Niko Peleshi vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan, takohet me Kryetarin e Nënkomisionit për Evropën

4 Shkurt 2026 | 09:38

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në krye të një delegacioni parlamentar, këtë të mërkurë po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kongresin Amerikan, Kryetari Peleshi dhe delegacioni parlamentar zhvilluan takime me Kryetarin e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, si edhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen, Pete Sessions.

Gjatë këtyre takimeve u theksua se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të fortë, të qëndrueshme dhe strategjike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një aleancë të palëkundur.

Kryetari Peleshi riafirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, si partneri ynë kryesor strategjik, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në integrimet euroatlantike të vendit dhe në zbatimin e reformave transformuese, me fokus të veçantë reformën në drejtësi.

U tregua rëndësia e marrëdhënieve dypalëshe dhe vullneti për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

Ky bashkëpunim po forcohet më tej edhe përmes angazhimit në Bordin e Paqes të SHBA-së, ku Shqipëria është Anëtare Themeluese, pjesëmarrje e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në takimin me Kongresmenin Keith Self, Kryetari i Kuvendit vlerësoi paraqitjen në Kongres të nismës ligjore “The Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, e cila kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Gjithashtu, u diskutua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimeve u theksua se Shqipëria ka krijuar një klimë shumë pozitive për investimet amerikane, si dhe roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si faktor miqësie dhe urë bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në këto takime, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shoqërohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Ilirian Pendavinji, Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Ivi Kaso, Belind Këlliçi si dhe Klevis Balliu.

Kjo vizitë përbën një tjetër hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe në rritjen e rolit të diplomacisë parlamentare shqiptare në arenën ndërkombëtare si edhe bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia...
09:08 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026