Veliaj kërkon kopje fizike të materialeve hetimore, reagojnë avokatët
Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë bërë këtë të mërkurë një reagim për mediat, ku theksojnë se SPAK nuk i jep kopje fizike të materialeve hetimore, ndërsa i janë dorëzuar atyre me anë të një USB-je.
Ata shprehen se klienti i tyre nuk mund të ketë akses në materialet përmes USB-së, pasi nuk disponon pajisje elektronike përkatëse.
Gjithashtu, në reagim thuhet se Prokuroria e Posaçme vazhdon të refuzojë kërkesën e zotit Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Avokatët shprehin se Prokuroria e Posaçme po trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”.
Ata shprehen me shqetësim se zotit Veliaj po i pamundësohet ushtrimi i detyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook-un e kryebashkiakut.
Eksperti i ekonomisë: Numri i turistëve mbetet pozitiv, sfida kryesore janë kostot e larta
Stuhia e papritur godet Vlorën, pushuesit largohen me nxitim nga plazhi (VIDEO)
Lamallari: Xhamat e errësuar pa leje do të hiqen, rregullat njësoj për të gjithë
- 22:02 Turizmi në Vlorë, gazetari: Protestat nuk ndikuan te pushuesit, Sazani dhe Karaburuni vijojnë me fluks
- 21:57 Eksperti i ekonomisë: Numri i turistëve mbetet pozitiv, sfida kryesore janë kostot e larta
- 21:44 Stuhia e papritur godet Vlorën, pushuesit largohen me nxitim nga plazhi (VIDEO)
- 21:04 Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë
- 20:07 Italia tenton goditjen e madhe, Federata i propozon Pep Guardiolës drejtimin e “Axurrëve”
- 19:58 “Me këto pensione nuk përballohet”, pensionistët vlonjatë ankohen për çmimet në plazhet private