‘Alternativa’ e shumicës në RMV, Gashi: Mbajtëm në këmbë qeverinë për integrimin

26 Dhjetor 2021 | 16:12

Alternativa është subjekti politik që hyri në koalicionin qeverisës të Maqedonisë së Veriut. Pas dështimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Zaev dhe daljes së Lëvizjes Besa nga koalicioni, Alternativa rikthehu shumicën në anën e Socialdemokratëve.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i partisë Alternativa Afrim Gashi, e cila me 4 deputetë te saj, ka çuar në 64 numrat e shumicës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, u shpreh se partia e tij është parë si çelës për zgjidhjen e krizës politike e cila do të sillte pasoja të tjera në zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë që po vë veton për anëtarësim në BE, për problemet me energjinë dhe pandeminë.

“Me hyrjen tonë në qeveri u pastruan këto dilema, kemi një shumicë të re me 64 deputetë dhe shteti po sheh drejt vitit 2022 në tentativat që t’i zgjidh këto krizat energjetike e shëndetësore por ajo që është shumë e rëndësishme është që jemi shumë afër hapjes se negociatave me BE-në, janari, shkurti apo fillimi i marsit janë muajt që vërtetë janë shumë vendimtarë për ne, çelja e negociatave për ne do të ishte një lajm brilant. Andaj mendoj që Alternativa nuk deshi qe ta vendosë në bixhoz ketë mundësi të madhe, edhe për shtetin, edhe për shqiptarët, edhe për rajonin”, thotë kryetari i Alternativës.

Pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, vendi shkoi drejt një krizë të re politike. Mocioni i mosbesimit, të cilën e mbështeti edhe Alternativa, dështoi.

Pas largimit të Lëvizjes Besa nga koalicioni, në Kuvend shumica dhe opozita u barazuan me numra 60-60. Kjo bëri që kreu tashmë i dorëhequr i socialdemokratëve, Zoran Zaev të ftonte Alternativën dhe të nisin bisedimet që do të zgjasnin tri javë.

“Kishte një kërkesë shumë të madhe që qeveria të vazhdojë të funksionojë dhe t’i jepet mundësi tejkalimit të kësaj bllokade të Bullgarisë që ia bën Maqedonisë dhe Shqipërisë, prandaj Alternativa e gjetur në mes të këtyre opsioneve të qëndrojë në opozitë apo t’i jap krahë këtij procesi që do ta ndihmonte edhe stabilitetin regjional, edhe Shqipërinë, edhe Maqedoninë, vendosi që të bëhet pjesë e shumicës. Ne i kemi katër deputetë dhe ne presim që qeveria e re që do të votohet nga mesi i janarit presim që do të ketë 64 numra”, thotë Gashi.

Kryetari i Alternativës, parti kjo që ishte kundër BDI-së në pushtet, thotë se do të jenë në qeverisje edhe me partinë e Ali Ahmetit dhe se përfshirja e Alternativës në ekzekutiv nuk është betejë e brendshme në mes të shqiptarëve, por do të punojnë për interesat e përbashkëta.

“Ne kryesisht negociatat i kemi zhvilluar me Partinë Socialdemokrate maqedonase, por kam pasur takime edhe me zotin Ahmeti që është parti tjetër shqiptare në qeveri me të cilin kam dashur që të mos shihet kjo kyçja jonë në qeveri si një betejë e brendshme brenda shqiptarëve. Ne jemi dy subjekte në oponencë me njëra-tjetrën, por ka shumë punë të shqiptarëve qe kanë interesa te përbashkëta. Andaj tentativa ime është që të mos kemi betejë te brendshme dhe të bllokojmë njëra-tjetrën sepse në fund të fundit do t’ia pamundësojmë funksionimin edhe njëra-tjetrës dhe kjo shkon në llogari të qytetarit”.

“Ne duam t’i shërbejmë qytetarit, shqiptarëve, dhe duam të kemi raporte korrekte me të gjitha subjektet, jo vetëm me ata në pozitë por edhe me partitë shqiptare në opozitë mundohemi të ruajmë raporte korrekte për shkak se megjithatë ne jemi në një shtet multi-etnik dhe realizimi etnik i shqiptarëve në Maqedoni në aspektin juridiko-kushtetues nuk është se ka mbaruar plotësisht”, thotë kryetari i Gashi.

Pas dorëheqjes se Zaev, socialdemokratët e Maqedonisë së Veriut, do t’i udhëheqë i zgjedhuri i ri, Dimitar Kovaçevski. Ai pritet që të votëbesohet si kryeministër në një qeveri ku do të jenë LSDM, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Alternativa.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç e cila në një intervistë...
11:50 | 15/07/2026

Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje...
13:31 | 11/07/2026

Tre zyrtarë shqiptarë nga RMV: Nuk na lejuan të hyjmë në Shqipëri

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë,...
18:16 | 08/07/2026