Berisha publikon letrën e ministrit: Kërcënoi vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve
Kreu i PD-së, Sali Berisha, vijon denoncimin e tij për problematikat e zgjedhjeve të 11 majit.
Në një deklaratë të tij këtë të hënë, Berisha theksoi se “farsa elektorale e 11 majit 2025 është procesi elektoral më i shëmtuar në 32 vitet pas rënies së Perdes së Hekurt”.
Në vazhdim, Berisha hodhi akuza ndaj Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, duke thënë se ai ka kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë përmes një letre, që, sipas Berishës, synon të ndryshojë raportin lidhur me zgjedhjet e 11 majit.
Ish-kryeministri publikoi për mediat letrën e plotë të dërguar nga Hasani, ku ndër të tjera shkruhet: “Dua të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative dhe të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.”
Berisha tha se letra është dërguar nga Ministri Hasani më 12 maj 2025, pas publikimit të raportit të parë nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare.
Përmbajtja e letrës:
“Tiranë, 12 maj 2025
Për: Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe Udhëheqëse e Misionit Afatshkurtër të OSBE-së
Ambasador Lamberto Zannier, Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR
Björn Söder, Shef i Delegacionit të AP të OSBE-së
Simone Billi, Shef i Delegacionit të AP të Këshillit të Europës
Michael Gahler, Shef i Delegacionit të PE
Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 në Shqipëri.
Në lidhje me Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të publikuar më 12 maj 2025, dëshiroj të shpreh me respekt pritshmërinë tonë që këto raporte të pasqyrojnë në mënyrë të saktë realitetin e vëzhguar në terren gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit.
Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.
Gjithashtu, përmendja në raport e “intimidimit të përhapur të votuesve” duket të bazohet kryesisht në akuza të pa verifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një njësi të posaçme për zgjedhjet, për të hetuar të gjitha denoncimet e besueshme për intimidim të votuesve dhe parregullsi zgjedhore. Janë nisur disa hetime dhe janë kryer arrestime – tregues të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar llogaridhënie.
Lidhur me përshkrimin e klimës elektorale si “shumë e polarizuar”, theksojmë se, pavarësisht mospajtimeve të forta, partia në pushtet nuk ka kundërshtuar zyrtarisht vendimet kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – përfshirë vonesën në publikimin e rezultateve të votimit elektronik dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas një kërkese nga opozita. Këto veprime pasqyrojnë një zgjedhje të qëllimshme për të ruajtur një klimë politike të qetë dhe konstruktive.
Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatik mungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen të jenë në linjë me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp pas zgjedhjeve, duke sqaruar se “nuk duket të ketë autocensurë, siç ishte raportuar në Përfundimet Paraprake.” Ne besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të reflektohet në raportin e shkruar.
Duke marrë parasysh këto konsiderata, i bëjmë thirrje me respekt Misionit dhe ODIHR-it që të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.
Në fund, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që luan misioni juaj në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Këtë reagim e ofrojmë në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.
Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
IGLI HASANI
LEXONI GJITHASHTU:
Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:05 Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)