Në të gjitha qytet kryesore të vendit u mbajtën këtë të diel meshat e përshpirtjes për Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, shërbesat u kryesuan nga Mitropoliti i Korçës dhe njëkohësisht Mbikëqyrës i Kryepiskopatës, Hirësi Joani; i Beratit, Hirësi Asti; i Amantias, Hirësi Nathanaili, dhe klerikë të kryepiskopatës ku u lutën me zemër për prehjen e shpirtit të Kryepiskopit të dashur Anastas Janullatos.
Besimtarët ortodoksë në Kishën e Shën Kollit të Elbasanit ndezën qirinj mes lotëve dhe u lutën për shpirtin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos. Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Atë Andoni, u shpreh se Kryepeshkopi Anastas do të mbetet në zemrat e të gjithë besimtarëve ortodoksë për gjithçka ai bëri për Kishën Ortodokse Shqiptare.
“Jeta dhe vepra e tij janë të paharrueshme për të gjithë besimtarët ortodoksë të Elbasanit, Shpatit, Librazhdit, gjithë Shqipërisë dhe mbarë botës”.
Kisha e Shën Kollit në lagjen Shënkoll të qytetit të Elbasanit është një nga objektet më të rëndësishme fetare dhe kulturore të kësaj zone.
Ajo është ndërtuar në vitin 1996 dhe është një simbol i ringjalljes së besimit dhe i traditës ortodokse pas përmbysjes së komunizmit, pasi më herët kishat dhe objektet fetare ishin të mbyllura dhe të ndaluara. Fondet për ndërtimin e kësaj kishe u mundësuan nga Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili gjatë gjithë kohës ka luajtur një rol të rëndësishëm në rikthimin e jetës fetare dhe restaurimin e kishave në Shqipëri pas vitit 1990.
Gjithashtu është mbajtur një shërbesë e përshpirtjes për Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin e Shqipërisë Anastas Janullatos dhe në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Korçë.
Këtë të dielë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri, drejtoi meshën e përshpirtjes për ndarjen nga jeta të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit. Besimtarët ndezën qirinj dhe u bashkuan në lutje për shpirtin e Kryepiskopit.
Në kishën e Shën Gjergjit në Fier, dhjetra besimtarë morën pjesë në meshën e të dielës, e cila u shndërrua gjithashtu në një homazh për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Messa tradicionale e kësaj të diele u udhëhoq nga At Dhimitri dhe u shoqërua me lutje për shpirtin e Kryepeshkopit, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë. Besimtarët iu drejtuan kishës që nga ora 7:00 e mëngjesit dhe iu bashkuan lutjeve deri në orën 10:00, kur u mbajt dhe shërbesa përkujtimore për Kryepeshkopin.
Në fjalën e tij, At Dhimitri vlerësoi veprën e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ringritjen e shumë kishave dhe manastireve në mbarë Shqipërinë, përfshirë edhe kishën e Shën Gjergjit, ku vetë hodhi gurin e themelit më 7 janar të vitit 1998.
Besimtarët ortodoksë të Beratit e mbushën Katedralen e Shën Dhimitrit në mëngjesin e sotëm për të nderuar kujtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë në një spital të Athinës pas një sëmundje të rëndë. Mesha, e drejtuar nga At Johan Qako, u shoqërua me lutje për shpirtin e tij dhe me nderimin e madh që besimtarët shprehnin për rolin e tij në ndërtimin katsdrales Shën Dhimitri.
Në Kishën Orthodhokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, në Durrës u mbajt mesha e të dielës ndërsa besimtarët ndezën qirinj dhe u lutën përpara portretit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos i cili u nda nga jeta më 25 janar 2025.
LEXONI GJITHASHTU:
- Greqia nderon Kryepeshkopin me shërbesë liturgjie hyjnore, merr pjesë dhe Mitsotakis
- Berisha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos