Arrestime për incidentin në Novi Sad në Serbi, Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë

2 Gusht 2025 | 11:03

Pas arrestimit të 11 personave, përfshirë një ish-ministër, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë do të mblidhet këtë të shtunë në mesditë për të diskutuar situatën e krijuar dhe zhvillimet e fundit që kanë tronditur vendin.

Mes të arrestuarve ndodhet ish-ministri i Transportit Tomisllav Momiroviç, si dhe zyrtarë të lartë të kompanive private dhe publike të përfshira në projektin e rindërtimit të stacionit hekurudhor, që zgjati tre vjet dhe përfundoi në nëntor të vitit të kaluar.

Incidenti i ndodhur në vitin 2024 nga rrëzimi i strehës në stacionin e rionstruktuar të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Rasti ka nxitur zemërim dhe protesta në mbarë vendin, me pjesëmarrje të qindra mijëra qytetarëve të cilët kërkojnë ndëshkime për përgjegjësit.

Sipas Zyrës së Prokurorit për Krimin e Organizuar, personat e arrestuar dyshohen për veprime korruptive dhe keqpërdorim të fondeve publike, me një dëm të vlerësuar në 115 milionë dollarë në buxhetin e shtetit.

Po ashtu, ka dyshime se konsorciumi kinez CRIC&CCCC, që po ndërton hekurudhën për trenat e shpejtë në Serbi, ka përfituar në mënyrë të dyshimtë një shumë shtesë prej 18.7 milionë dollarësh. Kontratat me kompaninë kineze janë nënshkruar në bazë të një marrëveshjeje ndërqeveritare mes Serbisë dhe Kinës, pa shpallje tenderi publik.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, duke komentuar situatën, u shpreh më 1 gusht se “Serbia nuk ka qenë në një pozitë kaq të vështirë që nga viti 2008”, duke përmendur krizën e emigrantëve, pandeminë, luftën në Ukrainë dhe tensionet me Kosovën si sfida të njëpasnjëshme që kanë goditur vendin.

Protestat kundër qeverisë kanë marrë përmasa të mëdha, me përfaqësues të shoqërisë civile, studentëve dhe opozitës, të cilët e kanë bërë aksidentin simbol të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit shtetëror.

Simboli i “dorës së gjakosur” është kthyer në shenjë identifikuese të protestuesve në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026

Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve

Gjykata e Apelit e juridiksionit të përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për njërin prej rojeve private të arrestuar për dhunën e ushtruar gjatë përplasjes...
14:30 | 14/07/2026

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026