AADF, Protik dhe General Assembly sjellin në Shqipëri programe për AI dhe aftësi digjitale

5 Maj 2026 | 11:01

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Protik Innovation Center dhe kompaninë globale të edukimit teknologjik General Assembly, ka zyrtarizuar nisjen e një bashkëpunimi strategjik tre-vjeçar që synon fuqizimin e aftësive digjitale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në ambientet e Innovation Hub tek Piramida, në praninë e përfaqësuesve të lartë nga qeveria, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, përfaqësues të Bordit të Administratorëve të AADF-së, përfaqësues nga General Assembly, partnerë ndërkombëtarë ADECCO, si dhe përfaqësues nga kompani tekonologjike.

Ky partneritet synon të ofrojë programe trajnimi të avancuara në fushat e teknologjisë Artificiale (AI), zhvillimit të software-it dhe teknologjisë në arsim (EdTech), duke adresuar drejtpërdrejt nevojat e tregut të punës dhe duke krijuar mundësi reale punësimi për pjesëmarrësit.

“Teknologjia nuk po transformon vetëm mënyrën se si punojmë—ajo po ripërcakton mënyrën se si shoqëritë konkurrojnë dhe si individët ndërtojnë të ardhmen e tyre. Për Shqipërinë, ky është një moment unik për të bërë një hap përpara, për të pajisur qytetarët me aftësi të nivelit ndërkombëtar dhe për t’u integruar plotësisht në ekonominë globale. Në AADF, ne kemi besuar gjithmonë në sjelljen e modeleve më të mira nga bota dhe përshtatjen e tyre në kontekstin lokal. Ky partneritet reflekton pikërisht këtë qasje—duke siguruar që të mësuarit të jetë një proces i vazhdueshëm, që talenti të mbetet konkurrues dhe që Shqipëria të mos ndjekë thjesht ritmin e ndryshimit, por ta formësojë atë.” – u shpreh Kryetari i Bordit të AADF, z. Michael D. Granoff.

Michael D. Granoff

Programi synon t’u vijë në ndihmë, studentëve, profesionistëve të rinj dhe individëve në mes të karrierës, duke ofruar mundësi për hyrje në sektorin e teknologjisë, si dhe përmirësimin dhe rikualifikimin profesional. Përmes një modeli të kombinuar të financimit, AADF do të ofrojë mbështetje financiare dhe bursa për pjesëmarrësit e përzgjedhur, duke reduktuar barrierat ekonomike dhe duke nxitur angazhimin aktiv.

“Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria përballet me sfidën e përshtatjes ndaj një tregu gjithnjë e më konkurrues. Për të qenë të suksesshëm, duhet të rrisim kapacitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 85% të ekonomisë, dhe të investojmë në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin e talenteve. Ky memorandum krijon një mundësi konkrete për të përmirësuar aftësitë e së nesërmes dhe për të përfituar maksimalisht nga transformimi digjital që po formëson të ardhmen.” – tha Delina Ibrahimaj, Ministre e Inovacionit.

Delina Ibrahimaj

Programi do të implementohet përmes një strukture të integruar ku secili nga partnerët luan një rol të veçantë, AADF-ja do të ofrojë mbështetje financiare dhe drejtim strategjik, Protik Innovation Center do të udhëheqë implementimin lokal dhe përfshirjen e talenteve, ndërsa General Assembly do të sjellë ekspertizën globale në edukimin teknologjik dhe zhvillimin e kurrikulave. Trajnimet do të përfshijnë edhe bootcamp-e intensive (420-480 orë), si dhe kurse të shkurtra (40-50 orë), të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe të orientuara drejt praktikës, me metoda mësimi të bazuara në projekte konkrete të kombinuara, online dhe fizikisht.

“Kjo marrëveshje shkon përtej një partneriteti formal—ajo përfaqëson një platformë për inovacion, llogaridhënie dhe rezultate të matshme. Së bashku, po krijojmë kushtet që Inteligjenca Artificiale të shërbejë si një mjet për përfshirje dhe progres, duke hapur mundësi të reja për talentin në Shqipëri. Jam i bindur se, në vitet në vijim, kjo nismë do të jetë një shembull konkret i asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit të fortë për të ardhmen e fuqisë punëtore në vend.” – tha znj. Bettina Schaller, Drejtoreshë e Çështjeve Publike, Adecco Group.

Bettina Schaller

Përmes lidhjes së kompanisë General Assembly me Adecco Group, një lider global në zgjidhjet e punësimit, programi synon të krijojë ura konkrete midis trajnimit dhe punësimit, duke ndihmuar pjesëmarrësit të integrohen në tregun e punës. Ky partneritet pritet të kontribuojë në transformimin digjital të vendit dhe në ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, të aftë për të përballuar kërkesat e ekonomisë globale.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim është një prej organizatave jofitimprurëse më të mëdha në Shqipëri e themeluar me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2009. Me fokus në arsimin, sipërmarrjen, zhvillimin ekonomik dhe trashëgiminë kulturore, AADF lidh ekspertizën ndërkombëtare me potencialin lokal për të ndërtuar modele që qëndrojnë në kohë dhe prodhojnë vlerë për komunitetet.

Protik është një qendër inovacioni që shërben si urë lidhëse midis ideve, talenteve dhe industrisë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri.

General Assembly është një kompani globale e edukimit teknologjik që ofron programe intensive dhe praktike për zhvillimin e aftësive digjitale dhe tranzicionin në karrierë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

I përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, Ilir Selmani shoqërohet në GJKKO nën masa të rrepta sigurie

Nën masa të rrepta sigurie paraqitet në apelin e GJKKO Ilir Selmani, i akuzuar si pjesë e ‘klanit Duka’ dhe i përfshirë në vrasjen e...
14:28 | 13/07/2026

Shqiptari humb jetën me Yamaha R1 në Itali, u përplas me një automjet që drejtohej nga një 67-vjeçare

Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur pasditen e së dielës në Bezzecca, në provincën e...
13:34 | 13/07/2026

Policia e Durrësit kontrolle për ndotjen akustike në zonat turistike, monitorohen lokalet me muzikë

Ka nisur zbatimi i planit të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, ndërsa Policia e Durrësit ka intensifikuar kontrollet për respektimin...
12:59 | 13/07/2026