Basha: Legalizimi i kanabisit i shërben krimit, vetting kundër të korruptuarve

22 Korrik 2023 | 18:59

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me miratimin në parlament të ligjit për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha shprehet se miratimi i një ligji të tillë vetëm sa i shërben bandave kriminale.

Ish-kryedemokrati shton se legalizimi i kanabisit është akt kriminal ndaj shoqërisë e sidomos ndaj të rinjve.

REAGIMI I BASHËS

Tashmë është fakt botërisht i njohur se si kjo qeveri e kanabizoi Shqipërinë.

Në Raportin Botëror të Drogës për vitin 2022, publikuar nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën, Shqipëria renditet në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.

Pamundësitë ekonomike, varfëria e papunësia kanë detyruar qindra qytetarë të punojnë si skllevër në parcelat e kanabisit që mbroheshin nga policia. E në vend që qeveria të tërhiqte investime, që hapin vende pune, rrisin mirëqënien e tyre, legalizon industrinë e kanabisit.

Në po të njëjtën ditë kjo mazhorancë, e cila ka dështuar t’u krijojë kushte më të mira e trajtim dinjitoz mjekëve që të mos largohen, kërkon me ligj t’i “burgosë” mjekët e ardhshëm për t’i ikur përgjegjësisë së saj.

Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, apo abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.

Ne inkurajojmë dhe mbështesim SPAK-un të hetojë pa e ndalur hetimin e gjithkujt që ka abuzuat me paratë dhe besimin e shqiptarëve e nga ana tjetër kërkojmë sa më parë vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK, që paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve!

Partia Demokratike ka nisur ndryshimin nga vetja e do ta sjellë këtë ndryshim për gjithë Shqipërinë duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve, që t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre e për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve

20 lekë të vjetra për kilogram. Ky është çmimi me të cilin fermerët e zonës së Muriqanit po shesin kastravecin, ndonëse në tregjet e vendit...
21:50 | 24/06/2026

Ali Ahmeti për protestën në Tiranë: Shqipëria po merr goditje të forta në turizëm dhe ekonomi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet prej 25 ditësh në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e...
21:39 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026