Ushtarët e FSK u futën gabimisht në Veri, reagon KFOR
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.
Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.
KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.
“KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u riktheksua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, tha KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes. Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.
Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se kjo ngjarje ka rritur tensionet.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.
FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
LEXONI GJITHASHTU:
Giorgia Meloni: Nuk kam qenë e nënshtruar dje dhe as antiamerikane sot
BE dhe Kina bien dakord, nisin bisedimet tremujore mbi deficitin tregtar prej 360 miliardë eurosh
Gjermania përpiqet të ndalë mbylljen e fabrikave të Volkswagen, në rrezik deri në 100 mijë vende pune
- 22:36 Një sagë familjare e mbushur me intriga dhe vrasje: Pse Kim Jong-un nuk flet kurrë për nënën e tij “japoneze”
- 22:28 Ministri izraelit i Mbrojtjes: Trump lidhi konfliktet e Iranit dhe Libanit pavarësisht kundërshtimit tonë
- 22:20 Irani i përgjigjet Macron: Franca të mos provokojë situatën në Hormuz, çminimin e bëjmë vetë
- 22:11 Nesër seancë plenare, qytetarët njoftojnë protestë para Parlamentit në orën 10:00
- 22:08 “Batmani” misterioz terrorizon hajdutët e motorëve në Meksikë, i lidh me shirit në shtyllat e rrugës (VIDEO+FOTO)
- 22:00 Eurodeputetja iu bashkua fotos me Arlind Qorin, kreu i “Lëvizjes Bashkë” sqaron foton me grusht