates
11:49

Berisha njofton protestën e radhës kombëtare, zbulon datën

Kryedemokrati Sali Berisha, pas përfundimit të protestës para Kuvendit këtë të enjte, të thirrur për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, u ndal në selinë e PD-së. Berisha, para hyrjes në seli, u ndal përpara saj ku dha një prononcim të shkurtër për mediat.

Berisha ka njoftuar protestën kombëtare të radhës, e cila do të zhvillohet më 22 mars.

🔗 Shpërndaje
11:44

Mbyllet protesta e PD/ Berisha: Rama votoi kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, ne do vazhdojmë betejën

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur nga podiumi ku u organizua protesta e sotme nga opozita. Në fjalën e tij Berisha vuri në dukje faktin që në seancë plenare u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut me 82 vota kundër dhe 47 pro.

Berisha paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë, teksa njoftoi se ajo e radhës do të jetë më datë 22 mars.

Fjala e plotë e tij:

Sot Edi Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik, firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë më të gjitha mjetet nga pushteti i tij krimit. Sot ai nuk votoi për Ballukun, votoi për veten e tij.

Theksoj se është puna juaj, qëndresa juaj, protesta juaj që bëri që sot ai të dalë para shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar.

Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të shqiptarëve kundër tij. Është kushtrim i plotë, të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore deri në largimin e tij nga pushteti.

Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjien e çdo shqiptari që e di këtë vend, të bashkohet për të larguar qeveritarin Edi Rama.

Le të vazhdojmë këtë betejë. Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit, por dosja e tij nuk mbyllet kurrë. Do ta ketë si gur varri. Do fitojmë, do rikthejmë shpresën e madhe Shqipërisë. Iu falënderoj për ardhjen tuaj sot”, përfundoi Berisha.

🔗 Shpërndaje
11:31

PS me 4 mungesa në votimin për imunitetin e Ballukut, kush janë deputetët që i erdhën në ndihmë

Me 82 vota kundër dhe 47 pro Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Nga 83 deputetë që ka PS 4 prej tyre munguan: Belinda Balluku, Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja.

Në ndihmë PS i kanë ardhur edhe 3 deputetët e PSD që kanë votuar kundër kërkesës së SPAK në një linjë me PS.

Deputetët e PD reaguan menjëherë kundër këtij vendimi duke u grumbulluar pranë foltores me pankarta kundër qeverisë.

🔗 Shpërndaje
11:22

Votohet refuzimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Pas prezantimit të raporteve nga PS dhe PD për imunitetin e Belinda Ballukut pas prezantimit nga përfaqësuesit Bylykbashi dhe Manja ka kaluar në votim kërkesa.

Me 82 vota kundër heqjes së imunitetit dhe 47 pro është refuzuar kërkesa për imunitetin e Belinda Ballukut.

🔗 Shpërndaje
11:16

Imuniteti i Ballukut, Manja në Kuvend: Masa personale nuk prodhon asnjë efekt juridik

Anëtari i Këshillit të Mandateve dhe njëkohësisht deputeti i PS-së Ulsi Manja ka prezantuar këtë të enjte raportin për imunitetin e Belinda Ballukut që po shqyrtohet në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë pas kërkesës së SPAK. Manja ka thënë në prezantimin e tij se masa personale nuk prodhon asnjë efekt real juridik.

Ulsi Manja: Raportin tonë e kemi bërë publik. Më lejoni që të shpreh qëndrimin tim lidhur me raportin e pakicës. Kam që nga viti 2013 në këtë Kuvend dhe kjo është kërkesa e shtatë për deputeten Belinda Balluku. Nuk ka në këtë sallë raport më të detajuar me faktet dhe provat të prokurorisë, e cila bie ndesh me rregullat e Kuvendit. Këtë raport nuk e kam dëgjuar nga deputetët e opozitës, as në vitin 2023 ku kishim kërkesën nga Prokuroria e Posaçme për një tjetër deputet.

Në emër të anëtarëve të shumicës në këtë këshill, në momentin që ne e paraqitëm raportin tonë në lidhje me kërkesën e SPAK me dhënien e aturoizimit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive në bazë të ndryshimeve në qeveri, për këtë arsye masa personale nuk prodhon më asnjë efekt juridik real. Kjo nuk do të thotë se paraqitja e këtij raporti para këtij Kuvendi është një procedurë formale. Përkundrazi ajo është një shprehje institucionale e drejtësisë.

🔗 Shpërndaje
10:26

Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi lexon raportin: Kuvendi të japë autorizimin

Anëtari i Këshillit të Mandateve, Oerd Bylykbashi, ka lexuar këtë të enjte në sallën e Kuvendit raportin e hartuar nga PD për kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bylykbashi iu drejtua deputetëve duke kërkuar që të votojnë pro heqjes së imunitetit të deputetes Balluku dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.

“Një nga seancat që do të lërë gjurmë për mënyrën se si Kuvendi garanton të drejtën e shqiptarëve për mirëqeverisje. Sot, në emër të 5 deputetëve anëtarë të Këshillit të Mandateve, do të lexoj një përmbledhje të raportit të opozitës mbi kërkesën e SPAK për rastin Balluku. Kuvendi, më 16 dhjetor, u vu në lëvizje nga SPAK, ku u kërkua dhënia e autorizimit për arrestimin e Ballukut, kërkesë e shoqëruar me provat e plota dhe relacionin përkatës. Kuvendi duhet të japë autorizimin”, tha Bylykbashi.

🔗 Shpërndaje
10:17

Nis seanca për imunitetin e Ballukut, kush janë deputetët socialistë që mungojnë

Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur seanca plenare me rend dite votimi për kërkesën e SPAK lidhur me autorizimin për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.

Në seancë mungojnë deputetë e Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, Blendi Gonxhe, Elisa Spiropali dhe Belinda Balluku.

I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Nga ana e PD, deputeti Oerd Bylykbashit po lexon raportin e PD sipas të cilit SPAK-ut i duhet dhënë autorizimi për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Paralelisht opozita ka paralajmëruar protestë para godinës së Parlamentit.

🔗 Shpërndaje
10:13

Berisha: Do votojmë në unison për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut

Pak para nisjes së seancës plenare në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha ka folur para mediave për synimin e zhvillimit të protestës së sotme nga opozita.

Ai vë në dukje se gjithashtu, opozita do votojë mbi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut.

“Heqja e Edi Ramës është zgjidhja e vetme e kësaj gjendje dhe situate dramatike që përjeton vendi.

Nuk ka sot një kryeministër të poshtëruar para botës si Rama. Po përdor ligjet, Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjen e tij. Po mbyll dyert e Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Sot jemi këtu për të shprehur mendimin e qytetarëve shqiptarë, do votojmë në unison për heqjen  e mandatit dhe arrestimin e Ballukut, por këto nuk janë zgjidhja e krizës. Largimi i Ramës është zgjidhja”, tha Berisha.

🔗 Shpërndaje
09:58

Berisha drejt Parlamentit, shoqërohet nga një numër i madh mbështetësish në protestë

Në nisje të protestës së opozitës e cila u njoftua të nis në orën 10:00, kreu i PD-së Sali Berisha ka mbërritur në Parlament së bashku me mbështetësit dhe organizatorët e protestës së PD-së.

Ndërkohë, për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, Policia e Shtetit ka marrë masa sigurie dhe ka rrethuar perimetrin e Parlamentit me barriera metalike.

🔗 Shpërndaje
09:58

Zbardhet porosia e Ballës pak para nisjes së Kuvendit për deputetët e PS-së: Mos provokoni

Ka nisur këtë të enjte pak përpara seancës parlamentare mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së lidhur me seancën e ditës së sotme. Në mbledhje i pranishëm është dhe Kryeministri Edi Rama. Ajo që është bërë e ditur sipas burimeve të gazetares Eksiola Shehu për Euronews Albania është se porosia e kreut të Grupit parlamentar të PS-së për deputetët ka qenë që mos të provokohet.

🔗 Shpërndaje
09:47

Kordonë kontrolli tek ish-godina e PD, garda kontrolle të imtësimshme deputetëve të opozitës

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku në fokus pritet të jetë votimi për kërkesën e SPAK lidhur me autorizimin për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku. Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa paralelisht opozita ka paralajmëruar protestë para godinës së Parlamentit.

Policia ka marrë masa duke rrethuar Parlamentin ndërkohë që 1500 trupa policore prite të jenë në terren për mbarëvajtjen e sigurisë. Gazetari Eni Ferhati raportoi se një korridor sigurie është vendosur edhe pranë ish-godinës së PD në rrugën që të çon drejt Pedonales. Ka një kontroll të shtuar ndaj deputetëve të opozitës me qëllim për të parandaluar futjen e sendeve që mund të shkaktojnë trazira sic ka ndodhur në të shkuarën kur janë futur flakadanë.

“Ka forca të dislokuara pranë Ministrisë së Brendshme, në ish-Bllok dhe planëzim të shërbimeve edhe në institucione të tjera duke qenë se nuk ka një axhendë nëse protestuesit do qëndrojnë para parlamentit apo do lëvizin”, raportoi gazetari Eni Ferhati.

 

🔗 Shpërndaje
09:30

VIDEOLAJM/ Imuniteti i Ballukut dhe protesta e Opozitës! Mbërrin Rama në Kuvend

Ka mbërritur këtë enjte në Kuvendin e Shqipërisë Kryeministri Edi Rama në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë pak para nisjes së seancës plenare ku do të shqyrtohet dhe imuniteti i Belinda Ballukut. Kryeministri është parë të hyjë në Kuvend me makinën e tij dhe ka hyrë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.

🔗 Shpërndaje
08:37

Protesta e opozitës dhe imuniteti i Ballukut, blindohet Parlamenti! 1500 efektivë policie në gatishmëri

Partia Demokratike ka njoftuar këtë të enjte një protestë përpara Parlamentit, e cila pritet të zhvillohet në orën 10:00, në të njëjtën kohë kur do të nisë edhe seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Pika e parë e rendit të ditës në këtë seancë do të jetë shqyrtimi i raporteve për imunitetin e Ballukut.

Sipas të dhënave nga terreni, rreth 1500 efektivë policie janë vendosur në gatishmëri për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës.

Për shkak të tubimit, Policia e Tiranës ka njoftuar se lëvizja e automjeteve do të jetë e kufizuar nga ora 06:00 deri në përfundim të protestës në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto zona, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit në rrugë alternative.

Policia e Tiranës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme të lëvizjes me automjete, si dhe ka apeluar që të distancohen në rast se përballen me veprime të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama: Bizneset shqiptare duhet të përgatiten për tregun e BE-së, po vjen një transformim i pandalshëm

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, theksoi se qeveria do të mbështesë sipërmarrjet shqiptare...
11:55 | 06/07/2026

Ulsi Manja i kërkoi PD-së të bashkojnë votat për t’i zgjatur mandatin SPAK, reagon Berisha

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Ulsi Manja, pas diskutimeve në javën e...
11:06 | 06/07/2026

Ambasadori Bergner: Protestat janë të mirëpritura kur mbështesin vlerat e Bashkimit Evropian

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner këtë të hënë në një deklaratë për mediat është pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi lidhur...
10:42 | 06/07/2026