Vëllai i Epstein: Ja provat që Donald Trump gënjeu, Jeffrey u vra

13 Nëntor 2025 | 08:58

“Shpresoj dhe besoj që këto informacione të reja mund të jenë të dobishme për të sqaruar rrethanat e vrasjes së vëllait tim.”

Aludimi i Mark Epstein në një intervistë me Repubblica është serioz, duke sugjeruar se zbulimet e përfshira në emailet dhe dokumentet e publikuara së fundmi mund të përmbajnë informacione mbi motive hipotetike për eliminimin e financierit në qendër të skandalit të pedofilisë. Mark nuk e ka besuar kurrë versionin zyrtar të vetëvrasjes, madje as kur administrata Trump e konfirmoi disa muaj më parë, pasi kishte parë videot e regjistruara nga kamerat e burgut, duke mohuar kështu angazhimin e marrë nga presidenti gjatë fushatës elektorale për të publikuar të gjitha dokumentet e çështjes që mbeteshin ende sekrete. Ai është i bindur për këtë sepse Jeffrey nuk i kishte folur kurrë për mundësinë e vetëvrasjes; ai nuk ishte lloji i personit që do ta bënte një gjë të tillë. Më e rëndësishmja, ndërsa ishte në burg, ai ishte përqendruar në mbrojtjen e tij ligjore për të dalë prej andej.

Çfarë mendoni për mesazhet e sapo zbuluara?

“Nuk e dija që do të dilnin, nuk jam përfshirë në kërkimin dhe publikimin e tyre. Sinqerisht, nuk jam vërtet i interesuar për rastin e Jeffreyt në aspektin e detajeve se çfarë kishte bërë, sepse ai tashmë ka vdekur. Ajo që më intereson shumë është të sqaroj rrethanat që lidhen me vrasjen e tij.”

Sipas versionit zyrtar të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, vëllai juaj vrau veten në burg. Ju nuk e besoni?

“Jo, nuk e kam besuar kurrë.”

Pse?

“Vëllai im nuk kishte asnjë qëllim për t’i dhënë fund jetës, donte të mbrohej për t’u shpallur i pafajshëm, dhe unë mbetem i bindur se ai u vra.”

Në email-et e publikuara dje, vëllai juaj shkruan se presidenti Trump ishte në dijeni të aktiviteteve të tij me vajzat dhe kishte kaluar disa orë në shtëpinë e Jeffrey-t me një nga viktimat, e identifikuar nga vetë Shtëpia e Bardhë si Virginia Giuffrè. Çfarë mendoni për këto zbulime?

“Nuk më habisin aspak. Janë vetëm konfirmimi që Trump është një gënjeshtar, kur thotë se nuk e njihte dhe nuk e frekuentonte vëllain tim. Ai tregon një sasi të pabesueshme marrëzirash.”

Ju keni pohuar gjithmonë që Jeffrey kishte një marrëdhënie miqësie mjaft të konsoliduar me Donaldin, para se ai të bëhej president: njiheshin, frekuentoheshin dhe ju i kishit parë shpesh bashkë. A përfaqësojnë këto email-e konfirmimin e kësaj marrëdhënieje personale mes tyre?

“Pa dyshim. Mendoj se janë dëshmia që ajo që kam thënë gjithmonë është e vërtetë.”

Ju gjithashtu pretenduat se vëllai juaj kishte informacione kompromentuese për shumë njerëz, përfshirë Trumpin, por Shtëpia e Bardhë komentoi se takimet e presidentit me Virginia Giuffrè ishin të njohura dhe se ajo vetë kishte pohuar gjithmonë se asgjë e papranueshme nuk kishte ndodhur kurrë me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. A guxoni ta mohoni këtë version?

“Unë di atë që më ka thënë vëllai im, dhe në raste të ndryshme më kishte thënë se kishte informacione komprometuese për disa persona.”

Nëse qëllimi juaj mbetet të sqaroni rrethanat e vdekjes së vëllait tuaj, dhe të provoni që ai nuk vrau veten, mendoni se dokumentet e publikuara në këto orë mund të ndihmojnë për të zbuluar të vërtetën?

“E shpresoj dhe e mendoj. Të gjitha informacionet që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij mund të jenë të dobishme për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe për të sqaruar rrethanat e vrasjes së tij, sepse për këtë bëhet fjalë.”

Po thoni që vëllai juaj mund të jetë vrarë sepse kishte informacione potencialisht të rrezikshme për disa persona, përfshirë Donald Trumpin, i cili në atë kohë ishte një qytetar privat?

“Po, saktësisht.”

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Parlamenti italian miraton reformën zgjedhore të kontestuar të Melonit

Dhoma e Ulët e parlamentit italian miratoi të enjten një plan qeveritar shumë të kontestuar për të ndryshuar ligjin zgjedhor, një lëvizje që kundërshtarët e...
14:45 | 16/07/2026

Trump shkarkon prokurorin federal të Seattle vetëm një orë pas emërimit nga gjykata

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkarkoi të mërkurën prokurorin e sapoemëruar federal për distriktin perëndimor të Uashingtonit, Roger Rogoff, më pak se një orë pasi...
14:12 | 16/07/2026

Kremlini vlerëson Turqinë për ndërmjetësimin mes Ukrainës dhe Rusisë: Mirënjohës për përpjekjet për paqe

Kremlini tha të enjten se Rusia i është mirënjohëse Turqisë për gatishmërinë e saj për të lehtësuar një zgjidhje për Ukrainën. “Jemi shumë të vetëdijshëm...
13:32 | 16/07/2026