Sot dita e 24-të e protestave në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
Kjo e martë shënon ditën e 24-të të protestave në Tiranë, ku qytetarët, si çdo ditë, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan në bulevard, duke u pozicionuar përpara godinës së Kryeministrisë.
Protesta nisi me dy përplasje të vogla verbale, ku një zonjë në sheshin “Skënderbej” dhe një zotëri para godinës së Kryeministrisë kishin disa pikëpamje të ndryshme me organizatorët e protestës, ndërsa u vu re një numër më i vogël pjesëmarrësish krahasuar me ditët e mëparshme.
Kujtojmë se në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, ku kryesoret ishin dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve
Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë.
Në deklaratën publike drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve, ai renditi një sërë kërkesash, duke theksuar se protesta është paqësore dhe mbarëpopullore dhe kërkon:
“1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj.
3. Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që sipas tij ka marrë peng vendin që prej vitit 2008.
4. Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike, pasi sipas deklaruesit, përmes tij financohen nga paraja e krimit dhe drogës.
5. Kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Po ashtu, ai rikujtoi edhe kërkesat e mëparshme, si anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paktit të Maleve” dhe statusit të investitorit strategjik.
Sipas tij, këto përbëjnë “kontratën e re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, ndërsa theksoi se çdo veprim i mëtejshëm do të vendoset pas diskutimeve me qytetarët, duke nënvizuar vijimin e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në përmbushjen e kërkesave.
Dita e 24-t e protestave në Tiranë, protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë
Ka nisur edhe këtë të martë, në ditën e 24-t të protestave, marshimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Me thirrjet “qeveria e krimit”, “Rama në burg Berisha në burg”, “Edi Rama pritet popullin se po vjen” dhe “Shqipëri e re”, protestuesit kanë vijuar marshimin në bulevard dhe janë ndalur përpara godinës së Kryeministrisë.
Letër e hapur Ramës, Koçeku: Shqiptarët nuk frymëzohen më nga politika e vjetër
Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke publikuar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama. Në mesazhin e saj, ajo shpreh mbështetje për protestuesit, kritikon qeverinë për mungesë dialogu me qytetarët dhe i bën thirrje kreut të qeverisë të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, duke e konsideruar dorëheqjen si një akt në shërbim të së mirës së përbashkët.
Berisha komenton deklaratat e Ramës në Financial Times: Urrejtje ndaj shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për “Financial Times”, duke e cilësuar si një gjuhe të papranueshme në një media ndërkombëtare. Duke folur për gazetarët, Berisha theksoi se dënon sharjet e pakualifikueshme që Rama ka përdorur ndaj shqiptarëve gjatë intervistës. Sipas tij, reagimi i Ramës ka qenë “shokues” për gazetaren dhe publikun ndërkombëtar të pranishëm në intervistë.
“Së dyti, përsëri përshëndes dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët në kushte të jashtëzakonshme të një vape të paparë, mbushën përsëri dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës gjer në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të narkodiktatorit. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, i madh dhe i vogël, t’i bashkohen kësaj proteste në çdo kohë dhe në çdo rast. Kësaj proteste madhështore që mbjell shpresë në çdo zemër shqiptare. I bëj thirrje diasporës të mbetet si gjer sot, e angazhuar në këtë mision të madh të shpëtimit të Shqipërisë nga një regjim që në shumë aspekte e ka dëmtuar në ekzistencën e vet kombin shqiptar më shumë se çdo regjim tjetër para tij.
Dënoj me forcën më të madhe sharjet e pakualifikueshme që Edi Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. U garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Edi Rama ka përdorur në Financial Times ndaj shqiptarëve. Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, shumë më keq se padrino i Shqipërisë.
Edi Rama konsideron Shqipërinë një sulltanat të kohërave të shkuara, në të cilin vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë. Edhe prapa diellit të shkojë, shkon si një hajdut i pashoq i kombit të tij. Shkon si njeriu që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Shkoi si një tradhtari i një kombi që bëri gjithçka, kreu gjenocid të kalkuluar ndaj tij për t’i përzënë shqiptarët nga Shqipëria, një armik i egër i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në botë,” tha Berisha.
Rama poston foton e protestuesit: Hoxha nuk duhet të bëjë punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin e tij social “Facebook” teksa ka publikuar një foto të një protestuesi. Rama ka ngritur pyetjen se në llogari të kujt një hoxhë është futur në protestë teksa shtoi se ai e ka vendin në xhami e të drejtojë lutje.
Ai shkruan hoxha duhet të predikojë të vërtetën dhe të mos fshehë dijen. Sipas tij hoxha nuk duhet të bëjë punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve.
“Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove. Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿
Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën.
Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit…”, shkruan Rama.
Unioni i Sindikatave protestë para Ministrisë së Financave, paraqet 5 kërkesat kryesore
Unioni i Sindikatave zhvilloi këtë të martë një protestë para Ministrisë së Financave, në vijim të aksioneve protestuese që prej 24 ditësh po mbahen para Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, përfaqësues të sindikatave dhe protestuesit ngritën shqetësimet e tyre lidhur me kushtet e punës, nivelin e pagave dhe largimin e profesionistëve nga vendi. Ata kërkuan ndërhyrje konkrete nga institucionet për të përmirësuar situatën e punonjësve në sektorë të ndryshëm.
Në fjalën e tyre, protestuesit theksuan pesë kërkesat kryesore që, sipas tyre, duhet të jenë prioritet i politikave qeveritare.
Kërkesat e Unionit të Sindikatave janë:
- Më shumë investime në shërbimet publike;
- Paga të drejta dhe kushte dinjitoze pune;
- Mbrojtja e vendeve të punës dhe e të drejtave sindikale;
- Ndalimi i largimit të profesionistëve nga vendi;
- Një tranzicion dixhital i drejtë që respekton të drejtat e punonjësve.
Lexoi 5 kërkesat e protestuesve, Rama për Dritan Goxhajn: Manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman
Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka dalë me një reagim tjetër në rrjetet sociale. Reagimi i tij ka ardhur lidhur me ish-luftëtarin e UÇK-së dhe përfaqësuesin e grupit koordinues të protestës, Dritan Goxhaj, i cili lexoi 5 kërkesat kryesore të qytetarëve që vijojnë marshimin e tyre prej 22 ditësh.
Rama në postimin e tij e ka cilësuar Goxhajn një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman teksa shtoi se ai nuk e hedh një pikë balte mbi flamurin e UÇK-së. Ai gjithashtu ka publikuar një dokument të vitit 1999, ku sipas saj Goxhaj kishte deklaruar: S’më ka marrë koka erë si im atë që të luftoj në Kosovë.
“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!
Ndërsa këto janë fjalët e mia:
Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkruan Rama.
Rama bëri thirrje me foton e tij, qytetari i përgjigjet Kryeministrit
Qytetari Erlis Sina ka reaguar këtë të martë ndaj një statusi të publikuar më herët nga Kryeministri Edi Rama, në të cilin, sipas tij, është përdorur fotografia e tij në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë dhe që ka hyrë në ditën e 24-t.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sina thekson se nuk pranon të identifikohet me figurën e kryeministrit dhe e akuzon këtë të fundit si përgjegjës për problematikat që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të protestojnë.
“Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti. Nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve”, shkruan Sina në reagimin e tij.
Ai vijon me kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisjes, duke e cilësuar kryeministrin si “autor të emigrimit të mijëra të rinjve”, të padrejtësive dhe të arrogancës së pushtetit.
Në reagimin e tij, Sina ndalet edhe te protesta qytetare në kryeqytet, duke argumentuar se pjesëmarrësit nuk dalin në shesh si rezultat i ndikimit të algoritmeve, influencuesve apo forcave politike, por për shkak të problemeve të përditshme me të cilat përballen.
“Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë”, shprehet ai.
Sina shkon më tej duke deklaruar se qytetarët protestojnë për shkak të vështirësive ekonomike, shërbimeve publike dhe largimit të të rinjve nga vendi, ndërsa akuzon kryeministrin se po përpiqet të minimizojë arsyet e revoltës qytetare.
Në fund të mesazhit, ai i kërkon Ramës të mos përdorë fotografinë e tij për të justifikuar apo mbuluar, sipas tij, dështimet e qeverisjes.
“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Unë nuk jam ti”, përfundon reagimin e tij.
Reagimi i Sinës vjen pasi më herët gjatë së martës, Kryeministri Edi Rama publikoi një mesazh të gjatë drejtuar protestuesve të tubimit që po zhvillohet në Tiranë prej 24 ditësh, ku përdori edhe fotografinë e qytetarit.
Në mesazhin e tij, Rama deklaroi se nuk i sheh protestuesit si humbës, por si qytetarë që kanë mbetur besnikë ndaj bindjeve dhe shqetësimeve të tyre. Kryeministri tha se shumë prej tyre mund të jenë të nxitur nga probleme reale që lidhen me ekonominë, pronën, mjedisin, shëndetësinë apo padrejtësitë sociale.
Njëkohësisht, kreu i qeverisë argumentoi se zemërimi i qytetarëve shpesh shfrytëzohet nga aktorë politikë, komentatorë, influencerë dhe mekanizma të rrjeteve sociale për interesa të ndryshme, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë që hallet e tyre të përdoren nga të tjerët.
Pikërisht ndaj këtyre qëndrimeve dhe përdorimit të fotografisë së tij në postimin e kryeministrit, Erlis Sina publikoi kundërpërgjigjen, duke theksuar se është “thjesht një qytetar” dhe se pjesëmarrja e tij në protestë buron nga bindjet dhe përvoja e tij personale, jo nga ndikimi i faktorëve politikë apo mediatikë.
Kuvendi mbyll punimet të enjten, PD kërkon seancë plenare për mocion me debat mbi protestat
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin me urgjencë të një mocioni me debat në seancë plenare, duke argumentuar se protestat e vazhdueshme qytetare dhe çështjet që lidhen me transparencën e qeverisë kërkojnë një diskutim të menjëhershëm në Parlament.
Kërkesa, e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, vjen në prag të mbylljes së punimeve të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, e parashikuar të zhvillohet të enjten.
Demokratët argumentojnë se kërkesat e ngritura nga protestuesit në tubimet e fundit qytetare përbëjnë çështje me interes të lartë publik dhe duhet të marrin përgjigje institucionale përmes debatit parlamentar.
Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, protestuesit kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të njohur si “Paketa e Maleve”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
PD thekson se këto janë çështje që opozita i ka ngritur prej kohësh në Kuvend dhe për të cilat ka depozituar edhe nisma ligjore konkrete për shfuqizimin e akteve përkatëse.
Në kërkesën drejtuar Konferencës së Kryetarëve dhe drejtuesve të Kuvendit, demokratët nënvizojnë se debati parlamentar është i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie përballë shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.
Po ashtu, Partia Demokratike rikujton se më herët ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat edhe mbi raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar se gjetjet dhe rekomandimet e raportit meritojnë një diskutim të posaçëm në Kuvend.
Rama për Financial Times: Nuk jam “Godfather-i” i Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Financial Times lidhur me protestave kundër korrupsionit dhe transparencës, siç flitet nga protestuesit, mbi resortin luksoz të lidhur me dhëndrin e Trump.
Kryeministri Edi Rama ka mohuar të jetë “Kumbari” i Shqipërisë pas javëve të protestave kundër korrupsionit të nxitura nga zhvillimi i një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump. I ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove” u ndez nga zemërimi publik mbi projektin e planifikuar prej 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një ishull dhe pranë një rezervati natyror të njohur për flamingot e tij. Protestuesit i kanë bërë thirrje Ramës të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht për atë që ata e perceptojnë si korrupsion sistemik që i lejon investitorët ndërkombëtarë të ndërtojnë në tokë të mbrojtur.
“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them shkoni në djall. Aq thjeshtë,” tha ai.
“Nuk më takon mua të vërtetoj se nuk jam Kumbari, i takon atyre të vërtetojnë se jam Kumbari”.
Prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se një duzinë biznesmenësh për trafik droge dhe pastrim parash, përfshirë një që kishte pasur më parë në pronësi tokë në zonën që do të zhvillohet nga Kushner dhe gruaja e tij, Ivanka Trump. Një zëdhënës i Kushner dhe partnerëve të tij të tjerë në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama këmbënguli se investimet e Kushner ishin të rregullta dhe nuk kishte asnjë lidhje me hetimin në vazhdim ndaj një pronari të mëparshëm të tokës.
“Të thuash se ekonomia shqiptare është bazuar në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme,” tha Rama për FT në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.
“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem aq i madh,” shtoi ai.
“Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në pjesë të madhe pastrim parash? Jo”.
Prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit kanë lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë që ata thanë se ishin të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Dyshohet se miliarda euro janë kanalizuar në projekte të mëdha ndërtimi përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe në kryeqytetin shqiptar.
Midis biznesmenëve të shënjestruar është Artur Shehu, një shtetas i dyfishtë SHBA-Shqipëri që jeton në Miami. Shehu në vitin 2025 i shiti tokë pranë rezervatit natyror ku folezojnë flamingot kompanisë “Albania Land Development”, një kompani e lidhur me projektin Kushner. Kjo marrëveshje ra nën vëzhgimin e prokurorëve kundër korrupsionit, të cilët ngrinë 128 milionë euro pagesa në pritje të hetimit. Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama argumentoi se qeveria e tij i lejoi prokurorët të ndiqnin çështjet në mënyrë më agresive, gjë që rriti gjithashtu perceptimin se vendi ishte i mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.
“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte”.
Ai përsëriti akuzat se protestat ishin nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin. “Ka shumë interes për ta vrarë këtë projekt… për shkak të Trump,” tha ai.
“Nëse nuk do të ishte Jared Kushner… askujt nuk do t’i bëhej vonë për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja kundër Trump që krijon gjithë këtë shqyrtim”.
Ai tha se ishte i bindur se planet e zhvillimit bregdetar do të ecnin përpara pavarësisht protestave.
“Pjesa e rëndësishme është se investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash,” tha Rama.
“Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë”.
Rama thirrje protestuesve: Unë jam miku, jo armiku yt
Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të marte lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë dhe që ka hyrë në ditën e saj të 24-t.
Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu drejtua protestuesve me një mesazh reflektues, duke deklaruar se nuk i sheh ata si humbës të një proteste, por si qytetarë që kanë mbetur besnikë ndaj bindjeve të tyre dhe shqetësimeve që mbartin.
“Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij”, shkruan Rama në nisje të mesazhit, duke theksuar se shumë prej pjesëmarrësve mund të jenë motivuar nga shqetësime reale për mjedisin, ekonominë, pronën, shëndetësinë apo padrejtësitë sociale.
Kryeministri shprehet se e kupton zemërimin e qytetarëve dhe problemet me të cilat përballen, duke u ndalur te rastet e punëdhënësve që shkelin të drejtat e punonjësve, burokracia shtetërore apo vështirësitë ekonomike dhe sociale.
Në reagimin e tij, Rama akuzon figura politike, komentatorë, influencerë dhe aktorë të tjerë publikë se kanë përdorur protestuesit për interesat e tyre, duke i nxitur dhe më pas duke i lënë të vetëm.
Sipas tij, ata që e paraqitën protestën si një revoltë popullore kundër qeverisë, sot nuk ndodhen më pranë protestuesve, ndërsa përfitimet e tyre politike, mediatike apo personale mbeten të paprekura.
Kreu i qeverisë kritikon gjithashtu atë që e quan ndikim të algoritmeve të rrjeteve sociale, profileve të rreme dhe fushatave digjitale, duke argumentuar se zemërimi publik shpesh përdoret për të krijuar perceptime të rreme dhe për të manipuluar opinionin.
Në një pjesë të mesazhit, Rama ndalet edhe te përgjegjësitë brenda administratës shtetërore, duke pranuar se ka raste kur zyrtarë apo vartës të institucioneve shpërdorojnë besimin, sillen keq me qytetarët apo kërkojnë favore dhe përfitime të paligjshme.
“Shpesh më ndodh edhe mua të kem zgjime të zbrazëta me të njëjtën shije”, shkruan ai, duke bërë një paralelizëm mes ndjenjës së zhgënjimit të protestuesve dhe përvojave të tij në drejtimin e qeverisë.
Në fund të mesazhit, kryeministri i bën thirrje protestuesve të mos lejojnë që shqetësimet dhe hallet e tyre të përdoren nga të tjerët për interesa politike apo personale.
Ai shprehet se është i gatshëm të dëgjojë kritikat e tyre dhe se respekton të drejtën e çdo qytetari për ta konsideruar kundërshtar politik.
“Pyete vetë veten nëse armiku yt jam unë”, shkruan Rama, ndërsa e mbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar protestuesve: “Unë jam miku, jo armiku yt”.
Reagimi i kryeministrit vjen në ditën e 24-t të protestës në Tiranë, e cila ka vijuar me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe debate të forta politike mbi kërkesat dhe qëllimet e saj.
Dita e 24-t e protestave në Tiranë, protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë
Mungesa e rojave bregdetare vë në pikëpyetje sigurinë në plazhet e Durrësit
Skafi pësoi defekt në ujë, Policia Kufitare shpëton turistin në Velipojë
- 19:53 Dita e 24-t e protestave në Tiranë, protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë
- 19:51 Tregu i punës në 2025, papunësia zbret në 8.4%, paga mesatare 84 mijë lekë
- 19:25 Sekretari amerikan i Shtetit: SHBA do të negociojë drejtpërdrejt me Libanin, jo përmes Izraelit
- 19:17 Perceptimi i biznesit për korrupsionin arrin nivelin më të lartë historik në Indeksin e AmCham
- 19:16 Organizata Detare: Nis evakuimi i mbi 11 mijë detarëve të bllokuar në Gjirin Persik
- 19:15 Mungesa e rojave bregdetare vë në pikëpyetje sigurinë në plazhet e Durrësit