Si refuzimi i dhënies së mineralve të rralla e futi Zelensky-n në një luftë me Trump

21 Shkurt 2025 | 09:39

Tensionet e ditëve të fundit mes Kievit dhe Uashingtonit duket se janë shkaktuar nga refuzimi që presidenti Zelensky i bëri marrëveshjes së propozuar nga Trump për t’i dhënë mineralet e rralla të Ukrainës SHBA-së, në këmbim të ndihmës ekonomike për luftën.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, deklaroi se Zelensky duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të negociojë një marrëveshje që do t’i siguronte SHBA-së qasje në këto burime të rëndësishme. Propozimi amerikan u bë në kuadër të ndihmës që SHBA i ka ofruar Ukrainës gjatë luftës me Rusinë.

Komentet e Waltz erdhën pas një takimi mes Zelensky dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Keith Kellogg, në Kiev. Megjithëse takimi u cilësua si “produktiv” nga Zelensky, tensionet mbetën të dukshme, veçanërisht pas anulimit të papritur të një konference për shtyp të Kellogg.

Sipas burimeve ukrainase, vendimi për anulimin e konferencës është marrë nga Shtëpia e Bardhë, duke nxitur spekulime mbi divergjencat e brendshme në administratën amerikane mbi qasjen ndaj Ukrainës.

Ukraina është një vend me pasuri të mëdha minerale, përfshirë litiumin, titanin dhe uraniumin, të cilat kanë një rëndësi strategjike për industrinë globale. Ëaltz sugjeroi që SHBA të marrë qasje në këto burime si një formë kompensimi për ndihmën e dhënë gjatë luftës, një propozim që Zelensky e hodhi poshtë duke deklaruar: “Unë nuk mund ta shes vendin tim.”

Në një postim në platformën X, presidenti ukrainas theksoi se ai dhe Kellogg kishin diskutuar në detaje mbi situatën në fushën e betejës dhe nevojën për garanci efektive të sigurisë. Ai shtoi se Ukraina është e gatshme për një marrëveshje të fortë sigurie me SHBA.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit janë intensifikuar edhe më tej pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi Zelenskyn si një “diktator pa zgjedhje” dhe e fajësoi për fillimin e pushtimit rus. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të ashpra nga lideri ukrainas, i cili akuzoi Trump për përhapje të dezinformatave të orkestruara nga Moska.

Ndërkohë, administrata e Trump ka nisur bisedime të drejtpërdrejta me Moskën për t’i dhënë fund konfliktit, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, pas një takimi në Arabinë Saudite me zyrtarë rusë, deklaroi se palët kanë rënë dakord për hapat e parë drejt negociatave.

Fakti që SHBA dhe Rusia po diskutojnë për zgjidhjen e konfliktit pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kievit ka ngritur shqetësime serioze në Ukrainë. Ndërsa Uashingtoni dhe Moska duket se po avancojnë drejt një marrëveshjeje, Kievi është lënë jashtë këtyre negociatave, një situatë që mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se “askush nuk është lënë jashtë tryezës së negociatave”, megjithëse Ukraina duket qartë se është lënë jashtë tryezës së bisedimeve.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Mendova se do të vdisja’ – Venezuelianët përshkruajnë panikun e tërmetit, familjet ende kërkojnë të mbijetuarit

Mbi 160 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën në mbrëmje, duke...
16:04 | 25/06/2026

Rusia sërish kundër Evropës, Zakharova: Vendet evropiane po pengojnë arritjen e paqes në Ukrainë

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se vendet evropiane po kontribuojnë në vazhdimin e konfliktit në Ukrainë përmes ndihmës së tyre...
15:50 | 25/06/2026

Rubio: Vendet e Gjirit kundër tarifave në Hormuz

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të enjten në Bahrein se vendet e Gjirit nuk mbështesin vendosjen e asnjë takse apo tarife për...
15:43 | 25/06/2026