Sot dita e 16-të e protestës, qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë
Protesta në Bulevardin Qendror të Tiranës hyn sot në ditën e saj të 16-të, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Mbrëmjen e ditës së 15-të, protesta u zgjat si asnjëherë më parë, duke shkuar në afro 7 orë deri në mëngjes, me protestuesit që marshuan drejt aeroportit të Rinasit, por që u ndalën nga policia.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.
Thirrje të forta në protestë, kërkohet dorëheqja e Ramës dhe Berishës
Kërkesa për dorëheqje të qeverisë dhe thirrjet kundër klasës politike janë përsëritur edhe gjatë ditës së 16-të të protestës përpara Kryeministrisë në Tiranë ndërsa u artikulua edhe kërkesa për dorëheqjen e kreut të PD-së, Sali Berisha
Një protestuese është shprehur se “establishmenti po e fal Shqipërinë”, duke kërkuar largimin e të gjitha drejtuesve politikë.
“Ne jemi këtu për t’i thënë gjithë establishmentit duke filluar nga ky këtu e deri te drejtuesit e opozitës, është koha të jepni dorëheqjen! Me zemër, të gjithë shqiptarët janë këtu, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne jemi këtu për t’u thënë: boll është boll! Ky establishment po e fal Shqipërinë dhe kjo nuk do të lejohet më! Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, ne e kemi thyer frikën pikërisht në këtë shesh!”, tha një protestuese.
Thirrjet për dorëheqje janë drejtuar edhe ndaj kryetarit të PD, Sali Berisha. Një emigrant që ishte pjesë e protestës tha se e kishte artikuluar këtë qëndrim edhe më herët, përfshirë edhe para selisë së Partisë Demokratike.
“Jam këtu, veçanërisht për nënën time 85-vjeçare që nuk merr dot pjesë këtu. Para 3 ditësh protestova i vetëm para zyrës së PD, e kisha me Sali Berishën, u detyrova të iki. Berisha, të lutem, jep dorëheqjen si kryetar i PD. Ik ti i pari që të të ndjekë edhe tjetri. Nëse e do me të vërtetë këtë protestë, nëse do me të vërtetë që Shqipëria të bëhet mirë, ik ti i pari!”, tha emigranti.
Ndonëse protestuesit kanë kërkuar që partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre të qëndrojnë larg tubimit, emigranti u bëri gjithashtu thirrje ambasadorëve që t’i bashkohen protestës.
Ndërkohë, një tjetër protestues ka artikuluar kërkesa të forta për konfiskim pasurie ndaj drejtuesve kryesorë politikë, duke theksuar edhe nevojën për ndryshim politik dhe vazhdim të protestës.
“Rama konfiskim pasurie, Berisha konfiskim pasurie! Mbahuni dhe pak ditë se premtoj që Edi Ramën ne që jemi sot këtu dhe ata që do të vijnë, do ta shkatërrojmë me gjithë bandën kriminale! Ne do t’i japim rotacionin politik këtij vendi, ju lutem mos na braktisni”, tha protestuesi.
Dita e 16-të e protestës, fëmijët pikturojnë në këndin e tyre. Protestuesit u bashkohen për të shkruar pankartat
Edhe këtë të hënë në protestën e radhës, qytetarët kanë marrë fëmijët e tyre me vete në protestë. Fëmijët ndodhen në cepin e tyre të artit teksa pikturojnë e shprehin talentin e tyre ndërsa nga ana tjetër të rinjtë dhe familjarët e tyre protestojnë para Kryeministrisë.
Kjo është dita e 16-të e protestës teksa qindra qytetarë vijojnë të bashkohen në marshim që nga ora 18:00 dhe pritet të zgjasë disa orë ashtu si në ditët e mëparshme.
Siç shihet edhe nga pamjet fëmijët po luajnë dhe pikturojnë teksa prindërit e tyre mbajnë “një sy” tek ata dhe tek protesta. Ka edhe nga ata prindër të cilët po shkruajnë pankartat e tyre në këtë kënd të dedikuar për fëmijët.
Publikohet rregullorja e marshimit
Këtë të hënë është publikuar një rregullore lidhur me marshimin e qytetarëve që zhvillohet pas protestës para Kryeministrisë lidhur me ndërtimin në Zvërnec.
Në rregullore listohen 5 pika ndër të cilat tregojnë se marshimi nis në orën 20:30 dhe do të mbahet brenda unazës duke mos u shpërndarë në grupe si dhe duke lënë korsi bosh në raste emergjence.
Rregullore
1-Marshimi nga sot do jetë brenda unazës
2-Marshimi nuk do të ndahet në grupe
3-Marshimi nuk duhet të mari drejtime spontane
4-Orari i fillimit të marshimit është 20:30
5-Marshim lë gjithmonë një korsi boshe për emergjenca
Mesazh nga protesta: Përjashtohet çdo lëvizje drejt Rinasit
Një prej organizatorëve të protestës ka lëshuar mesazhe të forta për protestuesit, ndërsa ka bërë thirrje që të mos bien pre e provokimeve.
Ai u shpreh edhe për marshimin e djeshëm në rrugën e Rinasit, ku sqaroi se ka pasur një keqkuptim, por theksoi se nuk do të ndodhë më që të marshojnë drejt Rinasit. Sipas tij, ai vetë do të jetë në krye të studentëve dhe do t’i paraprijë protestuesve.
“Shumë mendojnë se jemi ekstremistë, shumë thonë se po tentojnë të na kapin, por nuk jemi ekstremistë. Ka pasur keqkuptime, ka pasur tentativa për keqinterpretim, por ne nuk jemi për të armiqësuar dhe për të akuzuar askënd. Armiku i përbashkët është Edi Rama dhe qeveria e tij, prandaj duhet të kuptohemi. Marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, që janë gjenerata më e bukur e shekullit të 21-të. Duke qenë se marshimi nuk ka pasur të bëjë fare me grupin, nga sonte do të jem unë në ballë të marshimit, bashkë me studentët, por studentët do të jenë pararoja e këtij marshimi. Ne kemi thënë që kjo është protestë model dhe zemra e saj është rinia dhe mërgata. Atëherë si mund ta ndalojmë ne mërgatën? Aeroporti është nyja kryesore e jetës, aty vijmë e shkojmë ne shqiptarët që jetojmë jashtë atdheut, prandaj të jetë e qartë për të gjithë: asnjëherë nuk do të ketë tentativë për në aeroport, sepse aty vijnë turistë nga e gjithë bota dhe bashkohen me ne në protestë. Nuk do të ketë dhunë deri sa ta largojmë këtë klasë politike. E kemi thënë që kjo është revolta më e bukur, revolucioni më i bukur dhe këtij revolucioni do t’i shkojmë deri në fund bashkë me ju”, tha ai.
Dita e 16 e protestës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë në Tiranë
Ashtu si çdo ditë, edhe këtë të hënë që shënon ditën e 16-të të protestave, aktivistët dhe qytetarët, pasi u mblodhën në Sheshin “Skënderbej”, nisën marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë.
Ata brohorasin me thirrjet “Dorëheqje”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Edi Rama, prite popullin se po vjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” si dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Rama ndan komentin e një vajze nga Vlora: E masakruan online sepse nuk beson te protesta
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë në lidhje me debatet e krijuara rreth protestës për projektin në zonën e Nartës, duke shpërndarë në rrjetet sociale komentin e një vajze nga Vlora.
Në postimin e tij, Rama shprehet se po e publikon komentin si një shenjë solidariteti ndaj të resë, e cila sipas tij është sulmuar në rrjet për shkak të mendimit të saj kundër protestës.
“Këtë koment nga kjo faqe po e postoj si shprehje solidariteti me një vajzë vlonjate që nuk e njoh, të cilën për shkak se nuk beson tek protesta e kanë masakruar online korbat e fshehur nën pupla flamingosh… RESPEKT”, shkruan Rama.
Në komentin e saj, vajza nga Vlora shpreh mosdakordësinë me protestën, duke thënë se nuk e kupton thelbin e saj dhe duke argumentuar se të rinjtë nuk kanë reaguar me të njëjtin angazhim për çështje të tjera sociale, si dhuna në familje apo rastet e shqiptarëve në burgjet jashtë vendit.
Ajo vlerëson gjithashtu ndryshimet që, sipas saj, kanë ndodhur në vend gjatë viteve të fundit në aspektin e pagave, kushteve të punës, sigurisë dhe funksionimit të drejtësisë, ndërsa shprehet kundër kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit.
“Nuk shan, nuk akuzon, nuk deliron”, Rama: Replikë në distancë me një protestues atipik
Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një replikë në distanë me një protestues të cilin e cilëson atipik.
Teksa ka publikuar komentin e protestuesit në faqen e tij, Rama shprehet se vlerëson etikën me të cilën ai shpreh qëndrimin e tij kundër.
“Replikë në distancë me një protestues
Në çdo faqe, do të gjeni çfarë më shkruan dhe si i përgjigjem këtij protestuesi atipik, i cili mendon ndryshe nga unë po nuk shan, nuk akuzon, nuk deliron online.
Respekte për etikën”, shkruan Rama.
Thirrjet e protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg”, kryedemokrati: Qytetarët të mos ndikohen nga një slogan…
Kreu i PD-së, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, në zbatim të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij nga GJKKO, lidhur metë dosjen hetimore të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Jashtë ambienteve të SPAK-ut, Berisha ka dhënë një prononcim për mediat, ku u pyet edhe në lidhje me thirrjet që po bëhen në protestë: “Rama në burg, Berisha në burg”. Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se të rinjtë nuk duhet të ndikohen nga sllogani i “opozitës së opozitës”, ku dhe theksoi se kryeministri Rama duhet të gjykohet për gjenocid.
“Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do mund të zëvendësojë atë, por opozita s’i ka zënë vendin askujt.
Ndaj dhe i ftoj qytetarët, të rinjtë, demokratët të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, i cili për hir të së vërtetës është i dy-tre sorosianëve. Të jemi të mirëkuptuar. Jo, s’ka nevojë t’i emëroj unë, i gjeni vetë aty.
Ndaj dhe unë përshëndes shumë përzemërsisht ata qindra-mijëra qytetarë dhe të rinj, të cilët në fakt po çlirojnë këtë vend nga diktatura më e shëmtuar, në disa aspekte edhe më e dëmshme sesa ajo e totalitarizmit, sepse kjo ka përzënë 1 milion e 300-400 mijë shqiptarë në 10 vite.
Dhe ky është një dëm i tmerrshëm, që do të kërkojë të paktën minimumi 40 vite në një kurs normal për t’u kompensuar. Danë dhe për këtë, Edi Rama… ky është një gjenocid i mirëfilltë. Gjenocid i mirëfilltë sipas konventës së OKB-së dhe Edi Rama meriton të gjykohet për gjenocid”, u shpreh ai.
Vetëm një qytetar në protestë në Prrenjas
Teksa në qytete të tjera qytetarët kanë zgjedhur të ngrejnë zërin, në Prrenjas heshtja mbizotëroi. I vetëm në shesh, pjesëmarrësi i vetëm i protestës ironizoi mungesën e reagimit qytetar me fjalët:
“Nëse ju pyesin nga ishin Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Petrit Blloshmi, mos u tregoni që ishin nga këto anë.”
Një mesazh i fortë që vjen nga një protestë edhe më e fortë në simbolikë, një qytetar i vetëm përballë indiferencës së një qyteti të tërë.
Rama: Të vetmit përfitues nga protesta janë Qeveria Shqiptare dhe Partia Socialiste
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e një dite më parë që u zhvendos drejt aeroportit të Rinasit.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin X Rama përsëriti faktin se sipas tij kjo protestë po dëmton imazhin e vendit dhe turizmin ndërsa theksoi se të vetmit përfitues nga kjo protestë janë qeveria dhe PS.
Marshimi drejt Rinasit, Rama: Keqardhje për të rinjtë e zhgënjyer, protesta u mor peng nga mendje të liga
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e një dite më parë që u zhvendos drejt aeroportit të Rinasit.
Përmes një postimi në X Rama shprehet se bllokimi i mijëra njerëzve në lëvizjen e tyre të lirë bart doza të mëdha ekstremizi, ndërsa bën thirrje që të rinjtë të shkëputen sa më parë nga mendjet e liga që kanë marrë në dorë protestën.
“Kjo protestë, e cila arrin dhe degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të liga drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar mijëra njerëz natën në lëvizjen e tyre të lirë, mbart brenda saj pikërisht atë të keqe të madhe të ekstremizmit që frymëzon ngacmimin online dhe prish me kazma ritmin e jetës për shumicën. 4. Keqardhje për të rejat dhe të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi budalla drejt Rinasit me shijen e lirisë dhe pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa vetë e kuptuan se çfarë budallallëku kishin bërë duke ndjekur të infiltruarit nga forca shkatërruese, brenda ose jashtë, të cilat po bëjnë gjithçka që munden për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Shpresoj që të zgjohen sa më shpejt të jetë e mundur nga kjo zgjedhë dhe të shkëputen një orë më parë nga mendjet e liga dhe duart e liga që tani kanë marrë kontrollin e protestës”, shkruan Rama veç të tjerash në X.
Protestuesit bllokojnë rrugën e Rinasit. Policia ndalon marshimin
Pas tubimit në qendër të Tiranës, protestuesit kanë marshuar rreth 20 kilometra, duke bllokuar rrugën që të çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Rreth orës 01:40, ata janë ndaluar nga një kordon i forcave të policisë, i vendosur disa qindra metra larg aeroportit.
Policia nuk ka lejuar vijimin e marshimit më afër zonës së aeroportit. Në terren ishin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë përdorur disa makina të uniformave blu për të bllokuar kalimin e protestuesve drejt aeroportit.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas konsiderohet objekt i rëndësisë së veçantë për sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike të vendit.
Marta Kos: Shqipëria ka siguruar BE-në se projekti 1.4 miliardë euro do të përmbushë standardet mjedisore
Mesazh nga protesta: Përjashtohet çdo lëvizje drejt Rinasit
Rama ndan komentin e një vajze nga Vlora: E masakruan online sepse nuk beson te protesta
- 20:02 Thirrje të forta në protestë, kërkohet dorëheqja e Ramës dhe Berishës
- 19:59 Zyrtari amerikan: Marrëveshja për armëpushim nuk përfshin aktualisht Libanin
- 19:55 Aksident në Gjirin e Ksamilit, mjeti lundrues përplaset me skafin e policisë! Shënohet një viktimë
- 19:46 Marta Kos: Shqipëria ka siguruar BE-në se projekti 1.4 miliardë euro do të përmbushë standardet mjedisore
- 19:46 Turizmi malor në rritje, Peshkopia hap zyrtarisht sezonin veror
- 19:42 Lëvizje në Policinë e Shtetit, kush do të drejtojë qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Fier