Sot dita e 26-të e protestës në Tiranë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit dhe ulen para Parlamentit

25 Qershor 2026 | 19:14

Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të enjte u zhvillua protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e 26-të të saj, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.

Në orën 19:30, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku mbajtën dhe fjalimet e përnatshme. Pas tubimit, protesta vijoi me marshime në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës ndërsa protestuesit u ulën dhe para parlamentit.

Pak ditë më parë, organizatorët bënë publike kërkesat e tyre kryesore, mes të cilave përfshihen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

14 Updates
22:26

Gazetarja: Rama përballë “fëmijëve politikë” të tij, kërkojnë zgjidhje për problemet e krijuara nën qeverisjen e tij

Duke folur për protestat e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, gazetarja Mirela Milori u shpreh se problematikat e ngritura në shesh po përpiqen të zbehen nga kryeministri, ndërsa sipas saj ato lidhen me shqetësime të krijuara gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste.

Ajo tha se në protestë janë kryesisht përfaqësues të gjeneratës Z, të cilët, sipas saj, kur kryeministri Edi Rama ka ardhur në pushtet kanë qenë fëmijë dhe sot janë në moshë 20–30 vjeç.

Milori u shpreh se kërkesat dhe pakënaqësitë e shprehura në protestë lidhen drejtpërdrejt me qeverisjen aktuale, duke theksuar se përgjegjësia politike, sipas saj, bie mbi kryeministrin Edi Rama.

“Në protestë janë Gjenerata Z, të cilët kur Edi Rama ka ardhur në pushtet kanë qenë nga 5 deri në 15 vjeç, ndërsa sot janë 20 deri në 30 vjeç. Këta kanë përballë Edi Ramën politikisht, sepse janë fëmijët politikë të Edi Ramës, janë rritur nën pushtetin e tij dhe atij do t’i kërkojnë llogari: Edi Rama, kryeministër, 1-2-3-4, atij do t’i kërkojnë llogari, sepse nuk kanë punë me Berishën. Prandaj, këto të vërteta që po thuhen hapur nuk mbulohen dot as me Iranin, as me Greqinë që do të na minojë turizmin, as me Dritan Goxhajn, sepse nuk kanë asnjë peshë. Tani po hidhen versione të ndryshme, por të vërtetat që po thuhen hapur në këtë bulevard nuk zhduken dot. Ose do të shihen hapur këto të vërteta, sepse këta kanë një problem dhe kjo prapavijë e dyshimtë arrin t’i ngrejë ata njerëz në shesh. Kjo është prapë një autogol për Ramën dhe Berishën, sepse nuk i mbushin sheshet jo 26 ditë rresht, por as dy ditë rresht. Njerëzit që duan ta shohin thelbin duhet të ulen dhe të lënë emocionet mënjanë. Këta njerëz kanë probleme reale: kadastra, pallate pa hipotekë, shtëpi të blera me kursime dhe pa dokumente. Ka një sërë problematikash që janë krijuar në 14 vite dhe nuk zhbëhen duke thënë “jo Irani” apo “prapavija”, por duke u ulur për të folur dhe për t’i rregulluar.

Shiko në:
🔗 Shpërndaje
22:17

“5 kërkesat nuk mjaftojnë për Shqipërinë e Re”, Manjani: Nuk është zgjidhje, jep dorëheqjen ti të vij unë

Juristi Ylli Manjani ka shprehur skepticizëm ndaj pesë kërkesave të artikuluara nga organizatorët e protestës që po zhvillohet prej 26 ditësh në Tiranë, duke argumentuar se ato nuk janë të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin e thellë që pretendohet.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Manjani deklaroi se transformimi i vendit nuk mund të arrihet thjesht duke zëvendësuar figura politike me persona jopolitikë.

“Pesë kërkesat nuk mjaftojnë për atë Shqipëri të Re që kërkojnë këta. Shqipëria e Re kërkon një transformim total. Nuk mjafton të thuash: ‘Jep dorëheqjen ti, të vij unë’”, u shpreh Manjani.

Juristi komentoi edhe qasjen revolucionare të disa grupeve protestuese, duke paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, sjell një revolucion i bazuar te kaosi.

“Kur del një revolucion, qoftë i gjeneratës Z apo i këtyre ‘kalamajve politikë’ të Edi Ramës, ata janë më ekstremë se Edi Rama. Na e bëjnë Edi Ramën lule. Është më mirë të punosh me sistemin në fund të ditës sesa në rrugë”, tha ai.

Sipas Manjanit, ndryshimet duhet të vijnë përmes institucioneve dhe jo përmes kaosit, duke e cilësuar revolucionin institucional si alternativën më të sigurt për zhvillimin e vendit.

“Revolucioni i kaosit është më i rrezikshëm se revolucioni i institucioneve”, deklaroi ai.

🔗 Shpërndaje
22:07

“PD të mos flasë në emër të protestës”, Malaj: Partitë politike janë të fundit që duhet të flasin

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se asnjë forcë politike nuk duhet të pretendojë përfaqësimin e saj.

I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Malaj u shpreh se Partia Demokratike nuk duhet të flasë në emër të protestuesve, pasi në tubim janë të pranishme edhe forca të tjera politike të opozitës, si dhe qytetarë pa përkatësi partiake.

“Nuk mundet që një parti politike të flasë në emër të protestës, duke qenë se aty kam parë të gjitha partitë e opozitës”, deklaroi deputeti socialist.

Sipas tij, protesta duhet të mbetet zëri i qytetarëve dhe jo i partive politike.

“Këtu bëhet fjalë për një protestë ku partitë politike duhet të jenë të fundit që duhet të flasin në emër të saj. Nuk u bëjnë nder as qytetarëve që janë aty pa një bindje politike”, u shpreh Malaj.

🔗 Shpërndaje
21:57

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në një lidhje live për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, teksa komentoi pretendimet për ndërhyrje apo influenca të ndryshme brenda protestës.

Goci tha se protestuesit që dalin hapur dhe identifikohen publikisht nuk mund të konsiderohen agjentë, pasi sipas tij natyra e veprimtarisë agjenturore është të operojë fshehurazi. Ai theksoi se mijëra qytetarë po marrin pjesë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe më shumë demokraci, liri dhe respektim të të drejtave qytetare.

Duke iu referuar debatit të ngritur pas shpalljes “non grata” të Ikballe Hudutit, Goci deklaroi se verifikimi i çdo dyshimi për ndërhyrje të agjenturave apo grupeve të caktuara në protestë mbetet detyrë e institucioneve shtetërore dhe jo e debatit në rrjetet sociale.

“Ka institucione të posaçme që merren me këto çështje dhe është detyrë e tyre të bëjnë verifikimet e nevojshme. Protesta është një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë dhe qytetarët që marrin pjesë në të dalin hapur, me identitetin e tyre. Unë nuk do të merrja pjesë në një protestë që synon prishjen e rendit kushtetues. Ne po dalim në mënyrë qytetare për të shprehur kërkesat tona”, deklaroi ai.

Aktivisti shtoi se gjatë protestave ka parë një sjellje të përgjegjshme dhe qytetare nga pjesëmarrësit, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për një protestë të dhunshme dhe se, sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur si të tillë janë të pabazuara.

Ai kritikoi kryeministrin Rama për, sipas tij, përdorimin e narrativave konspirative në vend të ndërmarrjes së veprimeve politike konkrete. Sipas Gocit, zgjidhja politike që ai dhe protestuesit kanë propozuar mbetet dorëheqja e kryeministrit.

🔗 Shpërndaje
21:35

“Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit marshojnë dhe ndalen para Parlamentit në Tiranë

Pas rreth dy orësh fjalimesh në ditën e 26-të të protestës, aktivistët dhe qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë nisur marshimin nëpër kryeqytet, duke thirrur “Rama jepe dorëheqjen”.

Protestuesit u nisën në një marshim me itinerar drejt Bashkisë së Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë, stadiumit “Air Albania” dhe më pas përpara Presidencës.

Gjatë marshimit, protestuesit ndaluan edhe para godinës së Kuvendit, ku u ulën për disa minuta dhe brohoritën me thirrjet “Parlament analfabet”.

Më pas, turma u rikthye sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar marshimin dhe protestën në mënyrë paqësore.

🔗 Shpërndaje
21:00

Nga mbështetja e diasporës te incidenti me mikrofonin, çfarë ndodhi në protestën para Kryeministrisë

Për të 26-ën ditë me radhë kanë vijuar protestat e aktivistëve dhe qytetarëve para Kryeministrisë. Edhe këtë të enjte, pjesëmarrës të shumtë morën fjalën për të shprehur qëndrimet e tyre mbi zhvillimet politike, emigracionin, mbrojtjen e mjedisit dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit një protestuesi iu ndërpre fjala dhe iu hoq mikrofoni pasi nisi të fliste për çështje që organizatorët nuk i konsideruan pjesë të mesazhit të protestës. Protestuesi po fliste për mbështetjen e shqiptarëve në diasporë dhe më pas kaloi në deklarata kundër sionizmit, moment në të cilin iu ndërpre fjala.

“Jam këtu para jush për t’iu dërguar përshëndetje nga Amerika. Sapo më njoftoi nipi im nga Florida, se janë ngritur 5 mijë shqiptarë për të mbështetur protestat tuaja. Unë jam i ambasadave të 1990, kam shkuar në Gjermani dhe u ktheva përkohësisht. Për herë të parë vura re gjenocidin, largimin e qëllimshëm të shqiptarëve. Duke u konsultuar me familjen vendosëm të rrimë këtu. Kryeministri një agjent i kultit zionist, akuzohet për sulme kundër familjes shqiptare, duke përfshirë edhe futjen e ideologjive të kultit të sionizmit, si…”, tha protestuesi, përpara se t’i hiqnin mikrofonin.

Një protestuese e re tha se rinia shqiptare do të vijojë të jetë pjesë e protestës deri në dorëheqjen e kryeministrit. Sipas saj, të rinjtë po përballen me mungesë mundësish dhe kushte të pabarabarta, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të largohen nga vendi për të ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë.

Një tjetër protestuese ngriti shqetësimin për mbrojtjen e mjedisit, duke u ndalur te zhvillimet në zonat e mbrojtura dhe shfrytëzimi i lumenjve. Ajo tha se vendimmarrjet e viteve të fundit kanë dobësuar mbrojtjen ligjore të natyrës dhe kanë hapur rrugë për ndërhyrje të pakontrolluara.

Në podium foli edhe Nevila, një emigrante e ardhur nga Toronto, e cila e përqendroi fjalën e saj te pasojat e emigracionit. Ajo tha se largimi masiv i shqiptarëve ka ndarë familjet dhe ka krijuar plagë të thella sociale, duke sjellë si shembull historinë e saj personale dhe pamundësinë për të qenë pranë të atit në momentet e fundit të jetës.

Një emigrant nga Kanadaja, ish-student i lëvizjes së Dhjetorit 1990, e krahasoi protestën aktuale me lëvizjet demokratike që çuan në rrëzimin e regjimit komunist. Sipas tij, brezi i ri duhet të vazhdojë përpjekjen për ndërtimin e një shoqërie të re demokratike, të bazuar te meritokracia dhe larg praktikave që, sipas tij, kanë dominuar jetën politike gjatë dekadave të fundit.

Në fjalimet e mbajtura gjatë mbrëmjes u trajtua edhe çështja e turizmit. Një protestues hodhi poshtë pretendimet se tubimet po dëmtojnë sezonin turistik, duke argumentuar se protestat po zhvillohen në mënyrë paqësore dhe po tregojnë një imazh qytetar të organizimit dhe angazhimit publik.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet e tyre edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e shpallura që në nisje të protestës.

🔗 Shpërndaje
20:04

Protestuesit ritheksojnë kërkesat: Dorëheqja e Ramës dhe qeveri teknike

Për të katërtën ditë radhazi, protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë ritheksuar kërkesat e tyre drejtuar qeverisë. Këtë herë ishte Sidorela Vatnikaj ajo që lexoi publikisht kërkesat e protestës, të njëjtat që më herët ishin bërë publike nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.

Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj përsëriti kërkesat kryesore të protestuesve, të cilat nisin me dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake për garantimin e zgjedhjeve të lira, si dhe një sërë ndryshimesh kushtetuese që, sipas tyre, duhet të miratohen përmes referendumit popullor.

Kërkesat e lexuara në protestë nga Sidorela Vatnikaj:

  • Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë;
  • Krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake që do të garantojë zgjedhje të lira;
  • Ndryshime kushtetuese, të miratuara me referendum popullor, ku të gjithë shtetasit të jenë të barabartë para ligjit, duke përfshirë:
    1. Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
    2. Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike;
    3. Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate;
  • Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
  • Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore;
  • Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
  • Shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike;
  • Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.
🔗 Shpërndaje
19:45

Dita e 26-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skëndërbej” drej Kryeministrisë edhe këtë të mërkurë kur regjistrohet dita e 26-të e protestës.

Grumbullimi i qytetarëve nisi në orën 19:30 dhe pas pak minutash ata u nisën drejt Kryeministrisë. Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa vijonë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

🔗 Shpërndaje
18:48

Policia e Tiranës procedon 11 persona pas tubimeve të 22–23 qershorit në Tiranë

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 shtetas, në lidhje me tubimet e zhvilluara në kryeqytet më 22 dhe 23 qershor 2026, të dyshuar për përfshirje në veprime që kanë penguar rendin dhe qetësinë publike.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar në gjendje të lirë akuzohen për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ata janë: D. G., 50 vjeç; I. D., 55 vjeç; E. E., 32 vjeç; E. B., 29 vjeç; V. D., 30 vjeç; E. Z., 26 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”, në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”. Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë qarkullimi, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve”, njofton policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

🔗 Shpërndaje
17:55

Agron Duka: Nëse protesta shuhet, ky sistem do të zgjasë për vite

I ftuar në studion e lajmeve të Euronews, në një intervistë me gazetaren Eneklejda Mema, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, komentoi zhvillimet politike dhe protestat në vend.

Ai u shpreh se nëse protesta nuk vazhdon dhe shuhet, atëherë qytetarët dhe aktivistët duhet të përgatiten që ky sistem politik të mbetet për një kohë të gjatë.

“Kjo protestë duhet të vazhdojë deri sa të ketë produkt. Nëse protesta shuhet, përgatituni që këtë sistem që e keni si kundërshtar ta keni për gjithë jetën. Ky është shansi dhe momenti për të arritur diçka. Partitë politike duhet të mësojnë nga kjo protestë, sepse janë komplet jashtë terrenit. Sidomos PD dhe partitë e vogla duhet të kontaktojnë me njerëzit, duke filluar nga grupet. Përndryshe, të rinjtë na thonë ‘ikni, nuk jeni për këtë punë’. Prandaj duhet të shkojmë dhe të ballafaqohemi me njerëzit, që të na thonë nëse duhet të vazhdojmë apo jo”, tha Duka.

I pyetur nga gazetarja Eneklejda Mema mbi ecurinë e protestës dhe nëse Rama do të japë dorëheqjen, Duka u shpreh se presioni publik është i madh dhe se situata mund të ndikojë në vendimmarrje në vijim.

“Nuk besoj se presioni është shumë i madh tani për tani, por mbase në vijim do të kondicionohet që ai ta mendojë seriozisht këtë çështje”, u shpreh ai.

Ndërsa i pyetur se si do të vepronte ish-kryeministri Fatos Nano në një situatë të tillë, Duka tha se ai do të tërhiqej.

“Zoti Nano padyshim do të ishte tërhequr, sepse nuk është i lidhur me karrigen. Nëse e diskuton me të majtë dhe të djathtë, të gjithë thonë se Nano ka qenë liberal, njerëzor, punonte në grup dhe dëgjonte zërin e grupit. Nuk ka qenë i lidhur me karrigen, besoj se do të jepte dorëheqje”, tha Duka.

🔗 Shpërndaje
16:25

Turistet nga Irani në protestë, Rama: Kanë ardhur të lëpijnë e të pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë në shesh

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë. Në një postim në facebook, Rama ka publikuar disa turiste me origjinë nga Irani, të cilat janë shprehur se kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për tu solidarizuar me protestuesit

Rama shkruan se përveç aktivistëve, diasporës e besimtarëve të shitur, tashmë në bulevard ka dhe turistë të shitur.

Postimi i plotë:

Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur “turist” për të shpëtuar Shqipërinë

Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, po kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës.

🔗 Shpërndaje
12:15

Protestuesit kërkojnë një Kryeministër, jo me më shumë se dy mandate! Përgjigjet për herë të parë Taulant Balla

Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, ka folur këtë të enjte pas Konferencës së Kryetarëve në një deklaratë për mediat. I pyetur nga gazetarët për një nga kërkesat e protestuesve lidhur me kufizimin e mandateve për Kryeministrin, Balla tha se mandatet i kufizon populli sipas tij me votë.

“Libri themelor i Republikës së Shqipërisë, i cili është Kushtetuta, është i qartë në këtë pikë. Ne jemi një vend që mund të quhemi Republikë e Re, në kuptimin e viteve që kemi me Kushtetutën. Ju e dini gjithmonë që unë jam një partizan i faktit se kemi marrë modelin e një republike të pastër parlamentare. Modeli është ai gjerman. As në Gjermani që njoh unë, nuk ka kufizim mandatesh. Sepse në demokraci dhe në republika parlamentare nuk ka kufizim mandatesh. Kufizimin e mandateve e bën vetëm vota e popullit. Kështu që mos u lodhni kot, Kushtetutën e kemi të re.”-tha Balla.

🔗 Shpërndaje
11:06

Rama poston fotot e protestueses: Përfituese që shpërndan helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka reaguar sërish në rrjetet sociale teksa ka folur për protestuesit. Rama shkruan se nuk merret me protestuesit por me përfituesit. Ai i ka cilësuar ‘përfituesit” si shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë dhe aktivistë të shtirur.

Ndër të tjera, Rama shkruan se ata e kthyen protestën në një ‘ujdhesë zvarranikësh’ teksa shton se sipas tij ata shpërndajnë tek të rinjtë protestues helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Kryeministri gjithashtu ka ndarë dy foto të një protestueseje teksa shkruan se ajo kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë të cilin e cilësoi si kasapin e regjimit të Teheranit.

Ai shton se në foton tjetër ajo shihet në krah me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad teksa e ka quajtur si kryeshërbëtor i ajatollahëve. Personi në foto është Ikballe Huduti e cila është bashkuar në protestat e qytetarëve në Tiranë.

“Mos u merr me protestuesit…  Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër. Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.

🔗 Shpërndaje
08:09

“Mos e çoni as ndërmend të jepni dorëheqjen”/ Rama publikon mesazhin e qytetarit: Nuk ka forcë që na ndal

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka shpërndarë në “Facebook” një mesazh nga një qytetari nga Vlora i cili i bën thirrje të mos e çojë ndërmend dorëheqjen pas thirrjeve prej disa ditësh të protestuesve që mblidhen para Kryeministrisë.

Rama shkruan se ka marrë shumë mesazhe të cilat nuk ka arritur t’iu përgjigjet teksa theksoi se ai dhe PS-në nuk ka forcë që i dal. Ai thekson se misioni është rruga e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Rama gjithashtu ka postuar mesazhin e gjatë të qytetarit për kryeministrin.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Moti i keq, aksident në hyrje të tunelit të Skërficës

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në hyrje të tunelit të Skërficës, në rrugën kombëtare Kardhiq-Delvinë. Një automjet ka dalë nga rruga duke...
22:32 | 25/06/2026

Rrufeja shkakton zjarr në Dropull, era e fortë rrëzon pemë dhe bllokon rrugën

Moti i keq që ka përfshirë pasditen dhe mbrëmjen e së enjtes qarkun e Gjirokastrës ka sjellë probleme në disa zona të Bashkisë Dropull. Si...
21:58 | 25/06/2026

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në...
21:57 | 25/06/2026