Berisha: Rritëm me 150 % pagat e mjekëve e infermierëve, ata s’largoheshin nga vendi
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se gjatë kohës së qeverisjes së tij, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën 150 %.
Komentet Berisha i bëri gjatë fjalës nga dritarja e banesës së tij, ku po vuan dënimin me “arrest shtëpie” për korrupsion, përpara mbështetësve të mbledhur poshtë pallatit të tij.
Berisha tha se në kohën e qeverisjes së tij, infermierët dhe mjekët nuk largoheshin nga vendi si tani.
Ai tha gjithashtu se gjatë qeverisjes së tij u rikonstruktuan spitalet dhe taksat nuk u përdorën për vjedhje me check-upin dhe sterilizimin.
Kreu i Rithemelimit hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se ai kontrollon mediat, për të mos transmetuar fjalën e të pranishmëve në rrugën poshtë banesës së Berishës, të cilën e ka quajtur ‘rruga e shpresës’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës, të të ardhmes.
Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj, për angazhimin tuaj të përnatshëm, për fjalët tuaja frymëzuese për çdo shqiptar.
Miqtë e mi, ju përballeni me një censurë të egër staliniste.
Edi Rama ju dikton medieve të tij që të censurojnë çdo fjalë tuaj.
Treguesi më i fuqishëm i vërtetësisë të fjalëve që ju thoni këtu në Rrugën e Shpresës, në parlamentin e lirisë.
Por dua t’u garantoj se sa më shumë përpiqet Edi Rama t’i mbështjelle më vellon e zezë të censurës fjalët tuaja, aq më shumë ato oshëtijnë në veshët, zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
Aq më shumë ato dëgjohen, kalojnë nga njëri te tjetri si të vërteta që fshihen nga ky regjim dhe që njerëzit duhet t’i dinë.
Miqtë e mi, unë përsëri sonte ftoj çdo qytetar shqiptar të mendojë se kjo betejë është për secilin prej tyre.
Se kjo betejë është për liritë e tyre, dinjitetin e tyre, mirëqenien e tyre, arsimimin e tyre.
Se kjo betejë është edhe për shëndetin, kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.
Dhe në këtë betejë unë i ftoj ata të mos harrojnë për asnjë moment krahasimin.
Çfarë ndodhi nga viti 2013 gjer sot me pagat, çfarë ndodhi me vendet e punës, çfarë ndodhi me arsimin, çfarë ndodhi në të gjitha fushat.
Në 10 vite, koha për shqiptarët u kthye në kohën e mosbesimit, në kohën e largimit të tyre masiv nga Shqipëria.
Sonte unë do sjell në vëmendjen tuaj një shërbim që është jetik për çdo shqiptar, për çdo të moshuar, për çdo të sapolindur, për çdo fëmijë, për çdo nënë, për çdo të sëmurë. Shërbimin shëndetësor.
Unë nuk pretendoj dhe nuk them se në vitin 2013 ishte shërbimi shëndetësor që meritonin qytetarët.
Por e them me shifra dhe fakte të vërteta se ishte i pakrahasueshëm me shërbimin e sotëm.
Miqtë e mi.
Ishte i pakrahasueshëm se ato taksa tuaja, ato të ardhura tuaja që u përdorën për shëndetësinë, shkuan së pari për të rritur me 150 përqind rrogën e infermierëve. Në vitin 2005, infermierja merrte 150 mijë lekë.
Për të rritur me 150 përqind rrogën e mjekëve, të cilët paguheshin me rroga qesharake.
Kjo i motivoi infermieret tona, kjo i motivoi mjekët tanë. Ata nuk largoheshin siç ikin sot.
Jo se ato ishin rroga të larta, por se ato ishin rroga që rriteshin çdo vit.
Dhe se kjo atyre u jepte besim që gjendja e tyre ekonomike, puna e tyre do vlerësohej gjithnjë e më shumë.
Dhe kjo qe e vërtetë.
Ato para, që vileshin nga taksat tuaja, nuk u përdorën për check-upin e Edi Ramës.
Nuk u përdorën për vjedhjen e tmerrshme të dytë të shekullit me sterilizimin.
Jo miqtë e mi. Në mbarë Shqipërinë, sterilizimi ekzistonte, nuk e shpiku Sali Berisha atë. Atë e kanë praktikuar që nga fillimet e mjekësisë shqiptare në dekada e dekada.
Por nuk ndodhte kurrë që ai proces të kushtojë sa sot, 83 herë më shumë se në vitin 2013.
Jo nuk mund të ndodhte. Nuk mund të ndodhte kurrë që ai proces që ju e paguani me taksat tuaja, të kushtojë sot në Tiranë 4 herë më shtrenjtë se në Berlin, 5 herë më shtrenjtë se në Londër.
Kjo nuk ndodh! Ato para që ju paguanit për sistemin shëndetësor, ato shërbyen për të rritur numrin e barnave të rimbursueshme dhe Shqipëria futi në listë të plotë çdo bar gjenerik që përcaktonte Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ato para u përdorën për të blerë numër të konsiderueshëm skanerësh, akseleratorësh, rezonanca, mjetet më moderne.
T’u tregoj vetëm një ngjarje të shkurtër, qesharake. Porositëm 7 milionë euro dy akseleratorë. Mirëpo ata duheshin të vendoseshin në bunkerë betoni.
Edi Rama shkoi dhe inauguroi gropën e njërit prej tyre për të paraqitur suksesin e shëndetësisë së tij.
Ato para u përdorën për të rikonstruktuar spitalet nga Gjirokastra në Shkodër, për të ndërtuar spitale të reja, urgjenca e të cilit në marrëzi e inauguronte Edi Rama duke pretenduar se ishte investim i tij, dy vite pasi e kishim inauguruar ne.
Pra, dhjetëra e dhjetëra milionë euro u përdorën për rindërtim spitalesh. 22 milionë për spitalin e urgjencës, 50 milionë të tjera u bënë gati për QSUT-në.
Ky ishte përdorimi i taksave tuaja qytetarë.
Por u them një gjë unë prapë, se përmirësime cilësore erdhën në mënyrë të pamohueshme.
Vdekshmëria foshnjore zbriti në nivelet njëshifrore dhe zbriti në nivelet e BE.
Po kështu vdekshmëria amtare.
U lehtësua me tre herë mundësia e vizitave për qytetarët.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet