Sllovenia shprehet e gatshme ta shtojë numrin e trupave në Kosovë
Sllovenia është e gatshme ta shtojë numrin e trupave të vet në misionin paqeruajtës Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thanë të enjten sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri slloven Robert Golob.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Bruksel, Stoltenberg e lavdëroi Slloveninë për rolin e saj në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor gjatë dy dekadave prej se ajo u bë anëtare e NATO-s.
“Sllovenia për shumë vite ka kontribuuar me ushtarët dhe forcat e saj në misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe ne e mirëpresim njoftimin e kryeministrit Golob për gatishmërinë për ta rritur edhe më shumë kontributin slloven në misionin tonë, KFOR”, tha Stoltenberg.
Sllovenia i ka 103 ushtarë aktualisht në misionin paqeruajtës të aleancës ushtarakes në Kosovë.
Golob ka thënë se misioni i KFOR-it është mbase “tregimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i bashkëpunimit brenda NATO-s, për mënyrën se si të stabilizohet rajoni.”
Ai tha se, edhe pse Sllovenia gjatë viteve të fundit e ka zvogëluar kontributin, është e gatshme të bëjë më shumë, nëse është nevoja.
“Dhe duket se, po, mund të ndodhë në muajin e ardhshëm, por kjo është diçka për të cilën duhet të diskutohet dhe të vendoset”, tha ai.
Në një raport vjetor të NATO-s, i publikuar më 14 mars, Stoltenberg tha se prania ushtarake e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.
Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.
Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.
Sipas raportit të Stoltenbergut, tani misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë. Ky numër do të rritet edhe më shumë, nëse merret vendim që Sllovenia ta shtojë numrin e trupave në Kosovë muajin e ardhshëm.
Të mërkurën, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për kërcënimet dhe sulmet e mundshme, pasi misioni i NATO-s në Kosovë, është “i gatshëm të bëjë gjënë e duhur”.
Hovenier tha se garancitë e sigurisë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdojnë të jenë të forta, përderisa tha se Kosova përfiton në aspektin e sigurisë nga prania e misionit të KFOR-it që “është forcë krejtësisht penguese ndaj ndonjë lloj sulmi që qytetarët mund të jenë të shqetësuar”.
LEXONI GJITHASHTU:
Nga vezët te domatet e specat, protestuesit ndryshojnë “arsenalin” para Parlamentit (VIDEO)
Protestuesit e Gjeneratës Z në Indi detyrojnë largimin e një ministri, por çfarë vjen më pas?
Rihapet Kapshtica, rinis lëvizja pas 4 orësh bllokim nga protesta e doganierëve grekë (VIDEO)
- 09:37 Nga vezët te domatet e specat, protestuesit ndryshojnë “arsenalin” para Parlamentit (VIDEO)
- 09:25 Protestuesit e Gjeneratës Z në Indi detyrojnë largimin e një ministri, por çfarë vjen më pas?
- 09:15 Rihapet Kapshtica, rinis lëvizja pas 4 orësh bllokim nga protesta e doganierëve grekë (VIDEO)
- 09:04 Kuvendi në dy seanca, pritet votimi me procedurë të përshpejtuar i marrëveshjes ushtarake me Shtetet e Bashkuara
- 08:54 Protestuesit mblidhen te Parlamenti, policia bllokon të gjitha rrugët hyrëse (VIDEO)
- 08:40 Rama mbledh drejtuesit politikë të qarqeve, në fokus reforma territoriale dhe dokumenti “Besa”