SHBA-ja thellësisht e shqetësuar nga moscertifikimi i Listës Serbe

23 Dhjetor 2024 | 20:41

Shtetet e Bashkuara janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga moscertifikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kryer nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv për procesin zgjedhor”, është thënë në reagim.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

SHBA-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive që nuk janë të kënaqura me vendimet e KQZ-së, që t’iu drejtohen mekanizmave adekuatë, sikurse Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“KQZ-ja ka rol të rëndësishëm në mbikëqyrje të zgjedhjeve, që të garantojë se ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e saj duhet të jenë thellësisht të bazuara në procedura ligjore dhe jo në shqyrtime politike”, është thënë mes tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane.

Listës Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka quajtur vendimin e KQZ-së si të kundërligjshëm, dhe ka thënë se deklaratën kryesore do ta bëjë kryetari i partisë, Zllatan Ellek, në paraditen e së martës.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026