“Duart e vogla që ndërtojnë botën”, ekspozita e fëmijëve në mbështetje të humanizmit

27 Prill 2025 | 15:10

Me qëllim edukimin e fëmijëve me vlera humanitare, në Elbasan u organizua ekspozita “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”.

Organizatorët theksojnë se nuk ka mënyrë më të bukur për të përcjellë vlerat humanitare sesa përmes artit të punuar nga duar të vogla me zemra të pastra fëmijësh.

Nëpërmjet punimeve të tyre, fëmijët përcollën mesazhe të ndryshme, ndërsa piktura që mori vendin e parë ishte ajo e Ajla Çaushit, e cila tregon për Euronews Albania çfarë mesazhi përçon vepra e saj.

“Me anë të kësaj pikture kam dashur të përcjell mesazhin sesi Kryqi i Kuq, me frymën e tij, arrin t’i nxjerrë njerëzit nga vështirësitë. Gjithashtu, Kryqi i Kuq është një dritë shprese për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që janë në nevojë”, thotë Ajla Çaushi.

Aktivitete të tilla synojnë të promovojnë ndjenjën e vullnetarizmit dhe të humanizmit në ndihmë të më të nevojtarëve dhe në mbështetje të njëri-tjetrit.

“A duhet rinia të përfshihet në nisma të tilla? Patjetër që po. Në fund të ditës, ne jemi e ardhmja e kombit tonë, dhe pse të mos jemi ne zëri i ndryshimit? Të bëjmë Shqipërinë një vend më të përparuar dhe më të mirë. Mendoj se, për sa kohë nuk përjetojmë vetë një problem që kërkon ndihmë, si ajo e Kryqit të Kuq, nuk e kuptojmë vërtet nevojën. Prandaj mendoj se aktivitete të tilla duhet të jenë të shumta, që të solidarizojmë më shumë rininë”, thotë një nga aktivistët e Kryqit të Kuq.

“Është shumë e rëndësishme që fëmijët dhe të rinjtë të edukohen me frymën e vullnetarizmit, me frymën e ndihmës ndaj tjetrit, sidomos kur bëhet fjalë për moshat më të mëdha – prindërit apo gjyshërit tanë. Kjo i shërben shoqërisë për të krijuar një shpirt kolektiv edhe më të bukur”, thotë një zotëri.

Artistët e vegjël jo vetëm që i dhanë ekspozitës një dritë të veçantë, por edhe prekën zemrat e çdo personi të pranishëm, duke treguar dritën e udhës drejt familjes së madhe të Vullnetarëve të Kryqit të Kuq.

Kjo familje e madhe është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, çka u pasqyrua bukur edhe në vizatimet e tyre.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në fshatin Zgjanë të Lushnjes, ku specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me Departamentin...
10:53 | 04/06/2026

Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare

Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që...
10:12 | 02/06/2026

“Qiell i hapur, mendje të hapura, rikthehet DEA Open Air, 40 filma nga 25 vende në garë

Nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura” rikthehet në Tiranë edicioni I 13-të I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Pjesë e këtij...
17:52 | 01/06/2026