Seanca/ Veliaj: U shkel Kushtetuta, Qeveria: Vepruam pas Këshillit Bashkiak

31 Tetor 2025 | 10:04

Prej rreth shtatë orësh, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra dhe për dekretin e Presidentit për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.

Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës Erion Veliaj mbërriti në “Kushtetuese” nga paraburgimi i Durrësit ndërsa seanca publike kishte  si relatore Sonila Bejtjan ku Veliaj u përball me përfaqësuesit e qeverisë dhe Presidencës.

Nga Veliaj u kërkua që Kushtetuesja të pranojë kërkesën e tij, duke argumentuar se shkarkimi nga Këshilli Bashkiak dhe nga Këshilli i Ministrave është i padrejtë.

Më pas, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave kërkuan që të pranohet kërkesa për shkarkimin e Veliajt, me arsyetimin se ai është shkarkuar sipas ligjit, për shkak se qeveria i është bindur Këshillit Bashkiak për ta larguar nga detyra, pasi mungoi në punë për tre muaj, mbështetur në Ligjin për Qeverisjen Vendore.

Ndërkaq, Presidenca theksoi se nuk i takon të trajtojë konfliktin mes Qeverisë dhe Veliajt, por vetëm pjesën e dekretit, i cili është nxjerrë në bazë të procedurave administrative, pasi sipas përfaqësuesve të presidentit, dekreti për zgjedhjet në Tiranë është i bazuar në shkarkimin e bërë nga Këshilli i Ministrave.

Mbetet për t’u parë është se kur do të mblidhet trupa kushtetuese për të dhënë vendimin përfundimtar ndërsa sipas asaj që deklaroi Holta Zaçaj, sot nuk do të ketë vendimmarrje dhe vendimi pritet të merret gjatë javës së ardhshme.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave miratoi me 50 vota pro vendimin për shkarkimin e Veliajt, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili parashikon largimin nga detyra në rast të mungesës për më shumë se tre muaj pa arsye të justifikuar.

Pak ditë më pas, më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, por edhe ky dekret u ankimos nga Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi pezullimin e tij deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes kryesore.

Në ankimimin e paraqitur, Veliaj argumenton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë ligjore për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të ndërmarrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjeve, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thekson se mungesa në detyrë ka ardhur për “arsye objektive”, për shkak të ndalimit të tij me urdhër të SPAK.

Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit, nën akuzën e korrupsionit në nëntë raste. Bashkë me të është vënë nën hetim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Në total, ndaj ish-kryebashkiakut rëndojnë pesë akuza penale, përfshirë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.

17:00-Mbyllet seanca në Kushtetuese për Veliajn, trupa tërhiqet për vendim

Pas marrjes së konkluzioneve të palëve, gjykata është tërhequr për vendim ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se data dhe ora për shpalljen e vendimit do të njoftohet në vijim.

11:49-Veliaj: Më thanë se kam munguar në detyrë,fyerja më e rëndë nga bashkëpunëtorët e mi

Erion Veliaj ka folur në Gjykatën Kushtetuese pas pyetjes së gjyqtares së Kushtetueses, se përse do të donte të ishte në Këshillin Bashkiak.

“E nderuar gjyqtare, Në 10 vite si kryebashkiak ka dy mënyra si thirret këshilli: e thërret kryetari i bashkisë dhe kur e thërret vetë këshilli. Këshilli duhet të ftojë kryetarin. Kur gjykohet kryetari i bashkisë, duhet ta ftojë. Të shohë nga TV i burgut që mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës. Ju korrigjoj, sepse nuk kam marrë asnjë përgjigje nga Këshilli Bashkiak. Ky është fshati që duket. M’u mohua njoftimi, ftesa. A do të kisha fuqi të ndërroja vendimin e tyre? Mendoj se fjala ka peshë. Fyerja më bë nga njerëzit e mi. Efikasiteti që shkoi nga padrejtësia në padrejtësi. Do t’u kujtoja se nesër mund të jenë ata viktimë.”-tha Veliaj.

11:30Veliaj: Më thanë se kam munguar në detyrë, fyerja më e rëndë nga bashkëpunëtorët e mi

Erion Veliaj, kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, ka folur sot në Gjykatën Kushtetuese lidhur me mbrojtjen e tij ndaj shkarkimit.

“Nëse ligji do të përdoret për të vënë në pikëpyetje demokracinë apo jo. Kur pushteti që buron nga vota devijohet, kjo kthehet në tradhti morale. Dhe atëherë, sipas meje, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga brenda.

Ky është fragmenti nga betimi im si kryetar bashkie. Jam këtu për të mbrojtur betimin tim si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Këtë betim do ta mbroj edhe sot, para jush.

Nuk ka asgjë më fisnike sot sesa të mbroj besimin. Më thanë se s’kam qenë në detyrë. Edhe kjo ishte fyerja më e rëndë në jetën time. Është fyerja më e rëndë që më ka ardhur nga bashkëpunëtorët e mi. Lutem çdo ditë për ta dhe them: “Fali, sepse nuk e dinë ç’kanë bërë.” – tha Veliaj.

11:29- “Kjo seancë nuk po shqyrton një vend pune”, Veliaj: Po gjykohen themelet e shtetit

Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj tha në fjalën e vet para trupës së Gjykatës Kushtetuese ku po shqyrtohet ankesa e tij kundër shkarkimit, se qëllimi i tij nuk është të mbrojë karrigen por kushtetutën mbi të cilën është ndërtuar vetë shteti.

“Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime.

Do ta mbroj deri në fund sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij.

Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.

Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti.

Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:

Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës?

Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve.

Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë. Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.

Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht”, tha Veliaj.

09:48- “Forca lali” – Me pranga dhe i buzëqeshur, Veliaj pritet me thirrje në Kushtetuese

Ish-kryebashkiaku zbriti me pranga në duar nga furgoni i policisë, i shoqëruar nga efektivët teksa ka buzëqeshur dhe ka falenderuar një nga të pranishmit me grupin e medias që i ka thirrur: forca lali.

09:29VIDEO/ Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Kushtetuese

Veliaj pritet të jetë i pranishëm në seancën publike me relatore Sonila Bejtjan ku do të përballet me qeverinë dhe Presidencën për shkarkimin e propozuar.

09:18- Shkarkimi i Veliajt, gazetarja tregon kur mund të jepet vendimi nga Kushtetuesja

Gazetarja Enkelejda Mema tregoi se pas seancës së sotme, që pritet të zgjasë 5-6 orë ku të tria palët; Veliaj si palë ankimuese, Presidenca dhe Qeveria do parashtrojnë qëndrimet e tyre, trupa e Gjykatës Kushtetuese sipas kushtetutës ka aafat deeri në 1 muaj të shqyrtojë parashtrimet dhe të dalë me një vendim.

“Do të jetë në varësi të asaj se sa do të zgjasë seanca e sotme. Është e pamundur që trupa gjyqësore të mblidhet për të dhënë edhe vendimmarrjen ditën e sotme. Provat, qëndrimet, parashtrimet e të tria palëve do të duhet të shqyrtohen mes anëtarëve të GJK. Ligji e parashikon të paktën deri në 1 muaj Gjykata Kushtetuese është në drejtën e saj për të dhënë vendimin. Nuk është e thënë që të zgjasë kaq, mund të jetë edhe më e shpejtë pasi diskutohet vetëm një çështje”, tha gazetarja Enkelejda Mema.

 08:33- EMRI/ Kush do të jenë avokatët e Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese

Këtë premte në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet nga relatorja Sonila Bejtja çështja e ankimit të Erion Veliajt në Kushtetuese ndaj vendimit të dekretit të Presidentit Bajram Begaj dhe vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij.

lajmi në përditësim

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me finalizimin e një operacioni të gjerë ndërkombëtar,...
19:24 | 12/06/2026

Rama reagon sërish: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj asaj që në rrjetet sociale po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje proteste kundër projekteve të zhvillimit në...
21:38 | 07/06/2026

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026