Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e 25-vjeçarit Admir Tutaj për masë më të butë sigurie sesa “arrest në burg”. Gjyqtarja Saida Dollani, në seancën e kësaj të premte, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Admir Tutaj u ekstradua nga Kolumbia në Shqipëri më 19 shtator të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për tre vepra penale. GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “Trafikim armësh dhe municionesh”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
25-vjeçari u shpall në kërkim në prill të vitit 2023, pas një operacioni të Policisë së Shtetit në portin e Durrësit. Në prill, shërbimet policore gjetën brenda një automjeti furgon, tip
Benz, një arsenal armësh që ishte fshehur në një tavolinë druri.
Hetimet e kryera nga policia treguan se arsenali ishte siguruar nga Tutaj në bashkëpunim me disa persona të tjerë, me qëllim trafikimin e tyre drejt Britanisë së Madhe.