Është zhvilluar këtë të shtunë një manifestim në shenjë solidariteti për Ukrainën, e cila shënon sot dy vite të qendresës së saj kundrejt agresionit rus.
Në këtë aktivitet ka mbajtur fjalën e saj edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali e cila deklaroi se bota sot po njeh një luftë të re të paprecedentë.
Ajo theksoi se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i është bashkuar vullnetit për të vendosur sanksione ndaj agresionit dhe ka ngritur zërin edhe në Këshillin e Sigurisë.
“Tre dekada pas rënies së komunizmit, shpërbërjes së dhunshme të ish-Bashkimit Sovjetik, një tjetër perde e hekurt ka ndarë rishtaz Europën. Kësaj here në Ukrainë, aty ku Rusia ka shpërthyer një luftë të re, të padrejtë dhe totalisht mizore.
Perdja e re e hekurt është aty, pasi fantazia dhe tmerri i luftës është real. Vdekja vjen për një faj të vetëm, viktimat i përkasin një kombi tjetër, që ka vendosur të jetojë në një mënyrë tjetër, duke parë nga perëndimi dhe me shpinë nga e shkuara.
Ne e njohim këtë sakrificë të Ukrainës dhe i përulemi asaj. Është e vështirë që të kuptohet drama dhe tragjedia që po ndodh aty”, tha Spiropali.
LEXONI GJITHASHTU:
- “VMRO-DPMNE nuk preferohen nga Perëndimi”, Sinani: Shkak lidhjet ruse dhe serbe
- Osmani: Ne i qëndrojmë përkrah Ukrainës, liria do të triumfojë