Vërshime uji në disa qytete të Kosovës, lumenjtë dalin nga shtrati

6 Janar 2026 | 14:38

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Përmbytje në disa rrugë kanë bërë që edhe Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.

“Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë ka njoftuar edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, komuna ka apeluar për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.

Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.

Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.

“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës dhe Klinës.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit. Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur, ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar disa foto nga vizitat e tij te lagjet e përmbytura dhe ka thënë se ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara në terren që nga mesnata.

“Reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026