Tymi i zi në Vatikan, dështon dhe raundi i dytë i zgjedhjes së Papës së ri

8 Maj 2025 | 12:01

Nga oxhaku i Kapelës Sistine është ngritur mëngjesin e kësaj të enjteje tym i zi, duke sinjalizuar se kardinalët nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zgjedhjen e Papës së ri gjatë dy raundeve të para të votimit.

Kjo tregon se asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretash.

Pas pushimit të mesditës, procesi i votimit do të rifillojë me dy raunde të tjera gjatë pasdites, çka mund të sjellë një zhvillim të rëndësishëm. Vlen të përmendet se dy papët e fundit, Papa Benedikti XVI dhe Papa Françesku, janë zgjedhur pikërisht në ditën e dytë të konklavës, duke e lënë të hapur mundësinë për një vendim historik.

Kardinalët kanë nisur të mërkurën në Vatikan procesin e fshehtë dhe solemn të konklavës për të zgjedhur udhëheqësin e ri të Kishës Katolike, që do të drejtojë mbi 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën.

Në këtë konklavë marrin pjesë 133 kardinalë nga 70 vende, një numër rekord krahasuar me 115 kardinalë nga 48 vende në zgjedhjen e Papës Françesku në vitin 2013. Rritja e përfaqësimit gjeografik vjen si pasojë e përpjekjeve të Papës aktual për të internacionalizuar Kolegjin e Kardinalëve, duke dhënë përparësi rajoneve me praninë më të vogël katolike, si Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

Ende pa një favorit të qartë, mes emrave që përmenden si kandidatë potencialë janë kardinali italian Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, dhe kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, një figurë e rëndësishme në Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri.

Ashtu siç e kërkon tradita shekullore, kardinalët janë të izoluar plotësisht nga bota e jashtme gjatë konklavës, e cila zhvillohet në Kapelën Sistine. Vatikani ka vendosur masa të rrepta sigurie për të ruajtur fshehtësinë e votimeve, përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet elektronike, për të shmangur çdo formë përgjimi apo rrjedhje informacioni.

Procesi i votimit pritet të zhvillohet në katër raunde çdo ditë, deri në momentin kur një kandidat të marrë dy të tretat e votave, atëherë nga oxhaku i kapelës do të dalë tymi i bardhë, si sinjal i përzgjedhjes së Papës së ri.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e 57-të e protestës, qytetarët marshim në rrugët e Tiranës. Nesër mblidhen para Parlamentit (VIDEO)

Ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar rutinën e tyre teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 57-të....
21:52 | 26/07/2026

Gazetari Peçi: Rama ka lidhur ‘Besën’ me Berishën dhe Kodin zgjedhor

Gazetari, Ermal Peçi i ftuar këtë të diele në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka komentuar dokumentin “Besa” të kryeministrit Edi Rama...
21:36 | 26/07/2026

“Rama po na shet reflektim nëpërmjet ‘Besës'”, Karabina: Po përdor retorikën e njëjtë për votuesit

Pedagogia, Mirela Karabina e ftuar këtë të diele në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me dokumentin “Besa” të kryeministrit...
21:14 | 26/07/2026