SHBA-ja do të largohet përsëri nga UNESCO

22 Korrik 2025 | 17:30

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur të martën se do ta braktisin përsëri agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për edukim, shkencë dhe kulturë, për shkak se besojnë se përfshirja e tyre në të nuk është në interesin e tyre kombëtar, dhe se UNESCO-ja mbështet gjuhë kundër Izraelit.

Ky vendim vjen vetëm dy vjet pasi Shtetet e Bashkuara iu ribashkuan UNESCO-s, pas largimit më 2018, gjatë administratës së parë të presidentit Donald Trump, raporton AP.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, ka thënë se tërheqja lidhet me agjendën e perceptuar të UNESCO-s për “mbështetjen e kauzave përçarëse sociale dhe kulturore”.

Ajo ka shtuar, në një komunikatë, se vendimi i UNESCO-s “për ta pranuar ‘Shtetin e Palestinës’ si shtet anëtar është tejet problematik, në kundërshtim me politikën e SHBA-së, dhe se i kontribuon ashpërsimit të retorikës kundër Izraelit brenda organizatës”.

Vendimi do të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit të vitit 2026.

Kjo do të jetë hera e tretë që SHBA-ja do të largohet nga UNESCO-ja, e cila ka selinë në Paris, dhe hera e dytë gjatë një administrate Trump. Ajo iu ribashkua agjencisë për herë të fundit më 2023, nën administratën e Joe Bidenit.

Departamenti Amerikan i Shtetit shkruan:

“Sot, Shtetet e Bashkuara e informuan Drejtoreshën e Përgjithshme Audrey Azoulay për vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga UNESCO. Përfshirja e vazhdueshme në UNESCO nuk është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

UNESCO punon për të çuar përpara kauza përçarëse sociale dhe kulturore dhe mban një fokus të tepruar në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, një axhendë globaliste dhe ideologjike për zhvillimin ndërkombëtar në kundërshtim me politikën tonë të jashtme “Amerika e Para”. Vendimi i UNESCO-s për të pranuar “Shtetin e Palestinës” si Shtet Anëtar është shumë problematik, në kundërshtim me politikën e SHBA-së, dhe kontribuoi në përhapjen e retorikës anti-Izrael brenda organizatës.

Pjesëmarrja e vazhdueshme e SHBA-së në organizatat ndërkombëtare do të përqendrohet në avancimin e interesave amerikane me qartësi dhe bindje.

Sipas Nenit II(6) të Kushtetutës së UNESCO-s, tërheqja e SHBA-së do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2026. Shtetet e Bashkuara do të mbeten anëtare të plota të UNESCO-s deri në atë kohë”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kremlini vlerëson Turqinë për ndërmjetësimin mes Ukrainës dhe Rusisë: Mirënjohës për përpjekjet për paqe

Kremlini tha të enjten se Rusia i është mirënjohëse Turqisë për gatishmërinë e saj për të lehtësuar një zgjidhje për Ukrainën. “Jemi shumë të vetëdijshëm...
13:32 | 16/07/2026

Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes ndez protesta në Ukrainë, qindra qytetar kundër këtij vendimi

Një valë protestash shpërtheu në Ukrainë këtë të enjte, në shenjë proteste kundër shkarkimit të ministrit reformist të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov. Deputetët ukrainas po përgatiten...
13:20 | 16/07/2026

Fitore e madhe për Sanchez dhe Puigdemont në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka vendosur që një amnisti për separatistët katalanas nuk shkel dispozitat themelore të ligjit evropian, duke e sjellë udhëheqësin...
12:17 | 16/07/2026