Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Ushtria e gatshme për një tranzicion të rregullt
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha trupave të ushtrisë në një mesazh që u bë publik të enjten se Pentagoni është i përkushtuar për një tranzicion të rregullt tek administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe se ushtria nuk do të përfshihej në politikë dhe ishte e gatshme të zbatonte “të gjitha urdhrat e ligjshme”.
Trump u zgjodh president të martën, duke realizuar një rikthim të jashtëzakonshëm katër vjet pasi humbi ndaj Presidentit Joe Biden dhe duke sjellë një udhëheqje të re amerikane që ka të ngjarë të vërë në provë qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike brenda vendit dhe marrëdhëniet jashtë vendit.
Gjatë një interviste muajin e kaluar, Trump u pyet nëse priste “kaos” në ditën e zgjedhjeve dhe ai u duk sikur la të kuptohej se ushtria mund të përdorej kundër qytetarëve që e kundërshtojnë atë.
Në një mesazh për trupat amerikane që u dërgua të mërkurën mbrëma dhe u lëshua publikisht të enjten, Sekretari Austin tha se “ushtria amerikane gjithashtu do të vazhdojë të qëndrojë e shkëputur nga arena politike; të vazhdojë rolin e saj për të mbrojtur republikën tonë me parime dhe profesionalizëm; dhe të qëndrojë në krah të aleatëve dhe partnerëve të çmuar që përforcojnë sigurinë tonë”.
Duke folur me gazetarët më vonë të mërkurën në Miami, Austin tha se besonte se udhëheqësit e lartë të Pentagonit do të vazhdojnë të bëjnë gjënë e duhur.
“Këta udhëheqës të lartë do të qëndrojnë të fokusuar në detyrën tonë që është mbrojtja e këtij vendi, kujdesi për trupat tona, suksesi përmes bashkëpunimit”, tha ai.
Si miqtë, edhe kundërshtarët e Amerikës po presin të shohin nëse mandati i dytë i Trump do të jetë po aq i paparashikueshëm sa katër vitet e tij të para në detyrë.
Kritikët thonë se gjatë administratës së tij 2017-2021 Trump shpërfilli haptazi normat duke kërkuar hapur mbështetjen politike të trupave amerikane, të cilët duhet të jenë besnikë ndaj Kushtetutës së SHBA-së, jo ndaj ndonjë partie apo lëvizjeje politike apo udhëheqësi.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump foli për një përballje me një “armik nga brenda”.
Austin shkroi në mesazhin e tij: “Siç ka bërë gjithmonë, ushtria amerikane do të jetë e gatshme të ndjekë politikat e Komandantit të saj të ardhshëm të Përgjithshëm dhe t’u bindet të gjitha urdhrave të ligjshme nga zinxhiri i civil i komandës.
“Ju jeni ushtria e Shteteve të Bashkuara – forca më e mirë luftarake në botë – dhe do të vazhdoni të mbroni vendin tonë, Kushtetutën tonë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë”, shtoi ai.
LEXONI GJITHASHTU:
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan