Ministri Selimi në Balkan Talks: Futja në minishengen me garanci që Kosova të jetë e pavarur

11 Shtator 2020 | 20:00

Ministri i Drejtësisë së Kosovës Selim Selimi tregoi për Balkan Talks në Euronews Albania rreth marrëveshjes së Uashingtonit, ku ai ishte prezent si përfaqësues i delegacionit të Kosovës.

Një nga pikat e dakordësuara në marrëveshje për Kosovën ishte futja e kësaj të fundit në të ashtuquajturën nismë për mini-Shengen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Franko Egro nëse Kosova hyn në mini-Shengen si shtet i pavarur apo jo, ministri i Drejtësisë për Kosovën tha se me marrëveshjen e 4 shtatorit Kosova i bashkohet kësaj nisme njësoj si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut.

“Pika shkruan specifikisht që Kosova do t’i bashkangjitet mini-Shengenit sikur Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia… pra që e jep garancinë që Kosova të jetë e pavarur, përndryshe nëse nuk do të ishte kështu ne nuk do ta kishim pranuar fare për shkak se pavarësia për ne është e pakontestueshme,” – u shpreh Selimi, i cili shtoi se qeveria Hoti e bëri këtë kompromis pas këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara.

Selimi këmbënguli se partneriteti i Kosovës me SHBA-të nuk duhet shprehur vetëm në momente apo situata të mira, por edhe në ato të vështira, duke nënkuptuar këtu se disa pika të marrëveshjes së Uashingtonit ishin derivat i këtij këndvështrimi për marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë.

Selimi e cilësoi “vit të ekonomisë dhe infrastrukturës” moratoriumin njëvjeçar që i ndalon Kosovës aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ai këmbënguli se sidoqoftë Prishtinës i lejohet që të punojë dhe kërkojë për njohje të tjera të pavarësisë.

I pyetur për ndikimin në marrëdhëniet me Brukselin që mund të ketë vendimi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Selimi nuk dha përgjigje direkte, por tha se “politika e jashtme e Kosovës reflekton nga politika e jashtme e SHBA-ve”, e cila sipas tij “është e pakontestueshme, cilado qoftë administrata drejtuese e saj”.

“Ne jemi bashkë me ta [SHBA-të] në shumë çështje globale, siç janë terrorizmi, rrjeti 5G […] dhe kur SHBA dërgon ambasadën në Jerusalem dhe ne marrim njohjen, atëherë normalisht që është e logjikshme që edhe përfaqësia jonë të jetë aty ku e kanë edhe shtete të cilat kanë partneritet afatgjatë me Izraelin,” – tha Selimi.

Në një deklaratë për shtyp nga ministria e Jashtme e Turqisë, Ankaraja zyrtare dënoi zotimin e Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem, dhe bëri thirrje që udhëheqësit kosovarë ta rishikonin këtë vendim.

Selimi kujtoi marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë, komunitetin turk dhe atë shqiptar që jeton në secilin nga dy vendet përkatëse, por këmbënguli se në këtë pikë flitej për marrëdhënie bilaterale me Izraelin, dhe jo me Turqinë.

“Janë marrëdhëniet tona me Izraelin, janë bilaterale,” – këmbënguli Selimi.

Në vijim të intervistës për Balkan Talks, Ministri i Drejtësisë tha se rruga e vetme e Kosovës është Evropa dhe SHBA-ja, dhe jo siç bën Serbia “me dy karta, nga një anë Rusia, nga ana tjetër Brukseli”.

Ai u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë kundër rikthimit të bisedimeve në një dialog teknik pasi kjo mënyrë e dialogut nuk do të sillte përfitimet e pritshme. Selimi vijoi më tej duke thënë se sa më shpejt të arrihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë po aq më shpejt do të vendoset stabiliteti në rajon.

“Sa më shpejt që Serbia ta pranojë që në këtë dialog është për t’u njohur me shtetin e Kosovës dhe për të ndërtuar fqinjësi të mirë, aq më mirë do të jetë për Serbinë. Ne të vazhdojmë rrugën tonë, sepse njohja e Serbisë është kompromis, do të njohim një agresor, por njohja e ndërsjellë ndihmon paqen dhe fqinjësinë e mirë,” – tha Selimi.

Lexoni gjithashtu:

Ministri Selimi në Balkan Talks: Marrëveshja e Uashingtonit nuk ndan liqenin e Ujmanit

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Koloneli: Pasurimi i uraniumit, pika më e nxehtë, frika e Perëndimit është bomba bërthamore

Kolonel Çlirim Toçi ka deklaruar në emisionin “Balkan Talks” se qëndrimi i Shtetet e Bashkuara të Amerikës për moslejimin e pasurimit të uraniumit nga Irani...
21:44 | 29/05/2026

Kreu i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane zbulon planin e tre kongresmenëve për Kosovën në NATO

Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj ka diksutuar në “Balkan Talks” lidhur me raportet e SHBA-së me Kosovën, kryesisht, nismën e tre kongresmenëve...
20:38 | 16/05/2026

Rezolutë që Kosova të futet në NATO, Turdiu: Hap pozitiv për sigurinë, pengesë mbetet mosnjohja nga 4 vende

Diplomati Gazmend Turdiu ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me një rezolutë të paraqitur në SHBA, e cila mbështet aspiratën e Kosovës për anëtarësim në...
21:44 | 01/05/2026