English

Transformimi i FSK në ushtri, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës: Sipas planit!

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake – që ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar – po zhvillohet sipas planifikimeve, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

- Advertisement -

Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces tashmë është në fazën e dytë të realizimit të planit gjithëpërfshirës. Kjo fazë që, sipas saj, është përmbushur rreth 85 për qind, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

“Kjo fazë parasheh ngritjen e kapaciteteve luftarake. Gjatë këtyre dy vjetëve, përqendrimi është më shumë në investime në sisteme moderne të armatimit… siç është publikuar tashmë kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin. Por, ky nuk është i vetmi sistem që kemi në plan për të blerë”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar më 11 janar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon ta mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028, shkruan REL.

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, detajet e të cilit nuk janë publike, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 – Gashi ka thënë se planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.

Në shumë drejtime, Gashi ka thënë se është duke u punuar me hapa më të shpejtë sesa që ishte planifikuar në planin e transformimit. Njëra ndër to, është shprehur ajo, ka të bëjë me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së. Nga viti 2021 deri në vitin 2023, sipas saj, janë rekrutuar 1.836 ushtarë të rinj.

FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

Edhe Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shprehet se autoritetet përgjegjëse po i përmbushin kërkesat për procesin e transformimit. Sipas tij, në bazë të angazhimeve të deritashme, objektivat do të arrihen më shpejt sesa që ishte paraparë.

“Megjithatë, nuk di se a ka plan të detajuar për këtë apo është falë vullnetit të mirë të Qeverisë. Ajo që është vërejtur nga Qeveria aktuale është se ka investim më të madh në sektorin e mbrojtjes”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndryshe mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.

Ai vlerëson se shuma buxhetore e ndarë për investime në armatim mund të sjellë vonesa në përmbushjen e planit të tranzicionit dhjetëvjeçar.

“Ka një rritje simbolike të buxhetit për sektorin e mbrojtjes. Me këtë shumë mundësohet vetëm mbijetesa, pagat e të tjera. Nëse shkohet me këtë trend, me vonesa në zbatimin e projektit të FSK-së, nuk do të përmbushen pritjet në afatet e caktuara”, thekson Berisha.

Buxheti i ndarë për këtë vit për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës është mbi 153 milionë euro. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin tetor të vitit të kaluar tha se për dy vjet e gjysmë qeverisje, ekzekutivi ka dyfishuar buxhetin për FSK-së. Investimet për armatim, sipas tij, janë rritur për 191 për qind.

Ndërkaq, në vitin 2022, Qeveria e Kosovës themeloi Fondin e Sigurisë, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në buxhetin e kësaj ministrie përmes një xhirollogarie bankare.

Vlera e këtyre kontributeve nuk është bërë publike asnjëherë, por nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, vitin e kaluar kishin thënë për REL-in se këto mjete do të investohen për “përmbushjen e objektivit kryesor, që është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe i mbrojtjes territoriale”.

Përveç kërkesës për blerje të raketave Javelin, vitin e kaluar Kosova bleu nga Turqia edhe dronë Bayraktar.

Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?