Objekti i djegur në Leposaviç: Policia nuk dyshon në zjarrvënie

24 Mars 2024 | 15:28

Në fshatin Ulije të Komunës së Leposaviçit është djegur një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Radosavleviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai beson që zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe se motivi është politik.

Sipas tij, objekti i djegur ka qenë në fshatin Ulije pranë vreshtit të tij në territorin e Komunës së Leposaviqit, dhe se i është vënë flaka më 22 mars, por ai e ka kuptuar këtë gjë një ditë më vonë.

“Dera është e deformuar pasi mund të jetë thyer me levë. Blloku është thyer duke goditur me levë derën, e cila ishte krejt e re. Këtë e ka bërë një faktor politik që është e kundërta e faktorit politik të cilit unë i përkas”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rasti i zjarrit është duke u hetuar, por se për momentin nuk besohet të jetë zjarrvënie.

“Për momentin askush nuk dyshohet. Besohet se ka pasur problem me rrymën”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin verior, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Radosavleviq beson se përfshirja e tij në institucionet e Kosovës e ka shqetësuar Listën Serbe dhe se pas zjarrit qëndron kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lista Serbe i ka hedhur poshtë akuzat duke i konsideruar të pabazuara.

Në korrik të vitit 2023, Radosavleviq ka pranuar të angazhohet në kuadër të autoriteteve lokale në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës që banohet me shumicë serbe, pasi pjesëtarët e komunitetit serb ishin larguar nga institucionet e Kosovës me iniciativën e Listës Serbe.

Në fillim të muajit mars, persona të panjohur e kanë djegur edhe lokalin në pronësi të Natasha Tomaniqit, nënkryetares së Komunës së Zveçanit, e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Ajo pati thënë, po ashtu, se dyshon që pas zjarrit qëndron Lista Serbe, ndonëse partia e ka mohuar më vonë këtë deklaratë.

Aktualisht në krye të komunave në veri të Kosovës janë katër kryetarë shqiptarë.

Ata i kanë marrë mandatet në maj të vitit të kaluar, sepse serbët patën bojkotuar zgjedhjet.

Megjithatë, disa pjesëtarë të komunitetit serb pranuan më vonë të angazhohen si kuadro të autoriteteve lokale.

Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve, ka thënë në tetor të vitit të kaluar se tani është gati për të marrë pjesë në to.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026