Kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi tha në Barometri në Euronews Albania se partitë e reja synojnë të krijojë një alternativë të re për opozitën, me qëllim mbledhjen e votës së elektoratit gri.
Shehi u shpreh se nuk bëhet fjalë për marrjen e një mandati, gjë që siç tha mund ta ketë shumë lehtë duke iu bashkuar Berishës, por për një ofertë të re politike.
“Partitë e reja, që mua më pëlqen t’i quaj parti alternative, ne jemi në rrugën për të krijuar një trajektore të re politike për të prodhuar një opozitë që është ndryshe nga kjo sot, për të mbledhur votën gri, që nuk integrohet më brenda opozitës me Berishën apo Metën, kjo është detyra jonë. Nëse kjo punë bëhet për një mandat deputeti, ja ku është Berisha, i afron me shumë dashamirësi me oportunizmin dhe pragmatizmin politik që ka. Unë e kam pasur gjithë jetën këtë ofertë, por nëse duam të bëjmë një kthesë brenda opozitës që të mbledhim atë votë që është atje prej shumë vitesh dhe jam prej atyre që përsëris prej 6 muajsh që të gjejmë një formulë. Iu kam dhënë edhe një këshillë; që nëse nuk ju pëlqejmë ne të vjetrit, puquni ju të rinjtë, bëni një listë të përbashkët se do jetë më e shëndetshme për demokracinë”, tha Shehi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Gazetari Hoxha zbulon: 4 koalicionet e mundshme për zgjedhjet e 11 majit
- PD kërkesë në KQZ për regjistrimin në zgjedhje, zbardhet shkresa