Kisha Ortodokse Ruse tradhtoi baballarët e Kishës Ortodokse pasi mbështeti sulmin rus ndaj Ukrainës.
Kështu u shpreh në një intervistë për televizionin grek ERT Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu.
Patriarku rus Kirill e ka mbështetur sulmin rus ndaj Ukrainës, pozicion i mbajtur nga një pjesë e mirë e Kishës Ortodokse në Rusi.
Por, ndërsa ai e ka justifikuar luftën në Ukrainë, sulmi është dënuar nga kishat ortodokse të Ukrainës, të botës, si dhe nga disa priftërinj në Rusi.
Këshilli Botëror i Kishave i kërkoi Patriarkut Kirilli të “ndërhyjë dhe të ndërmjetësojë” për ndalimin e luftës.
Në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT të martën, Bartolomeu tha se edhe ai pret që Kirilli të kundërshtojë vendimin e presidentit rus Vladimir Putin për të vijuar sulmet në Ukrainë dhe nëse është e vevojshme, të japë dorëheqjen.
“Nuk është e pamundur që të gjitha kishat të mos e dënojnë dhunën, luftën. Kisha ruse na ka zhgënjyer. Nuk doja që Kisha Ruse dhe Vëllai Patriarku Kirill të përbënin këtë përjashtim tragjik. Nuk e di se si mund të justifikohet para ndërgjegjes së tij”, tha Bartolomeu.
Bartolomeu tha se priste që Kirilli të bënte një akt vendimtar, e në këtë rast, historik, – duke sakrifikuar pozicionin e tij nëse do të ishte e nevojshme -, për t’i thënë Putinit “Zoti President, nuk jam dakord me ju, po jap dorëheqjen”.
Të dyja palët në konflikt, Rusia dhe Ukraina, janë anëtare të së njëjtës kishë dhe ndajnë një histori mijëvjeçare të përbashkët fetare.
Moska e quan luftën në Ukrainë një “operacion ushtarak” që synon çlirimin e Ukrainës nga “nazistët”. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë këtë pretendim të Rusisë e quajnë justifikim për një luftë të paprovokuar.
LEXONI GJITHASHTU: