17 vjetori i Shqipërisë në NATO, Berisha: Mrekullia më e madhe e lirisë pas pavarësisë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka përkujtuar 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar si “mrekullinë më të madhe të lirisë” pas pavarësisë së vendit.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Berisha vlerëson rolin e NATO-s në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor dhe thekson kontributin e ish-presidentit George W. Bush në mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë.
Ai akuzoi qeverinë aktuale se ka larguar vendin nga standardet demokratike, ndërsa u bëri thirrje forcave pro-atlantiste për reagim ku thotë se u kërkon të rivendosin vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Reagimi i plotë i Berishës
“Pas pavarësisë së vendit, anëtarësimi në NATO është mrekullia më e madhe e lirisë në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Me 1 prill të vitit 2009 Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi të pranojë Shqipërinë, ish-vendin komunist për 46 vite me propagandën më armiqësore ndaj saj, si anëtare të plotë të saj. Por duhet të theksojmë se pa dyshim edhe vetë themelimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas Luftës së Dytë Botërore, aleancë midis palëve ndërluftuese është mrekullia më e madhe e qytetërimit perëndimor në shekullin e 20-të. Aleanca e Atlantikut të Veriut do provohej mburoja më e fuqishme lirisë së qytetërimit perëndimor kundër përhapjes së komunizmit dhe garantuesi më kryesor i zhvillimit dhe prosperimit në paqe të vendeve të lira anëtare të saj. NATO do të ishte dhe njëri nga faktorët madhor të shembjes së murit të Berlinit dhe falimentimit të sistemit komunist. Rënia e murit të Berlinit hodhi bazat e mrekullisë së dytë të NATO-s. Pas kësaj ngjarje pati debate të shumta për fatin e NATO-s, por dy shtetarë të mëdhenj të kohës me vizion të qartë luajtën rolin më përcaktues për të ardhmen e Aleancës. Kancelari Helmut Kohl që punoi për bashkimin paqësor në liri të kombit dhe vendit të tij, në një shtet të vetëm, për një Gjermani anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe Presidenti i SHBA-së George H. W. Bush, i cili në dallim nga udhëheqësit e tjerë të kohës e mirëpriti bashkimin e Gjermanisë si fitore të lirisë. Shqipëria në vitin 1990 ishte dominoja e fundit e sistemit komunist në të cilën ra diktatura 45-vjeçare. Por Partia Demokratike do të ishte forca e parë antikomuniste që do shpallte fill pas themelimit të saj objektivin madhor të programit të vet, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Partitë opozitare në vendet e tjera ish-komuniste pas rënies së Perdes së Hekurt dhe përmbysjes së diktaturave në vendet e tyre, si dhe shpërbërjes së Traktati i Varshavës, fillimisht u shprehën për qëndrime neutrale jashtë blloqeve. Por NATO hapi dyert për bashkëpunim me këto vende. Presidenti Bill Clinton dhe SHBA në udhëheqje të NATO-s paraqitën platformën e partneritetit për paqe me këto vende si një proces për përgatitjen e tyre për anëtarësim. Përsëri Shqipëria do të ishte ndër të parat që firmosi në vitin 1994 partneritetin për paqe dhe depozitoi kërkesën për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimi me këtë aleancë u pritën me kundërshti të forta, por edhe me rezoluta anti-NATO në parlament nga PS, por jo nga fraksioni pro-atlantist i kësaj partie dhe nga populli shqiptar. Shqipëria ndërkohë procedoi me reforma të thella politike, ekonomike dhe në ushtri e fushën e sigurisë. Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet ajo përcaktoi si një objektiv kryesor të saj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin e saj në BE. Suksesi i reformave të thella dhe të gjithanshme, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe lufta e vendosur kundër korrupsionit, suksesi i reformave në ekonomi, ushtri dhe fushën e sigurisë, dëshmuan para aleatëve të NATO-s seriozitetin e përpjekjeve të Shqipërisë për zbatimin e Planit të Veprimit. Një rol të veçantë në këtë proces ka patur mbështetja e presidentit të SHBA George W. Bush, i cili gjatë vizitës më 10 qershor 2007 deklaroi: “Shqipëria në NATO”. Me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata zyrtarë shqiptarë dhe të huaj, në veçanti presidentit George W. Bush, që kontribuan në mrekullinë e lirisë, realizimin e ëndrrës më të bukur të shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Një mirënjohje të pakufishme për NATO-n dhe vendet anëtare, rolin e tyre përcaktues në çlirimin e Kosovës.
Të dashur miq, NATO është aleanca më e fuqishme politike dhe ushtarake e kohërave. Ajo është aleanca e vendeve të lira dhe demokratike. Shqipëria vjen në 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO si një vend monist që nuk plotëson asnjë nga kriteret kryesore politike të një vendi anëtar. Ajo, nën sundimin e Edi Rama, është sot narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë, është vendi që nuk zhvillon zgjedhje të lira, nuk lejon rotacionin e pushtetit, burgos opozitën dhe është njëri nga vendet më të korruptuara të planetit dhe qendër operacionale e organizatave të mëdha kriminale ndërkombëtare. Të gjitha këto janë një thirrje e fuqishme për të gjitha forcat pro-atlantiste në Shqipëri të ngrihen në kryengritje paqësore të pandërprerë për rivendosjen e vlerave demokratike të lirisë që qëndrojnë në themelet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet e saj anëtare! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan Berisha.
Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 13:28 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina
- 13:22 Presidenti finlandez propozon një BE me 40 anëtarë, përfshirë Kanadanë
- 13:09 Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
- 12:55 Shpërthim tritoli në derën e një dyqani në Laç, panik te qytetarët
- 12:48 “Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor