Udhëheqësit evropianë mbështesin Zelenskyn pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë

1 Mars 2025 | 16:52

Aleatët evropianë të Ukrainës, që pritet të mblidhen në Londër të dielën, janë bashkuar në mbështetje të presidentit Volodymyr Zelensky, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u përplas me të gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe tha se ai mund të kthehej në Uashington kur ishte i gatshëm për paqe me Rusinë.

Të tronditur nga përplasja publike në Zyrën Ovale, pas së cilës Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar një marrëveshje për minerale me Uashingtonin, bëri që udhëheqësit evropianë t’i dilnin në mbrojtje udhëheqësit ukrainas.

“Nuk je vetëm”, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, tha se ka biseduar me Trumpin dhe Zelenskyn dhe u zotua për “mbështetje të palëkundur” për Kievin.

Zelensky iu ka kthyer përgjigje individualisht mesazheve në X të më shumë se 30 udhëheqësve evropianë, duke iu shkruar “faleminderit për mbështetjen tuaj”.

Starmer dhe Zelensky do të takohen të shtunën, ndërkaq të dielën në Londër kryeministri britanik do të jetë mikpritës i dhjetëra përfaqësuesve të shteteve evropiane.

Samiti në Londër do të përqendrohet në mbështetjen për “arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, tha zyra e Starmerit. Ky samit po ashtu do të adresojë nevojë që Evropa të rritë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, mes frikës nëse SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për NATO-n.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është i gatshëm për bisedime për një parandalim bërthamor në të ardhmen, pas kërkesës së bërë nga fituesi i zgjedhjeve në Gjermani, Friedrich Merz, që pritet të bëhet kancelar. Merz ka thënë se kontinenti duhet të arrijë shpejt “pavarësi” nga Shtetet e Bashkuara sa u përket çështjeve të mbrojtjes.

Në takim do të jetë i ftuar edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili ka biseduar përmes telefonit me homologun rus, Sergei Lavrov, lidhur me luftën në Ukrainë. Sipas një burimi të AFP-së, Turqia që ka qenë mikpritëse e bisedimeve Rusi-Ukrainë më 2022, sërish është e gatshme ta luajë këtë rol, por vazhdon të jetë e përkushtuar për “integritetin territorial të Ukrainës”.

Trump ka tronditur Evropën kur ai kontaktoi presidentin rus, Vladimir Putin, me synim që të arrihet marrëveshje për luftën në Ukrainë, që Moska e ka nisur tre vjet më parë.

Ndryshimi i papritur i politikës së Trumpit karshi Ukrainës ka lëkundur aleancën transatlantike.

Gjatë takimit të premten në Shtëpinë e Bardhë, në prani të mediave Trump dhe nënpresidenti i tij, JD Vance këmbyen fjalë të ashpra me Zelenskyn.

Trump tha se Zelensky nuk po tregohej mirënjohës, duke shtuar se po luante “bixhoz me jetën e miliona njerëzve”.

“Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shtetit që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rusia rrit ndihmën humanitare për Kubën duke dhënë 2 milionë dollarë

Rusia ka bërë të ditur se ka angazhuar gjithsej 18 milionë dollarë për nisma humanitare në Kubë gjatë periudhës 2018–2025 dhe planifikon të kontribuojë me...
20:43 | 07/07/2026

Macron: Po i kthejmë Sirisë 51 milionë euro nga prona e konfiskuar e familjes Assad

Franca dhe Siria nënshkruan sot në Damask disa marrëveshje, përfshirë një shkresë që parashikon kthimin e 51 milionë eurove nga asetet e sekuestruara të Rifat...
20:32 | 07/07/2026

Maratona nuk fitohet me nisjen e shpejtë, studimi zbulon avantazhin e grave në ritëm

Në një maratonë nuk fiton gjithmonë ai që nis më shpejt pasi një studim i ri ka zbuluar se burrat kanë shumë më tepër gjasa...
20:27 | 07/07/2026